1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel kritikohet - Kongresi vjetor i organizatës së të dëbuarve

Prej javësh pëshpëritet në Unionin Kristian Demokrat (CDU) dhe në partinë simotër bavareze, CSU. Kritikët thonë se kancelarja Merkel ka lenë pas dore elektoratin konservator duke rrezikuar fitoren e zgjedhjeve.

Presidentja e organizatës së të dëbuarve Erika Steinbah dhe Kancelarja Merkel

Presidentja e organizatës së të dëbuarve Erika Steinbah, përshëndet kancelaren Merkel në Kongresin vjetor të organizatës së të dëbuarve

Merkel kritikohet ndër të tjera se nuk ka marrë në mbrojtje kryetaren e qendrës së të dëbuarve, Erika Steinbach, nga kritikat jo objektive që vijnë nga Polonia. Njerëzit, që u dëbuan apo u arratisën me miliona pas Luftës së Dytë Botërore nga territoret në lindje të kufirit të sotëm gjerman dhe pasardhësit e tyre, janë elektorati më besnik i CDU-së dhe CSU-së. Tani kryetarja e CDU-së Merkel, dëshmoi në Kongresin vjetor të organizatës të të dëbuarve, solidaritetin e saj me të dëbuarit dhe kryetaren e tyre Steinbah.

Fëmijë të dëbuar në Berlin, duke shkuar për të ngrënë drekë, 1947

Fëmijë të dëbuar në Berlin, në kampin e grumbullimit Duppel Center, duke shkuar për të ngrënë drekë 27 maj, 1947.

Prej vitesh Erika Steinbah lufton për ngritjen e një qendre, në të cilën të përkujtohen viktimat e dëbimeve në Evropë në shekullin e kaluar. Qeveria polake nën Donald Tuskun, ndryshe nga qeveria paraardhëse nën Kaczinskin e ka miratuar një qendër të tillë. Megjithatë kohët e fundit pati rezerva të mëdha nga ana polake kundër synimit të Steinbahut, për të zënë një vend në këshillin e fondacionit të kësaj qendre. Kryetarja e shoqatës së të dëbuarve e sheh vetën të cilësuar pa të drejtë si revanshiste nga mediat polake, si një person, që ka qëllim vetëm të hakmerret për padrejtësinë, që u është bërë pas Luftës së Dytë Botërore. Tani ajo e hapi rrugën për themelimin e qendrës, duke hequr dorë provizorisht nga posti i saj. Në një fjalë përshëndetëse në pritjen vjetore të shoqatës së të dëbuarve kancelarja Merkel nuk i kurseu lëvdatat për këtë hap.

„Projekti për ta forcuar dhe rrënjosur përkujtimin e tyre në të gjithë vendin dhe për ta garantuar për të ardhmen, është ai që na jep impuls. Gëzohem që kemi shanse të mira për ta realizuar këtë tani dhe askush nuk është përpjekur për këtë më shumë se Erika Steinbah, shumë falemnderit për këtë.“

Presidentja e organizatës së të dëbuarve Erika Steinbah

Ekspozitë për të kujtuar të dëbuarit - Steinbah

Merkel kishte vendosur shumë shpejt për të mbajtur një fjalë përshëndetjeje, si shtesë e fjalimit të planifikuar për temën e dëbimit. Shumë nga të dëbuarit e organizuar kohët e fundit nuk flisnin dot më fjalë të mira për kancelaren. Ata e akuzonin atë se nuk i ka kundershtuar aspak sulmet nga Polonia. Kryetarja e të dëbuarve Steinbah, megjithatë e përshëndeti kancelaren me shumë përzemërsi - dhe nuk injoroi thirrjet bravo të hedhura me dashamirësi nga publiku.„Në predikimin nga bibla thuhet: Nga veprat keni për t´i njohur.“

„Dhe prej tyre e vlerësoj edhe unë natyrisht kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë. Dhe unë konstatoj se nuk jeni për herë të parë në pritjen tonë vjetore, por për herën e tretë tashmë."

Kjo e dallon Merkelin nga të gjithë kancelarët e mëparshëm. "Ndërsa paraardhësi i juaj në këtë funksion Gerhard Schrëder i socialdemokratëve, doli në Varschavë publikisht kundër të dëbuarve gjermanë, ju në vitin 2006 keni thënë në Varshavë - tani po citoj: Si kancelare gjermane unë kuptoj dhe mbështes, gjermanët, të cilët nga arratia dhe dëbimi në fund të Luftës së dytë bëtorore jetuan vetë vuajtjen, të mund të kujtojnë me dinjitet fatin e tyre."

Të dëbuar nga Polonia që vijnë nga kampi polak i internimit për të shkuar në kampin e Friedlandit, 3 mars 1950.

Të dëbuar nga Polonia që vijnë nga kampi polak i internimit për të shkuar në kampin e Friedlandit, 3 mars 1950. Megjithëse sipas marrëveshjes së Pocdamit zhvendosja e gjermanëve nga territoret polake të pushtuara gjatë L2B duhet të organizohej në "mënyrë humanitare" në shumë raste dëbimi brutal pati pasoja katastrofale.

Tani socialdemokratët kanë deklaruar, se do të votojnë në kabinet kundër krijimit të qendrës së planifikuar kundër dëbimeve, përderisa Steinbah të zërë vend në këshillin e fondacionit. Prandaj shoqata e të dëbuarve e lë provizorisht vakant këtë vend, që i takon asaj. Shumë të dëbuar, por edhe kristiandemokratë konservatorë, do të kishin dëshiruar në këtë situatë një qëndrim më luftarak të Merkelit. Por në pritjen vjetore të të dëbuarve ajo kërkoi mirëkuptim: „Kohëve të fundit u pa se në këto kushte do të kishte qenë jashtëzakonisht e vështirë - nuk them e pamundur - që të vëmë në jetë atë, që ne të gjithë duam. Nga kjo situatë na ka çliruar fillimisht vendimi i shoqatës së të dëbuarve, për të lënë vakant vendin.“

Në këtë mënyrë kryetarja e unionit kristiandemokrat (CDU) sinjalizoi se në zgjedhjet parlamentare në shtator zgjedhësit do të votojnë, edhe nëse Erika Steinbah do të zërë vend në karrigen vakante. Me një partner tjetër në koalicion, me liberalët e FDP-së, nuk do të kishte asnjë pengesë.

Autor: Peter Stützle / Berlin/ Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 19.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HFOq
  • Data 19.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HFOq