1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel-i shqyrton ndihma të tjera financiare për bankat

Kriza e euros për shkak të huave rrezikon të kthehet në krizë bankare. Për këtë arsye kancelarja gjermane Angela Merkel sheh nevojë për veprim dhe u lë bankave të hapur mundësinë për të përfituar shiringa financiare.

Përfaqësues kryesorë të institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare te kancelarja në Berlin

Përfaqësues kryesorë të institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare te kancelarja në Berlin

Kancelarja Angela Merkel nuk do të hezitonte që përballë krizës së huave në zonën e euros t'i pajiste bankat gjermane në rast nevoje me para të freskëta. Unë e marr shumë seriozisht vërejtjen e ekspertëve se bankat evropiane nuk janë të pajisura mjaftueshëm me kapital, tha kryetarja e Partisë Demokristiane të enjten (06.10.2011) pas një takimi me drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, me presidentin e Bankës Botërore Robert Zoellick dhe me shefin e Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, në kancelarinë në Berlin. Sikur një rritje e tillë të jetë e nevojshme, atëherë këto janë me siguri “para të investuara arsyeshëm”, plotësoi Merkel. Mirëpo, fillimisht bankat duhet të shohin se si të sigurojnë vetë kapital të mjaftueshëm.

Nevojitet një sistem monetar i qëndrueshëm

Merkeli pati kërkuar që të mërkurën në Bruksel një rikapitalizim të institucioneve financiare në rast nevoje. Ditët e fundit ishin rritur shqetësimet se bankat mund të përfshiheshin gjithashtu prej krizës së huave të hapësirës së euros.

Sipas gjykimit të kancelares gjermane rritje ekonomike të qëndrueshme botërore mund të ketë vetëm me një sistem monetar stabil. Aktualisht në sistemin monetar ndërkombëtar nuk ka mekanizëm, me anë të të cilit të mund të korrigjoheshin automatikisht disekuilibrat, tha Merkel. Tani është fjala te përpilimi i një kornize për sjelljen ndaj rrymave të kapitalit, shtoi kancelarja. Në bisedën në kancelari u arrit pajtim që kontrollet e qarkullimit të kapitalit të mbeten vetëm një mjet i fundit, vijoi ajo, fillimisht duhet bërë përpjekja që qarkullimi i kapitalit të zhvillohet i lirë.

China Talfahrt an den Finanzmärkten geht weiter

Takim me pjesëmarrje ndërkombëtare

Merkel pati zhvilluar këshillime me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve financiare ndërkombëtare mbi të ardhmen e sistemit monetar. Në takim morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i OECD-së Ángel Gurria, ministrat e financave të Francës dhe të Meksikës, si dhe fituesi i çmimit Nobel në ekonomi i vitit 1999, Robert Mundell. Synimi është përgatitja e propozimeve për takimin e G20-ës të vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe të atyre në industrializim e sipër më 3 dhe 4 nëntor në Cannes.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani