1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

"Merkel i ka vendosur prioritetet"

Dalja e kancelares gjermane para gazetarëve të martën në Berlin ka zënë vend edhe në komentet e shtypit të së mërkurës

default

Angela Merkel dhe Roland Koh në fushatë zgjedhore

"Rheinische Post" analizon se përse Merkel zgjodhi këtë ditë për të dalë para gazetarëve:

"Ajo dëshiron të shmangë vazhdimin e duelit verbal, përndryshe do të dëmtohej puna e koalicionit të madh. Suksesi i këtij është shumë i rëndësishëm për Merkelin. ... Mesazhi i dytë i Merkelit ishte paralajmërimi: Kohërat e bukura kur me sa duket shifrat e të papunëve binin dhe të ardhurat nga tatimet rriteshin vetvetiu po i afrohen fundit. Prandaj edhe politika e vitit 2007 ku ishte hapur rubineti i shpenzimeve nuk mund të vazhdohet. Këtë me sa duket nuk e ka kuptuar çdokush në koalicion. Faza e dytë e qeverisë së Merkelit po mban në gatishmëri disa të papritura të pakëndshme."

"Südwest Presse" nga Ulmi konkretizon:

"Do t'i bashkangjiteshim me shumë dëshirë optimizmit zyrtar të kancelares. Por po t'i hedhim një vështrim programit që ka mbetur nga periudha legjislative e koalicionit kuqezi (CDU/SPD) bëhesh skeptik. Sado projekte të mirëfillta qofshin, siç janë reformat e hekurudhës, e tatimeve ndaj trashëgimive, ajo për reduktimin e burokracisë, ato nuk vlejnë si kornizë kuptimdhënëse në një aleancë në shpërbërje. ... Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve për parlamentet e tre landeve deri në fund të shkurtit, forcat arratisëse që po ndikojnë që tani mbi koalicionin do të bëhen edhe më të forta. Është gati e pamundur që në Hessen, në Saksoni të Poshtme e në Hamburg të fitojnë njëkohësisht si socialdemokratët ashtu edhe unionistët. E atëherë Angela Merkelit do t'i largohet përfundimisht vullneti për unitet."

Ndërsa nga Erfurti "Thüringer Allgemeine" shpjegon se përse Merkel mbrojti kryeministrin e Hesenit:

"Angela Merkel i vendosi prioritetet. Tani për të ka rëndësi që Roland Koh (Koch) të dalë i sukseshëm në Visbaden. Edhe pse goditjet e tij diagonale për ashpërsimn e ligjit për dënimin e të rinjve nuk janë shumë të mirëseardhura, ajo tani po i ruhet çdo lloj distancimi. Sepse Merkel e di shumë mirë se Koh do t'i hakmerrej keq në se do t'i humbte zgjedhjet. Megjithë triumfet që ka arritur ndaj Shtojberit, Shojbles ose Mercit, ajo nuk e konsideron veten të parrëzueshme. Ajo nuk do të largohet hapur nga pozita e moderatores për reformat e mëtejshme, por me anshmërinë e nevojshme partiake arriti ta hidhte poshtë temën e preferuar të socialdemokratëve, atë të pagave minimale."

  • Data 15.01.2008
  • Autor DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CqAu
  • Data 15.01.2008
  • Autor DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CqAu