1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel i drejton apel presidentit Putin

Lindita Arapi23 Maj 2014

Merkel kërkon nga presidenti rus, Putin respektimin e zgjedhjeve në Ukrainë. Kancelarja gjermane kërkoi nga Rusia të pranojë edhe vlerësimin e OSBE-së për zgjedhjet në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/1C4yG
Angela Merkel 2014 ernste Mimik
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja Merkel i ka bërë thirrje Rusisë të pranojë vlerësimet e OSBE-së për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. "Unë pres që Rusia pa asnjë lloj dyshimi të respektojë vlerësimin objektiv të OSBE-së, pasi ky vend vetë është anëtar i OSBE-së." Kancelarja gjermane u shpreh kështu në një intervistë me gazetën "Saarbrücker Zeitung" ditën e premte (23.05).

OSBE po drejton ndërkohë një ndër misionet më të mëdha vëzhguese në historinë e saj, monitorimin e zgjedhjeve në Ukrainë. "Për fat të keq Rusia megjithëse ka pasur një ftesë, nuk ka pranuar të dërgojë vëzhgues në misionin e OSBE-së", ka kritikuar kancelarja gjermane. Merkel u shpreh se ka folur me presidentin rus këtë javë në telefon duke ia bërë të ditur rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

Misioni më madh vëzhgues në historinë e OSBE-së

Merkel theksoi në intervistë me gazetën gjermane sërish rëndësinë e këytre zgjedhjeve për stabilitetin e Ukrainës. "Ajo që ne shohim këtu është që udhëheqja ruse e ka me sa duket të vështirë të pranojë që një vend sovram si Ukraina të ndjekë e vetëvendosë për rrugën e vet", tha Merkel. "Qëndrimi ynë është, që Ukraina duhet të jetë e lirë të vendosë vetë." Ajo i hodhi poshtë kritikat e bëra ndaj marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kancelarja gjermane la të kuptohet se në kuadër të ceremonisë përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të zbarkimit të trupave të aleatëve më 6 qershor në Normandi, do të mund të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Për zgjedhjet në Ukrainë, OSBE-ja do të dërgojë të dielën (25.05.2014) 1000 vëzhgues dhe pas kësaj do të jepet vlerësimi, nëse zgjedhjet presidenciale kanë qenë të rregullt e të lira, dhe nëse ato mund të njihen, megjithë vështirësitë e pengesat në procesin zgjedhor. Separatistët prorusë po përpiqen në Lindje të Ukrainës që të pengojnë votimet në rajonet e kontrolluara prej tyre. Shanset e fitores i jepen oligarkut ukrainas, Petro Poroshenko, që megjithatë ka gjasa të mos arrije mazhorancën e kërkuar. Balotazhi pritet të zhvillohet më 15 qershor.