1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel: Fqinjët lindorë të BE-së duhet të jenë më të përgatitur ndaj presionit nga Rusia

Merkel thekson se do të angazhohet që BE-ja t'i kundërvihet presionit rus me mundësi konkrete dhe solidaritet. Ajo thekson se partneriteti Lindor i BE-së nuk drejtohet kundër Rusisë.

Fqinjët lindorë të BE-së duhet të jenë më të përgatitur ndaj presionit nga Rusia, në qoftë se zgjedhin që të lidhen më fort me Evropën. Kështu tha kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU), të hënën (18.11.13) në Bundestag. Sipas saj disa vende partnere e ndjejnë veten të ekspozuara ndaj "një presioni të konsiderueshëm" dhe prandaj nuk e kanë të lehtë që të vendosin për t'u lidhur me BE. Në deklaratën qeveritare për samitin e BE-së për Partneritetin Lindor që do të mbahet në Vilnë më 28 dhe 29 nëntor, kancelarja Merkel theksoi se ajo do të angazhohet në samit "që BE-ja t'i kundërvihet këtij presioni me mundësi konkrete dhe solidaritet."

Me iniciativën për Partneritetin Lindor të nisur në vitin 2009 BE-ja dëshiron që t'i afrojë politikisht dhe ekonomikisht në Evropë gjashtë fqinjët e vet lindorë - Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë - dhe t'i inkurajojë për reformat në fusha të tilla si demokracia dhe të drejtat e njeriut. Por prej presioni nga ana e Rusisë Armenia ka refuzuar p.sh. të nënshkruajë marrëveshjen me BE-në dhe në vend të kësaj zgjodhi t'i bashkohet bashkimit doganor të Rusisë me Bjellorusinë dhe Kazakistanin.

Masa konkrete nga BE-ja

Sipas fjalëve të Merkel masa konkrete që BE-ja t'i kundërvihet këtij presioni mund të ishin për shembull, mundësi më të mira për të futur në tregjet evropiane produktet që vendet e Partneritetit Lindor nuk mund t'i eksportojnë në Rusi ose ndihma për të reduktuar vartësinë e këtyre vendeve nga furnizimi me energji nga Rusia.

Putin dhe Merkel

Putin dhe Merkel

Merkel theksoi se në vendimet e vendeve që bëjnë pjesë në Partneritetin Lindor në lidhje me drejtimin e marrëdhënieve të tyre me vendet e tjera, nuk mund të ketë një "veto të tretë".

Kancelarja Merkel i kujtoi Rusisë se parimi i mosndërhyrjes është pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara nga Moska dhe e Kartës së OSBE-së.

Në të njëjtën kohë, Merkel theksoi se as Partneriteti Lindor i BE-së dhe as marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të veçanta dhe BE nuk drejtohen kundër Rusisë. "Në të kundërt, nga forcimi dhe modernizimi i ekonomive të vendeve të Partneritetit Lindor do të përfitojë edhe Rusia," tha Merkel.

Nevojë për reforma në Ukrainë

Kancelarja Angela Merkel theksoi në deklaratën qeveritare të së hënës edhe nevojën për reforma në Ukrainë. Ajo tha se duhet të jetë e qartë se procesi i reformave duhet të vihet në jetë në mënyrë "të qëndrueshme dhe të pakthyeshme". Kancelarja tha se ende nuk është e qartë nëse Ukraina është e gatshme që të krijojë kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes.

Samitin e BE-së për Partneritetin Lindor që do të mbahet në kryeqytetin e Lituanisë Vilnë, Merkel tha se e konsideron si shumë të rëndësishëm dhe se do të marrë edhe vetë pjesë në këtë takim.