1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel flet për "luftë" në Afganistan

18 Dhjetor 2010

Kancelarja Merkel ka shkuar për një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan. Para ushtarëve në Kundus ajo pranoi se në këtë vend sundojnë "gjendje të ngjashme me gjendjen e luftës"

https://p.dw.com/p/QfEW
Merkel në Afganistan
Merkel në AfganistanFotografi: dapd

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shkuar sot (18.02.2010) për një vizitë të shpejtë në Afganistan. Ajo zbarkoi në Kundusin afganoverior, ku ndodhet kampi fushor i ushtrisë gjermane në të cilin sundojnë kushte të forta sigurie. Kancelarja shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg dhe inspektori i përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Volker Wieker.

Në fillim të vizitës së saj, Merkel kujtoi në bazën ushtarake të Kundusit të vrarët e këtij misioni. Më pas ajo foli me ushtarët që morën pjesë muajin e kaluar në ofensivën e Char Darah-it. "Ne nuk ndodhemi këtu në situatë të ngjashme me atë të luftës, ne jemi këtu në betejë, si ato që zhvillohen në luftë", tha ajo para disa qindra ushtarëve. "Për ne kjo është një eksperiencë krejt e re. Gjëra të tilla i kemi dëgjuar vetëm kur na i kanë treguar prindërit për Luftën e Dytë Botërore." Por situata e atëhershme ka qenë e ndryshme, sepse Gjermania ishte sulmuesi. Kjo është vizita e tretë e Merkelit në Afganistan, nga viti 2007 deri më 2009.

Merkel në Afganistan
Merkel në AfganistanFotografi: dpa

Ushtari humbet jetën në aksident

Vizita ra nën hijen e vdekjes së një ushtari gjerman, i cili humbi jetën në një aksident pak para fillimit të vizitës së Merkelit. Një zëdhënës i komandos së misionit të ushtrisë gjermane në Potsdam tha se nuk kanë gjetur "shenjat e një përleshjeje". Ushtari i luftimeve trupore, 21 vjeçar u gjet me plagosje të rënda në një pikë kontrolli jashtë kampit të Pol-i-Khomrit dhe u dërgua me një helikopter në spitalin fushor. Atje ai humbi jetën gjatë një operacioni. Hetimet për zbulimin e kushteve të aksidentit kanë filluar, deklaroi komanda e misionit. Gazeta "Bild" njofton në faqen e internetit se ushtari ka vdekur nga plagosjet në kokë. Ato janë shkaktuar nga një e qëlluar që ushtari e ka marrë nga arma e tij. Ushtria gjermane nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Merkel dhe zu Guttenberg u treguan të prekur nga lajmi tragjik. Në vitin 2010 tetë ushtarë gjermane kanë humbur jetën në luftimet dhe sulmet në Afganistan. Me viktimën e fundit të aksidentit, numri i ushtarëve që kanë humbur jetën në Hindukush arriti në 45. 27 prej tyre janë vrarë në sulme dhe beteja.

Merkel shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg
Merkel shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, zu GuttenbergFotografi: dpa


Guttenberg: Udhëtimi i dytë këtë javë


Ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg ishte ditën e hënë në të dy kampet gjermane në Kundus dhe Masar-i-Scharif. Ai shoqërohej nga e shoqja Stephanie dhe moderatori i televizionit Johannes B. Kerner. Opozita e akuzoi në parlament se ministri inskenon vetveten. Kjo ishte vizita e tetë e Guttenbergut në Afganistan që kur ka marrë postin e ministrit në vjeshtë të 2009-ës.

Dhjetë vjet pas fillimit të misionit të Afganistanit, në fund të 2011 ushtarët e parë gjermanë do të fillojnë të largohen nga vendi. Këtë e ka deklaruar ditën e enjte, ministri i Jashtëm gjerman dhe zëvendëskancelari, Guido Westerwelle.

Autor: Annamaria Sigrist / Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti