1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Rasmussen përgatisin samitin e Nato-s

5 Maj 2012

Para samitit të NATO-s, kancelarja Angela Merkel dakordon qëndrimet me sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Rasmussen. Një temë e rëndësishme në samitin e Çikagos (20-21 Maj): tërheqja e trupave nga Afganistani.

https://p.dw.com/p/14qRr
Fotografi: dapd

"Ne jemi futur së bashku, ne duam të dalim përsëri së bashku," tha kancelarja gjermane Angela Merkel të premten (04.05.) lidhur me tërheqjen e trupave të NATO-s nga Afganistani, "Gjermania do të përfaqësojë me vendosmëri këtë qëndrim në samitin e NATO-s". Tërheqja graduale dhe e koordinuar e trupave ISAF deri në vitin 2014 është vendosur tashmë, por nga Franca aktualisht dëgjohen zëra të tjerë: kandidati socialist për postin e presidentit François Hollande, dëshiron kthimin në shtëpi të rreth 3300 ushtarëve francez qysh gjatë këtij viti.

A do të largohet Franca me të vërtetë?

Meqenëse Hollande konsiderohet si favorit i qartë për fitimin e zgjedhjeve të balotazhit të dielën (06.05.) deklaratat e tij në NATO përcillen me kujdes të madh dhe me një dozë mosmiratimi. "Unë me siguri që nuk do të përzihem në fushatën zgjedhore franceze", tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, pas bisedimeve të tij me kancelaren Merkel në Berlin. "Por unë besoj se të gjithë anëtarët e aleancës në fund duhet t'i përmbahen vendimit: Së bashku brenda, së bashku jashtë".

Rassmusen dhe Merkel në Berlin
Rassmusen dhe Merkel në BerlinFotografi: Reuters

Merkel, njoftoi se presidenti afgan Hamid Karzai do të vijë sërish në Berlin për bisedime para Samitit të NATO-s. Në këtë takim do të flitet edhe për ndihmën ndërkombëtare për Afganistanin pas vitit 2014.

Rusia në kurs konfrontimi

Para samtit në Çikago janë ndezur sërish polemikat mbi sistemin e planifikuar të NATO-s për mbrojtjen antiraketore ndaj të cilit Rusia ka rezerva të forta. Edhe pse në samitin e Lisbonës në vjeshtë të vitit 2010 dukej sikur do të ishte i mundur një bashkëpunim mes Rusisë dhe NATO-s për këtë çështje, tani frontet janë ashpërsuar përsëri. Udhëheqës të ushtrisë ruse kohët e fundit kanë kërcënuar me një sulm parandalues ndaj impianteve amerikane në rast se do të implementohen planet për mburojën antiraketore.

Për Rassmusenin këto kërcënime janë të pajustifikueshme. "Fakt është se ne kemi ftuar Rusinë për të bashkëpunuar në këtë fushë." Raketat me rreze të mesme veprimi mund të godaisn si vendet e NATO-s ashtu dhe Rusinë, kështu që në këtë rast kemi të bëjmë me një interes të përbashkët të sigurisë.

Baza ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë
Baza ajrore amerikane në Ramstein të GjermanisëFotografi: dapd

Sistemi mbrojtës nga raketat është i rëndësishëm dhe i dobishëm, shtoi kancelarja Merkel. "Mburoja raketore nuk drejtohet kundër Rusisë", tha Merkel dhe nënvizoi se do të angazhohet edhe më tej që të fitojë besimin e Rusisë. NATO i ka ofruar Rusisë për të marrë pjesë në këtë sistem, por qeveria në Moskë nuk është e gatshme për bashkëpunim. Rusia e sheh të kërcënuar sigurinë e saj nga impiantet ushtarake të cilat do të stacionohen në Evropë.

Autor: Nina Werkhäuser / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama