1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel dhe Monti demonstrojnë unitet

Kryeministri italian Monti së bashku me homologun e tij spanjoll Rajoy kërkuan nga kancelarja gjermane Merkel ndihma financiare nga ombrella për shpëtimin e euros, ESM. Kjo u vlerësua si goditje për kancelaren.

Villa historike Madama në Monte Mario, ishte zgjedhur në mënyrë të përshtatshme për takimin e Mario Montit me Angela Merkelin. Në Romë moti ishte me diell, temperatura sillej rreth 32 gradë. Në vend të tapetit të kuq ishte vendosur një me ngjyrë bezhë të ndritshme. Gjithçka ishte bërë ashtu që të demonstronte lehtësinë, dhe në filllim nuk munguan as buzëqeshjet e ngrohta të Merkelit dhe Montit, të paktën për fotografët. Pastaj ata u tërhoqën pas mureve të Villa Madama për biseda konfidenciale.

Dhe ata kishin se për çfarë të bisedojnë: së pari për interpretimet e ndryshme të samitit të BE-së në Bruksel. Por në konferencën për shtyp ata demonstruan unitet dhe u shfaqën shumë miqësor. "Deri tani, unë ia kam dalur gjithmonë që të arrijë marrëveshje me Mario Montin, gjithnjë aty ku ka qenë e nevojshme", tha ajo.

Po ashtu edhe Monti u përpoq të krijojë një atmosfere të mirë: "Unë besoj se kancelarja Merkel dhe unë po punojmë shumë mirë së bashku. Ajo është gjermane dhe unë italian por ne të dy besojmë në një ekonomi konkurruese të tregut social!"

Merkel këmbëngul për reforma të mëtejshme

Kryeministri italian u paraqit para takimit me tone pajtuese. Mesazhi i tij për qytetarët gjerman ishte: ne nuk jemi aq larg njëri-tjetrit, ne duam të kursejmë por duam edhe të përkujdesemi për rritje ekonomike.

Sa i përket interpretimeve të ndryshme pas samitit të BE në Bruksel, Merkel dhe Monti nuk dhanë komente të drejtpërdrejta, megjithatë kancelarja këmbënguli për reforma të mëtejshme, të gjithë duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë: "Nëse fqinjët tanë në Evropë nuk i kanë mirë punët ekonomikisht, atëherë në aspektin afatgjatë nuk i ka punët mirë as Gjermania - sepse 60 për qind të eksportit tonë shkon në Bashkimin Evropian, nërsa 40 për qind në vendet e eurozonës. Kjo do të thotë se është në interesin gjerman që të gjitha vendet të kenë një zhvillim të mirë ekonomik. Ndryshe këtë nuk do ta ketë as Gjermania."

Monti siguroi nga ana e tij se do të vazhdojë rrugën e reformave: "Ekzsiton vetëm një mundësi që Italia të kontribuojë për stabilitet dhe kjo është kontrollimi i borxheve të reja", tha ai. Dhe kjo do të thotë se duhet kursyer. Në këtë mënyrë duhet të shkurtohen dhjetëra mijëra vende të punës në sektorin publik. Gjithashtu janë planifikuar edhe kursime në sektorin e shëndetsisë dhe në universitete.

Autor: Annette Eckl / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani