1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel dhe Evropa - Çfarë kanë bërë politikanët gjermanë për idenë evropiane

Samiti i BE në Bruksel çaktivizoi për momentin krizën e likuiditetit të Greqisë. Megjithatë Bashkimi Evropian ndodhet në krizën më të rëndë të historisë së tij. Fajin për këtë e kanë politikanët.

default

Euro është shpëtuar, tani për tani. Monedhën e përbashkët do ta kemi ende. Ideja evropiane është dëmtuar megjithatë rëndë në javët dhe muajt e fundit të krizës së vazhdueshme. "Ajo po ma shkatërron Evropën", duhet të ketë thënë kancelari i vjetër Helmut Kohl për pasardhësen e tij, Angela Merkel. Edhe pse ai e ka përgënjeshtruar këtë menjëherë, një gjë është e qartë, se Kohl, merita historike e të cilit do të mbetet puna e palodhshme për bashkimin e Evropës, është i pakënaqur, i tronditur dhe i deprimuar për politikën gjermane ndaj Evropës. Pasionin, që e udhëhoqi, bindjen e thellë se vetëm një Evropë e bashkuar mund të garantojë paqen dhe sigurinë në kontinentin e shumëvuajtur, e kërkon më kot tek pragmatikja Angela Merkel.

Nuk ka pse të jetë gabim, në qoftë se euforinë e ngarkuar me patos për Evropën e viteve të Kohlit e zëvendëson një politikë e matur dhe efektive. Ajo, për të cilën mund të akuzosh Merkelin dhe kryetarët e shteteve të tjera të BE, është se ata e kanë zëvendësuar vizionin për Evropën me një rrëmujë teknokratike, se e kanë reduktuar idenë e një Europe të bashkuar në një bashkim monetar, në një politikë ekonomike anti-sociale dhe se nuk bëjnë asgjë për demokratizimin e bashkësisë.

Një përbindësh burokratik

Brezat e pasluftës, të mësuar me përvoja të padrejtësisë, të shtypjes dhe dhunës donin të krijonin një kontinent të bashkuar, që t'u jepte qytetarëve të saj të drejtë shprehjeje dhe pjesëmarrje, një Evropë të bazuar në vlerat e demokracisë, të pluralizmit e të drejtave të njeriut. Por në vend të kësaj Evropa është bërë një përbindësh burokratik, një treg i brendshëm, që izolohet, një zonë ekonomike neoliberale, ku hendeku midis të pasurve dhe varfërve vazhdon të rritet, ku gjithnjë e më tepër njerëz rrëzohen në të çarat e politikës sociale, ku jeta për shtresat gjithnjë e më të gjera kthehet në një betejë të vazhdueshme për mbijetesë ekonomike, ku frika e së ardhmes i zë vendin optimizmit. Lokomotivat e dikurshme të integrimeve evropiane, Gjermania dhe Franca, janë kthyer në majat e shtizës së një shoqërie egoiste me luftë bërrylash. Sidomos Gjermania me dampingun shumëvjeçar të pagave dhe me politikën e saj të pamatur të eksportit ka kontribuar dukshëm në dezekuilibrimin e BE.

Institucione të dobëta

Përveç kësaj, institucionet evropiane u dobësuan në mënyrë të planifikuar nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive dhe legjitimiteti i tyre demokratik u bë gjithnjë e më i diskutueshëm. Në krye të Komisionit, u instalua një president tej mase i zbehtë, prej të cilit pikërisht në këtë kohë krize nuk del asnjë iniciativë. Ministrja e Jashtme evropiane nuk e përballon dot përgjegjësinë e saj dhe presidenti i përhershëm i Këshillit as nuk shihet dhe as nuk dëgjohet në këtë situatë aktuale, kërcënuese për ekzistencën e BE.

Por kështu nuk realizohet vizioni i bashkimit të Evropës. Kështu nuk krijohet Evropa, tek e cila kanë besim qytetarët dhe ku ata duan të marrin pjesë. Prandaj liderëve evropianë, duke përfshirë edhe Angela Merkelin, vetëm mund t'u thuash: Kështu po e shkatërroni Evropën tonë.

Autor. Bettina Marx

Redaktoi: Angjelina Verbica