1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel dhe Erdogan kërkojnë integrim më të mirë

Njëherë futbolli pastaj politika: kryeministri turk Erdogan u prit në Berlin nga kancelarja gjermane Merkel. Tema të bisedimeve ishin problemet e integrimit dhe negociatat për pranimin e Turqisë në BE.

Në foto: Erdogan dhe Merkel

Në foto: Erdogan dhe Merkel

Kryeministri turk Recep Tayyp Erdogan, i icili kishte ardhur në Berlin për të parë ndeshjen e futbollit Gjermani-Turqi të vlefshme për Kampionatin Evropian 2012 u prit të shtunën (09.10.2010) nga kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU). Me këtë rast ata biseduan edhe rreth debatit për integrimin në Gjermani.

Merkel theksoi se nuk bëhet fjalë për asimilim por për integrim. Këtu bën pjesë mësimi i gjuhës gjermane në mënyrë që para së gjithash të rinjtë turq të kenë shanset e barabarta me të rinjtë gjermanë. "Bëhet fjalë për pjesëmarrjen në shoqërinë tonë mbi bazën e parimeve të shoqërisë sonë", tha Merkel pas takimit.

Thirrja e Erdoganit për turqit në Gjermani

Nga një konferencë e përbashkët shtypi Merkel-Erdogan

Nga një konferencë e përbashkët shtypi Merkel-Erdogan

Kryeministri turk përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij sipas të cilit "asimilimi është një krim kundër njerëzimit". Njëkohësisht ai u bëri thirrje turqve që jetojnë në Gjermani që të integrohen në shoqërinë gjermane. Bëhet fjalë për respektin ndaj një shoqërie, mënyrës së të jetuarit dhe vlerave të saj. "Integrimi është i nevojshëm në mënyrë që të jetë e mundur bashkëjetesa paqësore", shtoi Erdogan. Njëkohësisht ai shtoi se në këtë drejtim ka ende deficite. Kështu që të dyja vendet duhet të mendohen se çfarë mund dhe duhet të bëhet ende. Erdogan, i cili vjen nga partia islamiste e moderuar AKP në pushtet, e çmoi lart deklaratën e presidentit gjerman Christian Wulff sipas së cilës edhe feja islame është pjesë e Gjermanisë.

Merkel tërhoqi vëmendjen për një bilanc kritik për integrimin e emigrantëte. Për të theksuar problemet e ekzistuese bilanci do të bëhet në tetor të vitit 2011 me rastin e 50 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes gjermano-turke për pranimin e punëtorëve sezonalë nga Turqia në Gjermani.

Afrimi dhe negociatat për anëtarësim

Erdogan e luti kancelaren gjermane që të angazhohet për përparimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian dhe për lehtësimin e regjimit të vizave për biznesmenët, artistët dhe studentët.

Pamje nga kufiri i BE-së me pjesën qipriote turke

Pamje nga kufiri i BE-së me pjesën qipriote turke

Merkel përmendi të ashtuquajturin Protokollin e Ankarasë si pengesën aktuale për zvarritjen e negociatave. Ky protokoll përcakton zgjerimin e unionit doganor në mes të BE-së dhe Turqisë në të gjitha shtetet e reja anëtare, pra edhe në Qipro. Kështu Bashkimi Evropian kërkon nga Turqia që ajo të hapë portet detare dhe aeroportet për anijet dhe avionët qipriotë. Ankaraja refuzon këtë kërkesë të BE-së për shkak të kufizimeve tregtare ndaj pjesës qipriote turke. Atje turqit qipriotë kanë shpallur shtetin e tyre, i cili është njohur dhe pranuar vetëm nga Turqia. Pjesa jugore e ishullit e banuar me grekë qipriotë është nga viti 2004 anëtare e BE-së dhe dëshiron të bllokojë pranimin e Turiqsë në BE-së për aq kohë sa Qiproja do të jetë e ndarë.

Prandaj të dyja palët duhet të lëvizin nga qëndrimet e tyre. Ajo sinjalizoi se në janar do të udhëtojë për në Qipro për të parë nga afër nëse Gjermania mund të luajë ndonjë rol ndërmjetësues. Merkel e theksoi qartë se "mbetet i hapur rezultati" i negociatave për anëtarësimin e Turqisë.

Autor: Hartmut Lüning (dapd, dpa, rtr) / Esat Ahmeti
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

  • Data 10.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PaRq
  • Data 10.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PaRq