1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Merkel: "Dështimi i Euros do të thotë dështim i Evropës"

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në deklaratën e saj qeveritare në Bundestag e quajti krizën monetare "provën më të vështirë të zjarrit për Evropën prej dekadash." Kancelarja tha se kriza është ekzistenciale

Kancelarja Angela Merkel (CDU) me 19.05.2010 në Bundestag në Berlin

Kancelarja Angela Merkel (CDU) me 19.05.2010 në Bundestag në Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në deklaratën e saj qeveritare për paketën e ndihmës prej miliarda Eurosh, këtë të mërkurë (19.05.), bëri thirrje për mbështetje. Merkel, kujtoi në krye të fjalës së saj miratimin me shumicë të madhe votash më pak se dy javë më parë nga Bundestagu Gjerman të masave të stabilizimit të Euros për Greqinë.

"Me paketën e miratuar më 7 maj ne bëmë të qartë si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht-juridikisht se ne e ndihmojmë Greqinë për të ndihmuar stabilitetin e monedhës sonë të përbashkët. Ne i mbrojmë paratë e qytetareve dhe qytetarëve të vendit tonë, as më shumë dhe as më pak, kjo është porosia për qeverinë federale dhe e institucionit të lartë këtu.

Kancelarja gjermane tërhoqi vëmendjen për situatën dramatike për monedhën e përbashkët evropiane, por jo vetëm për të. Qëndrimin ndaj Euros ajo e sheh si qendrim ndaj konceptit të një Evrope të përbashkët:"

Deklarata në parlament, kapërcimi i krizës së euros çeshtje ekzistenciale

Deklarata në parlament, kapërcimi i krizës së euros çeshtje ekzistenciale

"Kriza aktuale e euros është prova më e madhe, të cilën duhet ta përballojë Evropa që prej dekadash, me siguri që prej nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës në vitin 1957. Kjo provë konfirmimi është ekzistenciale dhe unë dëshiroj të shtoj: ajo duhet të përballohet me sukses."

"Bëhet fjalë për ruajtjen dhe konfirmimin e idesë evropiane"

Merkeli tha më tej se Euro ndodhet në rrezik. Dhe se bashkimi monetar ka një kuptim të thellë: ai është një bashkësi fati. Ndaj:

"Bëhet fjalë as më shumë dhe as më pak për një provë për ruajtjen dhe konfirmimin e idesë evropiane. Kjo, të nderuar zonja dhe zotërinj, është detyra jonë historike. Sepse nëse dështon Euro-ja, dështon Evropa. Eleminojeni këtë rrezik, dhe atëherë Euroja dhe Evropa do të jenë më të forta se kurrë më parë."

Në deklaratën e saj qeveritare para Bundestagut kancelarja gjermane mbrojti më tej edhe qendrimin e saj fillestar, të debatuar gjatë në diskutimet për të ndihmuar Greqinë: që ndihmën vendi i BE, Greqia, ta pranonte edhe nga një organizatë joevropiane, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar:

Lufta për euron

Lufta për euron

"Përmes inkuadrimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar garantohet që vendet, që paraqesin lutje për kredi, të zbatojnë edhe një program të efektshëm për rimëkëmbjen e ekonomive. Në këtë mënyrë ne kemi garancinë më të mirë se mbikqyrja e zbatimit do të jetë efektive. Dhe së dyti, ne ndihmojmë me kushtin, që vendosim vetë për çdo angazhim të mjeteve, kur bëhet fjalë për mjete bilaterale të shteteve."

Me këtë kancelarja kundërshtoi dhënien në mënyrë automatike të kredive evropiane. Në fjalën e saj ajo kërkoi më tej që sanksionet kundër shteteve, që nuk ulin deficitin buxhetor, të zbatohen më shpejt dhe të jenë më të ashpra.

"Është bindja ime e thellë që të gjitha shtetet anëtare duhet ta përshpejtojnë konsolidimin e buxheteve kombëtare. Vetëm atëherë do të kenë efekt përpjekjet për shpëtim."

Autor: Auron Dodi/ARD

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM