1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel: Aftësia konkurruese siguron mirëqënien

Në forumin ekonomik në Davos kancelarja Angela Merkel foli për aftësinë konkurruese të Europës. Kjo ishte edhe një përgjigje për qëndrimin euroskeptik të kryeministrit britanik Cameron.

Kancelarja Merkel në Davos

Kancelarja Merkel në Davos

Tri shifra përmendi kancelarja Angela Merkel në fjalimin e saj në forumin ekonomik në Davos : "Bashkimi Europian përbën shtatë përqind të popullsisë botërore, 25 përqind të prodhimit ekonomik global, por edhe 50 përqind të shpenzimeve globale sociale." Prandaj tha ajo: "Ne duhet të jemi inovativë, me qëllim që të ruajmë mirëqënien tonë edhe në të ardhmen." Kryesorja është aftësia konkurruese.

Prandaj nuk duhet të pushojmë së reformuari Europën. "Ne duhet të kryejmë sot reforma strukturore, në mënyrë që nesër të mund të jetojmë më mirë." Edhe pse borxhi i ri brenda BE është përgjysmuar që nga viti 2009, reformave u duhet kohë, për të shpalosur efektin e tyre.

"Të reduktojmë papunësinë e të rinjve!"

Deri sa reformat të bëjnë efektin e tyre, nevojiten në rast nevoje edhe masa kalimtare për të reduktuar papunësinë e të rinjve në shtetet evropiane në krizë, si Greqia, Portugalia dhe Spanja. Duhet patur kujdes, "që situata politike të mos përshkallëzohet e krijohet përsëri destabilizim." Ajo u bëri thirrje sipërmarrësve në mbarë botën, që të investojnë më shumë në Europë: "Kushdo që mund të japë kontributin e tij të vogël, për t'u hapur një perspektivë të rinjve, është i mirëseardhur", tha ajo, duke iu drejtuar shefave të koncerneve të mbledhur në Davos. "Ne gëzohemi për secilin, që i jep një të riu edhe një rreze shprese."

Për të siguruar mirëqënien është e nevojshme edhe që të rregullohen pjesërisht tregjet financiare. Këtu luan një rol të madh kontrolli i bankave jolegale. "Pas krizës së vitit 2008 arritëm në atë pikë, sa që të biem të gjithë dakord, për të marrë masa për këtë formë të rregullimit financiar. Por prej tij jemi me milje larg." Merkeli paralajmëroi, se një tjetër krizë financiare do të përbënte rrezik për ekzistencën e demokracisë.

Rregullimi i bankave të parregullta duhet të luajnë një rol kryesor në samitin e radhshëm të G20-ës në Rusi në shtator. Merkel porositi njëkohësisht edhe SHBA, që të vendosin rregulla më të forta për kapitalin bankar, për të ashtuquajturën "marrëveshja Basel III". "Sepse përndryshe do të kemi përsëri një rregull global, që nuk respektohet nga të gjithë."

Fjalët e Merkelit pro Europës ishin edhe një përgjigje ndaj kryeministrit britanik Cameron, pa u futur në hollësitë e fjalimit të tij. Cameron deklaroi të mërkurën, se në rast se do të rizgjidhet në vitin 2015 do të rinegiociojë përsëri anëtarësimin e vendit të tij në BE dhe për anëtarësinë do të lërë të votohet me referendum nga britanikët. Në Davos sot ai shtoi se vendi i tij nuk do të hyjë kurrë në eurozonë.

Nuk është fjala për t'i kthyer shpinën Evropës. "Eshtë pikërisht e kundërta", theksoi kryeministri. Fjala është që të sjellim "argumenta për një Evropë me aftësi më të madhe konkurruese, më të hapur dhe më fleksibël dhe të sigurojmë "vendin e Britanisë së Madhe në të". E gjithë Europa është tani e vjetëruar, përsa i përket inovacionit dhe aftësisë konkurruese.

Merkel: "Më shumë integrim"

Merkeli foli për të njëjtën temë. Ajo mbështet idenë e Evropës për më shumë integrim, për heqjen e barrierave. Dhe ajo mbron pikëpamjen, se Eurozona është parimisht e hapur për anëtarë të tjerë.

Takimi vjetor i forumit ekonomik botëror në Davos të Zvicrës është një nga pikëtakimet më të rëndësishme të politikanëve dhe menaxherëve të lartë si dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota. qëllimi i shpallur i forumit është "për të përmirësuar gjendjen e botës".

Autor: Ina Verbica (dpa, rtr)

Redaktoi: Auron Dodi