1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

“Mentalitet i kalçifikuar për procesin e integrimit në BE” & Platformë virtuale për nismat konkrete të Shqipërisë

Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri ka hapur një portal të posaçëm interneti, si një përpjekje për të nxitur agjendën e procesit të integrimit të vendit në BE.

Në Shqipëri ka një përdorim në shkallë të gjerë të rrjeteve sociale. Në bazë të të dhënave zyrtare janë rreth 1 milion përdorues të Facebook-ut. Këtë zhvendosje të qytetarëve në hapësirat virtuale e shfrytëzon dhe Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, duke hapur një portal informativ interneti, si një platformë virtuale për iniciativat konkrete që vijnë nga qytetarët, shoqëria civile, nga grupet e interesit, nga përfaqësuesit e politikës etj. Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Evropiane, Štefan Füle, duke asistuar vetë në inagurimin e portalit e etiketoi atë si një pikë kontakti për diskutim me të rinjtë, por jo vetëm ata.

Duke vlerësuar rolin dhe impaktin që kanë sot mediat sociale kjo nismë e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë është për pasqyrimin sa më të hollsishëm të projekteve dhe programeve angazhuese të Brukselit për Shqipërinë, por dhe si një hapësirë për diskutim të hapur, pyetje, kërksa, propozime e sugjerime, për më shumë informacion mbi tema, institucione dhe evente që lidhen me agjendën europiane.

Duke e kuptuar se vendi ndodhet në periudhë paraelektorale për votimet e 23 qershorit, Komisioneri Füle, tërhoqi vëmendjen për klasën politike që të mos e spostojë agjendën e integrimit europian. "Është e rëndësishme ta mbajmë Evropën në krye të agjendës bashkë me çështje të tjera me rëndësi dhe jo t'i largojmë këto çështje në kurriz të të tjerëve... Ky synim i rëndësishëm nuk duhet të bjerë viktimë e politikave të brendshme partiake. Konsensusi ndërpartiak dhe mbështetja e agjendës së BE-së është kyçi. Kështu ka ndodhur edhe në vendin tim dhe më së fundmi kjo ka qenë edhe eksperienca e Kroacisë, një vend që po bëhet gati të bashkohet me BE-në".

Komisioneri i BE-së, Stefan Füle, në konferencën e zhvilluar në Tiranë, 25.03.2013

Komisioneri i BE-së, Stefan Füle, në konferencën e zhvilluar në Tiranë, 25.03.2013

Politika është e interesuar për llogaritë elektorale

Analisti politik Skëndër Minxhozi, drejtor i revistës "Java" e vlerëson portalin e delegacionit të BE-së në Tiranë si një dritare komunikimi. Kjo nuk është dhe aq risi, pasi prej kohësh komisioneri Füle është shumë aktiv në komunikimin virtual me publikun shqiptar nëpërmjet rrjetit social Twitter, thotë Minzhozi për DW. "Mesazhet e tij janë të qarta, ashtu si dhe të përfaqësuesve të tjerë të Bruselit dhe të të dërguarve të tyre në Shqipëri. Por politika për fat të keq këto mesazhe i copton si mos më keq, merr ato kontekse të shkëputura që i vijnë për mbarë dhe bën sikur nuk i lexon ato që janë rekomandime, sugjerime ose kritika. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse shpërnqëndron vëmendjen nga problemet kryesore, minimizon sa të jetë e mundur vlerësimin e europianëve për Shqipërinë. Për vetë rrethanat aktuale kur jemi në ethet elektorale, procesi i integrimit europian duket se do të mbetet në ngrirje deri sa të kryen zgjedhjet. Unë i shikoj përpjekjet e Brukselit për të nxitur procesin e integrimit në këto momente pa ndonjë rezultat për fat të keq, pasi politika shqiptare më shumë është e interesuar për llogaritë e saj elektorale, sesa për të dhënë konsensus për këtë çështje madhore. Edhe për Brukselin kjo është e qartë mendoj."

"Më shumë vepra sesa fjalë e premtime"

Jolanda Trebicka, drejtore ekzekutive e "EuroPartners Development" nënvizon një mentalitet që është kalçifikuar në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sa herë që flitet për këtë temë do të dëgjosh të thuhet se kur do të na pranojë Europa, thotë Trebicka për DW. "Askush nuk i bën pyetjen vetes se a jemi ne të gatshëm për të hyrë në BE. Duke qenë se organizata ime është e fokusuar në aspektin e vlerësimit të ecurisë së reformave për integrimin europian, konstatojmë se nga viti në vit lihen detyra pa u përmbushur. Lër një këtë raund, lër një raundin pasardhës dhe nuk bëhet gjë tjetër veçse krijohet një ngërç nga objektiva të bartur. Në mënyrë të çuditshme pritmëria e palës shqiptare nga vendimarrja e Brukselit është e lartë, ndërkohë që realizimet konkrete janë minimale. Pra, ne duhet të kërkojmë më shumë nga vetja, që të kemi më shumë vepra, sesa fjalë e premtime.

Jolanda Trebicka, drejtore ekzekutive e EuroPartners Development

Jolanda Trebicka, drejtore ekzekutive e "EuroPartners Development"

Biznesi: politika nuk duhet të na pengojë

Luan Bregasi, president i shoqatës "Business Albania" mendon se në pikëpamjen e ecurisë në procesin e integrimit europian, biznesi shqiptar është disa hapa përpara politikës dhe grupeve të tjera të interesit. Faktet flasin vetë: 80 përqind e importeve dhe 60 përqind e eksporteve biznesi shqiptar i ka me vendet e BE-së, thotë Bregasi për DW-në. "Nga pikëpamja e rregullueshmërisë së tregut, nga pikëpamja e konkurrencës e standardeve të performancës, si dhe nga pikëpamja e mentalitetit biznesi është shumë më përpara se të tjerët. Nuk është gjithçka si në vaj, ka ende vend për përmirësime të standardeve dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, por askush nuk mund ta mohojë përmirësimin e dukshëm të performancës së biznesit shqiptar. Ta them shkurt, biznesi e ka 'prerë kostumin' e vet të integrimit, por nuk e vesh dot, sepse i mungon integrimi politik i vendit... për shkak të frymës konfliktuale të politikës, mentaliteteve të gabuara, të përjashtimit të një pale nga pala tjetër dhe anasjelltas, për shkak të xhelozisë, konkurrencës negative etj. Politika nuk duhet të na pengojë. Duhet ta themi që biznesi shqiptar ka paguar dhe paguan shumë kosto në ecjen e vet integruese me tregun europian, sepse legjislativi dhe politika nuk i kanë bërë si duhet 'detyrat' e veta përballë kërkesave të ekonomisë e grupeve të interesit. Specifikë është se biznesi nuk u rrit duke konkurruar brenda vendit, por më shumë u rrit në konkurrimin që ka bërë me tregun e huaj."

Bregasi mendon se kur vjen puna për reformat legjislative ekonomike nuk duhet gjykuar në frymë partizane, për nevoja të çastit nga grupimet politike. Kush është në qeveri a opozitë, sipas tij, "nuk duhet ta shohë biznesin vetëm si lopë për mjelje, por si një faktor në rritjen e mirëqënies së shoqërisë dhe konsolidimit të demokracisë".