1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mendime kontradiktore një vit pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Një konferencë rajonale që u zhvillua në Tiranë u ndal në bilancin e Shqipërisë dhe të Kroacisë që një vit më parë u pranuan në Aleancën Atlantike.

default

Përfaqësues të politikanëve të djathtë dhe opozites së majtë në Shqipëri kanë opinione krejt të kundërta lidhur ecurinë demokratike të vendit, një vit pas anëtarësimit të tij në NATO. Këto mendime u shprehën në këtë konferencë të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Divizioni i Diplomacisë Publike në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel dhe Fondacioni gjerman "Friedrich Ebert".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe Gazmend Oketa, ish-ministër i Mbrojtjes

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer dhe Gazmend Oketa, ish-ministër i Mbrojtjes

Për Gazmend Oketën, ish-ministër i Mbrojtjes para një viti kur Shqipëria u pranua në NATO, përveç reformimit të ushtrisë, sipas standardeve të Aleancës janë plotesuar edhe kriteret e tjera që lidhen me vlerat demokratike që mbron dhe promovon NATO-ja. "Vendet anëtare të NATO-s duhet të kenë një demokraci funksionale, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve, duhet të kenë një zbatim të lartë të ligjshmërisë. Kam bindje të fortë që gjatë një viti Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e këtyre standarteve." - tha ai.

Valentina Leskaj, përfaqësuese e opozitës dhe pjesëmarrëse në ceremoninë e anëtarësimit të Shqipërisë, vitin e kaluar në samitin e NATO-s në Strasburg, mendon ndryshe: "Sot, një vit pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria është në një klimë të tillë politike kur nuk është në gjendje të bëjë një dialog për të zgjidhur çështjet e brendshme. Nëse një vit para anëtarësimit politika shqiptare u ul në tryezën e bisedimeve për të arritur konsensusin për reformat, sot nuk po arrijmë të zgjidhim krizën politike as me ndërmjetësinë e faktorit ndërkombëtar."

Megjithatë për një çështje palët duket se nuk kanë qëndrime të ndryshme: kjo është pranimi se u kryen reforma të thella, pa të cilat anëtarësimi nuk do të kishte qënë i mundur. Këtë fakt vuri në dukje edhe Sekretari kroat i shtetit, për Çështjet e Integrimit Evropian, ambasadori Božinovic. Duke përgjithësuar përvojën e të dyja vendeve ai tha: "Pranimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO është një tregues i qartë se që të dyja vendet kanë bërë transformime të rëndësishme. Mbi këtë bazë Shqipëria dhe Kroacia do të bashkëpunojnë për të mbrojtur vlerat demokratike të Aleancës Atlantike, si një aleancë e besueshme dhe e qëndrueshme."

Çështjet e sigurisë rajonale

Mbrojtja dhe promovimi i vlerave demokratike të NATO-s shihet njëherazi si kontribut në rritjen e sigurisë rajonale dhe përshpejtimin e integrimit në BE. James Snyder, nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel mendon se: "Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë, para një viti, ka rritur në mënyrë kuptimplotë stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Të dyja vendet kanë kontribuar në realizimin e një arkitekture të re të sigurisë, në një rajon të paqëndrueshëm në të kaluarën. Nga ana tjetër anëtarësimi në NATO është një garanci për të përshpejtuar proceset e integrimit në BE. Në kuptimin e perspektivës euro-atlantike të rajonit, Shqipëria dhe Kroacia janë në krye të procesit."

Ballkani - një biznes i pambaruar i NATO-s në Europë

Përpjekja për ta realizuar këtë proces e bën Ballkanin një biznes ende të pambaruar të NATO-s në Europë, tha në këtë konferencë diplomati kroat Božinovic: "Ne vendet e rajoinit e kemi shumë të qartë nevojën për të qënë në vëmendje të axhendës së NATO-s. Politika e dyerve të hapura mbetet më e suksesshmja dhe një pjesë domethënese e vazhdimit të rëndësisë së kësaj organizate" tha ai.

Në konteksin e kësaj politike pjesëmarrësit në këtë konferencë diskutuan edhe çështjen e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova, tha se mosmarrveshjet mes Maqedonise dhe Greqisë për çështjen e emrit kanë gjasa të zgjidhen, përderisa çështja është ndërkombëtarizuar. Duke shprehur mendimn e tij për emrin në një vend multietnik, si Maqerdonia ai tha: "Zgjidhja më e mirë për emrin është "Republika e Maqedonisë së re". Maqedonia e re bën shkëputjen nga ajo që pretendon Greqia adhe në të njëjtën kohë përfshin edhe faktin që kjo Maqedoni ka edhe popuj të tjerë: shqiptarë, turq, serbë, arumunë etj."

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 01.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MkKn
  • Data 01.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MkKn