1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mendim: më pak diskriminim, më shumë arsim

Vdekja tragjike e Michael Brown është vetëm shembulli më i fundit, që SHBA janë larg një shoqërie postraciste. Zgjidhje të shpejta nuk ka, por dy hapa janë të domosdoshëm, mendon redaktori i DW, Michael Knigge.

Në vitet e shkuara, në SHBA janë bërë përparime shumë të mëdha në lidhje me barazinë racore. Pesëdhjet vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit të të Drejtave Civile (Civil Rights Act) janë më shumë afro-amerikanë që ndjekin shkollat e larta dhe universitetet, më pak jetojnë në varfëri, më shumë prej tyre janë pronarë shtëpish se ç'ishin në vitin 1964. Si shenjë të qartë të pjesëmarrjes politike mund të shihet që në zgjedhjet e fundit presidenciale, pjesëmarrja në zgjedhje e afro-amerikanëve ishte për herë të parë më e lartë se ajo e zgjedhësve të bardhë.

Këto statistika janë vetëm njëra anë e medaljes. Sondazhe të tjera tregojnë se barazia e vërtetë është më tepër objektiv i dëshiruar se sa realitet. Në kuotat e të ardhurave dhe të të papunëve, edhe më tej ekziston një hendek i madh midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, dhe një pjesë mbiproporcionale e afro-amerikanëve jeton në varfëri.

Veçanërisht për meshkujt afro-amerikanë barazia nuk është më shumë se premtim. Sipas një studimi të institutit kërkimor PEW në Uashington, të vitit 2013, numri i afro-amerikanëve të arrestuar në burgje sot është më i lartë se në vitin 1963. Afro-amerikanët meshkuj dënohen gjashtë herë më dendur me burgim se të bardhët.

Nëse do të vazhdojë kjo tendencë, një ndër tre afro-amerikanë të lindur në vitin 2001 do të përfundojë në jetën e tij njëherë në burg. Tek të bardhët do të ishin një ndër 17 vetë.

Jo rast i veçuar

Vetëm këtë muaj, sipas revistës "Mother Jones", në SHBA u vranë katër afro-amerikanë të paarmatosur - shkaqet e sakta janë të pasqaruara. Rastet ndodhin kudo në SHBA, nga New Yorku në Ohio deri në Kaliforni. Kjo nuk është dëshmi se këtu në çdo rast u veprua në mënyrë të padrejtë, por rastet të lënë të kuptosh se autoritetet amerikane të ndjekies penale veprojnë pjesërisht me ngut dhe ndikohen nga paragjykimet raciste.

Redaktori i DW, Michael Knigge

Redaktori i DW, Michael Knigge

Që të pohosh se këtu ka zgjidhje të shpejta për probleme të thella si racizmi dhe pabarazia, do të ishte një pohim i pasinqertë. Megjithatë, një gjë mund dhe duhet të ndryshohet shpejt: përbërja e të punësuarve në stacionet amerikane të policisë, të cilat janë shëmbëlltyrë e pabarazisë amerikane. Fergusoni, qyteti në Missouri, në të cilin u vra javën e kaluar Michael Brown, në 67 përqind të tij përbëhet nga afro-amerikanë. Por ndër policët gjenden 53 të bardhë dhe vetëm tre policë me ngjyrë tjetër.

Sipas revistës "New Republic", një hetim i ministrisë së drejtësisë nxorri në pah se në qytete si Fergusoni, me 21.000 banorë, rreth 88 përqind e punonjësve të policisë janë të bardhë. Në të gjithë vendin, mesatarja e policëve të bardhë është 75 përqind. Kjo është thjesht e padurueshme dhe duhet të ndryshojë.

Masa tjetër afatgjatë konsiston në rritjen dukshëm të shpenzimeve për arsimin për afro-amerikanët e rinj. Vetëm me arsimim më të mirë do të arrijnë të rinjtë t'i shpëtojnë fatit, që u parashikon statistika.

Të dyja këto masa nuk mund të garantojnë që raste si i Michael Brownit nuk do të përsëriten, por ato mund të përmirësojnë të paktën shanset, që një gjë e tillë të mos ndodhë herë pas here.