1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Melnyk: Minsk II ka nevojë për impulse të reja

Ambasadori ukrainas në Gjermani, Andrij Melnyk kërkon marrjen e masave urgjente për të shpëtuar Minsk II. Andrij Melnyk kërkon forcimin e OSBE-së në Ukrainë me personel dhe pajisje.

Ukrainischer Botschafter in Deutschland Andriy Melnik

Ambasadori ukrainas në Berlin, Andrij Melnyk

DLF: Java që përfundoi ishte e vështirë për Ukrainën. Separatistët morën Debalcevon, ndërsa presidenti Poroshenko është kritikuar për politikën e tij ushtarake. A i llogaritet Poroshenkos humbja e Debalcevos?

Melnyk: Humbja e Debalcevos është më shumë një dështim i procesit të paqes dhe jo dështim i presidentit ukrainas. Në të njëjtën kohë ajo është një shuplakë për ukrainasit, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, edhe për partnerët europianë që u përpoqën të arrinin marrëveshjen Minsk II. Ne duhet ta shohim Debalcevon si një shkelje të qartë nga ana e Rusisë të marrëveshjes Minsk II.

A ka ushtria ukrainase burime të mjafuteshme që t'u dalë ballë separatistëve që me sa duket kanë pas vetes mbështetje shumë të mirë?

Për fat të keq gjithnjë e më pak, gjithnjë e më pak. Kjo do të thotë ne jemi në gjendje të mbrohemi, por po ta krahasojmë me furnizimet që marrin çdo ditë separatistët nga Rusia, atëherë forcat tona janë shumë më të pakta. Prandaj drejtohen edhe apelet e tanishme tek bashkësia ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën edhe me armë. Kjo jo për t'i dërguar menjëherë në front, por duhet t'i kundërvihemi me diçka një Ukraine të dobët në mes të Europës, me një Rusi gjithnjë e më agresive.

Presidenti Poroshenko ka kërkuar që një trupë policore e BE-së me një mandat të OKB-së të jetë si një lloj rojeje e paqes në Ukrainë. Ky propozim nuk pritet me entuziazëm nga kryeqytetet europiane. Si mund ta mbështesë perëndimi Ukrainën, nëse jo me armë?

Ideja është e mirë, ne kështu besojmë, por vërtet si thoni ju reagimet pas kësaj qenë të rezervuara. Por nga ana tjetër ne besojmë se marrëveshja Minsk II ka nevojë urgjente për impulse të reja. E kemi parë këtë edhe me misionin e OSBE-së, -është mirë që e kemi dhe ata bëjnë një punë të mirë-, por aty nuk mjaftojnë as burimet njerëzore dhe as ato teknike. Këtë e pamë pak kohë më parë edhe në Debalcevo, kur vetë OSBE-së iu bllokua hyrja në një territor që nuk kontrollohet nga Ukraina, kjo kur mandati i OSBE-së është i pranuar si nga rusët ashtu edhe nga separatistët.

Kjo do të thotë që marrëveshja ka ngecur, prandaj kemi nevojë për ide të reja. Dhe ideja e misionit policor nuk është e re, me këtë kemi përvoja në vende të tjera, ku misionet policore bëjnë një punë të mirë. Nuk do të thoja ta hidhnim poshtë këtë ide menjëherë, por ta diskutojmë edhe pse në moment ka zëra kritikë. Kjo është diçka që mund të japë një impuls të ri për paqen në lindje.

Por nuk do të ishte më mirë që OSBE të marrë një mandat më të zgjeruar, se sa një mision policor?

Njëra nuk e përjashton tjetrën. Si e thamë, pa një mision të fortë të OSBE-së në terren, nuk mund të flasim për një gjë tjetër.

Zoti ambasador një vit pas gjakderdhjes në Maidan, si e shikoni Ukrainën tani?

Ukraina vazhdon të jetë e vendosur dhe e bashkuar, megjithë humbjet, megjithë aneksimin e Krimesë e gjendjen e vështirë në lindje. Atmosfera e përgjithshme në vend ndikohet jo vetëm nga lufta, por edhe nga gjendja e vështirë financiare. Nga ana tjetër fryma që lindi në Maidan është ende prezente. Kjo frymë vazhdon të ekzistojë në parlament, i cili ka një fytyrë të re, me aktivistë, të rinj, gazetarë janë tani deputetë, dhe mbajnë përgjegjësi për vendin. Pra një vit pas Maidanit mund të themi se Ukraina është ende e fortë për ta vazhduar frymën që lindi në shesh qoftë kundër agresorit nga linda, qoftë për vazhdimin e reofrmave në mënyrë të qëndrueshme dhe bindëse. Kjo është shpresa e mirë që nuk jemi të humbur.