1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Meier: Pranimi nga SHBA i marrëveshjes jo para vjeshtës

Andreas Gorzewski13 Korrik 2015

Megjithë mospërputhjet e reja eksperti i armatimit Oliver Meier mendon se bisedimet bërthamore në Vjenë janë në rrugën e duhur. Pas marrëveshjes zbatimi i traktatit do të jetë pengesa tjetër, thotë Meier për DW.

https://p.dw.com/p/1FxVL
Fotografi: Reuters/State Department/Handout

DW: Bisedimet bërthamore mes Iranit në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë në anën tjetër me sa duket janë të avancuara. Çfarë pikash fërkimi ka ende për mendimin tuaj nga ana e perëndimorëve?

Oliver Meier: Kjo është e vështirë të vlerësohet, sepse ruhet konfidencialiteti i bisedimeve. Eshtë një shenjë e mirë, që asnjëra palë deri tani nuk është përpjekur të diskutojë për çështje të caktuara në publik. Është e qartë se heqja e sanksioneve vazhdon të jetë temë shumë e rëndësishme. Këtu tani ka fituar peshë një temë anësore: sanksionet në fushën e importit dhe eksportit të armatimeve konvencionale. Tepër e vështirë me sa duket vazhdon të jetë çështja e lejimit të inspektorëve në objektet bërthamore të Iranit.

Ku ngecin bisedimet në anën iraniane?

Këtu fjala është kryesisht për heqjen e sanksioneve në sferën ekonomike. Kërkohen sa më shpejt vendime në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Bashkimin Evropian për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik. Përveç kësaj dëshirohet edhe heqja e menjëhershme e të gjitha sanksioneve për importin dhe eksportin e armëve konvencionale dhe raketave, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fushën bërthamore.

Një tjetër mosmarrëvëshje ka qenë niveli i lejueshëm për pasurimin e uraniumit, i cili për përdorim ushtarak do të duhet të jetë shumë më i lartë se për përdorim civil. A ka këtu një marrëveshje?

Çështja e kapaciteteve të pasurimit dhe mënyra se si veprohet me materialin e zbërthyeshëm ekzistues është sqaruar në një pjesë të madhe në fillim të prillit në Lozanë. Kjo marrëvëshje duket se nuk do të ndryshojë. E njëjta gjë vlen edhe për kalimin e plutoniumit te bomba, për reaktorin e ujit të rëndë në Arak, dhe heqjen dorë nga ndarja e plutoniumit nga shufra me elementë radioaktivë të ezauruar. Irani është i gatshëm të heqë dorë prej tyre përgjithmonë. Shumë nga çështjet kyçe, për të cilat disa muaj më parë dukej se ishte e vështirë të arrihej marrëveshje, janë zgjidhur tani qartë. Qëllimi është të arrihet një dokument përfundimtar dhe pesë anekse të hollësishme, të cilat tashmë janë negociuar në një masë të madhe. Por hapi i fundit për të pranuar këtë paketë është zakonisht shumë i vështirë. Mund të shpresojmë që kjo të ndodhë në ditët e ardhshme.

Si qëndron puna me afatet e marrëveshjes?

Oliver Meier, ekspert për kontrollin e armatimit
Oliver Meier, ekspert për kontrollin e armatimitFotografi: SWP

Në marrëveshjen kornizë të fillimit të prillit është përshkruar në detaje, se cilat aspekte të programit bërthamor iranian janë të kufizuara dhe për sa kohë do të ketë mundësi për t'i kontrolluar. Marrëveshja në parim parashikon që kufizimi i pjesëve kryesore të programit të pasurimit dhe kompetencat për kontrollin e tij të zgjasin të paktën 10-15 vjet. Elementet e tjera janë të vlefshme deri në 25 vjet. Në bazë të marrëveshjes së mospërhapjes së armëve bërthamore Irani në bazë të ligjit ndërkombëtar është i detyruar që të mos zhvillojë më armë bërthamore. Sigurisht që monitorimi do të vazhdojë edhe pas skadimit të afatit. Irani i ka pranuar përgjithmonë disa kufizime, si heqjen dorë nga ripërpunimi i plutoniumit. Ky është një element i rëndësishëm në ndërtimin e besimit.

Mund të jetë politika e brendshme në Shtetet e Bashkuara dhe Iranit një tjetër pëngesë përtej tryezës së bisedimeve - pra në zbatimin e marrëveshjes?

Konfliktet e brendshme si në Uashington ashtu edhe në Teheran mund të ashpërsohen në momentin, kur ekziston një dokument i tillë. Ndoshta në vjeshtë do të dimë se si do të përfundojnë këto debate. Por edhe atëherë do të ketë mundësi të ndryshme, për të penguar implementimin e saj. Prandaj është e rëndësishme që me një marrëveshje të tillë të krijohet një mekanizëm i fuqishëm konsultimi, që u mundëson palëve për të diskutuar dhe për të shmangur vështirësitë e zbatimit, prej të cilave do të ketë shumë.

Çfarë ndodh në palën amerikane në rast se arrihet marrëveshja?

Diskutimet mbi miratimin e një marrëveshje do të zgjasin deri në vjeshtë, pasi Kongresi Amerikan në rast të një marrëveshjeje ka 60 ditë për të diskutuar lidhur me të. Aktualisht duket se kongresi nuk do të miratojë fillimisht një marrëveshje të tillë. Pastaj presidenti do të ketë dymbëdhjetë ditë kohë për të vënë veton për të zbatuar marrëveshjen. Pas kësaj Kongresit i mbeten përsëri dhjetë ditë kohë, që të anulojë veton me shumicën e dy të tretave. Nëse do të arrihet shumica e dy të tretave, një marrëveshje e tillë në Uashington do të ishte e vdekur.

Oliver Meier është zëvendësshef i grupit kërkimor për politikat e sigurisë në institutin gjerman Shkenca dhe Politika në Berlin. Ai është i specializuar në problemet e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Bisedën e zhvilloi Andreas Gorzewski.