1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Megjithë pakësimin e vëmendjes Evropa mbetet e rëndësishme për SHBA

Dy vjet pas vizitës së parë në Evropë të presidentit Obama, marrëdhëniet transatlantike mbeten të forta, deklaron Joseph Nye në një intervistë me DW.

Joseph Nye, njëri nga mendimtarët më me ndikim në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Joseph Nye, njëri nga mendimtarët më me ndikim në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Joseph Nye është njëri nga mendimtarët më me ndikim në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Aktualisht ai jep mësim si Distinguished Service Professor në Universitetin e Harvardit, ku më parë ai ishte dekan i Kennedy School. Nye konsiderohet si themelues i teorisë së fuqisë së butë dhe të mençur. Prej vitit 1994 deri më 1995 ai ishte sekretar shteti për Mbrojtjen nën presidentin Bill Clinton. Nye ka hartuar shumë libra. Vepra e tij e fundit, "E ardhmja e pushtetit" u botua në fillim të vitit.


DW-World: Gati dy vjet pas vizitës së tij të parë në Evropë si president, në maj të vitit 2009, presidenti Obama do të vizitojë Poloninë, Britaninë e Madhe, Irlandën dhe Francën. Si janë zhvilluar marrëdhëniet transatlantike në dy vitet e periudhës në post të Obamas?

Nye: Për mendimin tim marrëdhëniet kanë mbetur të forta. Eshtë e vërtetë që SHBA, po të shohësh se kush e përfiton vëmendjen më të madhe, janë shpërqendruar fort nga Lindja e Afërt dhe Azia. Por po të pyesësh se kush është më e afërt me ne, në lidhje me miqësinë, investimet dhe interesat e thella, atëherë ajo që mbetet është edhe më tej Evropa.

DW-World: Ju jeni prej kohësh një anëtar i elitës së politikës së jashtme të SHBA. Si vështrohet tani Evropa në Uashingtonin politik dhe si ka ndryshuar mënyra e vështrimit ndaj Evropës në vitet e fundit?


Nye: Unë besoj se Evropa merr më pak vëmendje, por në disa aspekte kjo mund të jetë edhe një gjë e mirë në një situatë të përgjithshme të pakënaqshme. Kutia e postës së Hillary Clintonit është plot me gjëra, që kanë të bëjnë me Lindjen e Afërt. Por jo sepse neve na duket kaq e mrekullueshme Lindja e Afërt, por sepse atje ka probleme. Në këtë kuadër, para 10 ose madje 5 vjetësh ka pasur më shumë vëmendje të elitës së politikës së jashtme për Evropën. Tani ka më pak vëmendje, por kjo nuk do të thotë se Evropa është më pak e rëndësishme. Do të thotë se Evropa është më pak urgjente.

DW-World: Një ankesë e vazhdueshme e çdo qeverie të SHBA është që në politikën e jashtme Evropa nuk flet me një zë dhe se prandaj nuk e shfrytëzon peshën e saj politike përveç se në interesat ekonomike. Nga pikëpamja amerikane, a ka ndryshuar gjë ndryshimet në sektorin e politikës së jashtme të BE, apo Libia është dëshmia e re, se BE është një gjigant ekonomik, por një xhuxh politik?


Nye: Për mendimin tim, shërbimi i ri diplomatik i jashtëm për Evropën vazhdon të jetë i preokupuar me ngritjen e tij. Prandaj unë nuk besoj se anëtarët e qeverisë së SHBA do të thonin se kanë vërejtur një ndryshim të madh. Por unë besoj se ata e çmojnë që Britania e Madhe dhe Franca dhe të tjerë morën në dorë drejtimin në lidhje me angazhimin në Libi. Ndoshta nuk kishim të bënim me një angazhim zyrtar të BE, por ishte një angazhim i evropianëve. Dhe unë besoj se kjo u vlerësua shumë.

DW-World: Mbështetësit e miqësisë atlantike në SHBA dhe në Evropë shprehin rregullisht keqardhjen, që marrëdhëniet amerikano-evropiane nuk janë më kaq të ngushta dhe stabile sa përpara dhe që të dy partnerët e hedhin vështrimin e tyre më tepër drejt partneriteteve me Azinë. A kanë të drejtë ata dhe a është ky një rrezik për të ardhmen?

Nye: Po edhe jo. Në librin tim të ri "E ardhmja e pushtetit" unë paraqes se aktualisht në botë po ndodhin dy ndryshime boshtesh. Njëri është ai i ekonomisë nga Perëndimi në Lindje. Tjetri është një ndryshim larg të gjitha qeverive në Perëndim ose Lindje drejt aktorëve të pavarur nga qeveritë. Si pjesë e ndryshimit të parë, lëvizjes nga Perëndimi në Lindje është e natyrshme për evropianët dhe amerikanët që t'u kushtojnë më tepër vëmendje tregjeve aziatike. Por në ndryshimin e dytë, i cili ka të bëjë me aksionet transatlantike- pra gjithçka, prej rrugëve financiare, tek terrorizmi dhe deri tek ndryshimi i klimës- SHBA dhe Evropa duhet të bashkëpunojnë. Eshtë gjithashtu e rëndësishme që të tërhiqet vëmendja në faktin që nëse Evropa vepron e bashkuar, siç bën për shembull në fushën ekonomike, ekonomia e Evropës është më e madhe se ajo e SHBA dhe natyrisht edhe Kinës.


Autor: Michael Knigge/ aud

Redaktoi: Eliana Xhani