1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Megjithë humbjen himne lëvdatash për ekipin gjerman

S'ishte e thënë! Edhe pse në gjysmëfinale fitoi ekipi më i mirë, Spanja futbolli gjerman në këtë kampionat ishte më i mirë se kurrë. Ky është jo vetëm opinioni i gazetave gjermane, por edhe medieve në vende të tjera.

Dhimbje kolektive pas ndeshjes me Spanjën

Dhimbje kolektive pas ndeshjes me Spanjën

Rrallëherë shtypi ndërkombëtar ka qenë aq unik në gjykimin e tij sa në javët e fundit: loja e ekipit kombëtar gjerman të futbollit ngjalli entuziazëm tek shumë komentues në të përditshmet evropiane. Qysh pas fitores 4:1 me Britaninë e Madhe shtypi ndërkombëtar e përgëzoi kombëtaren gjermane. Dhe pas fitores 4:0 me Argjentinën e shpalli njëmbëdhjetëshen e trainerit Löw ekipin më të mirë gjerman të të gjitha kohërave.

"Gjermania në ethet e kampionatit botëror. Ky ekip gjerman ka premisa për t'u bërë kampion bote", shkruante gazeta austriake Kurier para humbjes me Spanjën. Edhe shtypi italian pas një kohe të shkurtër e kapërceu dhimbjen për kthimin e parakohshëm në shtëpi të kombëtares italiane dhe i gëzohej lojës së gjermanëve. "Gjermania, kjo është zbavitje", lëvdonte Corriere dello Sport. Në Spanjë El Mundo Deportivo brohoriste valën "gjermane të rinisë dhe të golave". Dhe gazeta daneze Ekstra Bladet shtonte "Deri tani marka gjermane ishte aftësia për sukses pa bukuri. Çfarë do të ndodhë tani, kur është kënaqësi t'i shohësh gjermanët?"

David Villa, Carles Puyol etj festojnë fitoren

David Villa, Carles Puyol etj festojnë fitoren

Dhe vërtet ishte kënaqësi e madhe të shihje ndeshjet e ekipit kombëtar gjerman. Pasi lojtarët e rinj të traninerit Löw ngjallën emocione të veçanta qysh në fillim të kampionatit. Recetën e suksesit të njëmbëdhjetëshes gjermane International Herald Tribune e shpjegonte kështu: "Pa dyshim ekipi gjerman bën sërish pjesë në grupin e kalibrave botërorë të futbollit, i mbushur me energji rinore dhe i bekuar me talente nga bijtë e imigrantëve. Kur sheh si rrëshqet Mesut Özil, ose se me çfarë lehtësie zëvendëson kapitenin e lënduar Ballack lojtari Sami Khedira, nuk mund të flitet më për Gjermaninë si një makineri futbolli. Lëvizjet janë më të shpejta dhe plot ekspresion në krahasim me ekipet e mëparshme."

Loja e ekipit gjerman është më e shpejtë dhe plot ekspresion

Loja e ekipit gjerman është më e shpejtë dhe plot ekspresion

Për gazetën spanjolle El Pais mënyra e lojës gjermane ka ndryshuar në tërësi: "Gjermania nuk është më një kamion Mercedes, që shtyp kundërshtarin, por është shndërruar në një lloj Rolls Royce. Vendin e frikësimit të kundërshtarit e ka zënë joshja." Dhe më tej: "Ekipi është i hareshëm, me shije të hollë dhe një lojë shumë moderne, e megjithatë vazhdon të jetë gjerman. Virtutet e tij nuk kanë ndryshuar: lojtarët luftojnë dhe punojnë deri në fund. Edhe ky ekip e ka këtë karakter. Forca e gjermanëve është karakteri i tyre."

Gjermania nuk arriti të kualifikohej për finalen e Botërorit 2010, por Der Tagesanzeiger nga Zvicra mendon: "Të paktën titullin 'kampion i zemrave' të cilin e kishin dorëzuar para kohe katër vjet më parë, gjermanët e kanë të sigurtë."

Autor: Sonila Harasani / Eliana Xhani
Redaktor: Aida Cama

  • Data 08.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ODqm
  • Data 08.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ODqm