1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithë pjesëmarrjen e ulët zgjedhjet cilësohen legjitime

Bekim Shehu/ aca18 Nëntor 2007

Në Kosovë përfunduan me sukses zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Në to nuk u shënuan incidente dhe parregullsi serioze. Mangësitë kryesore ishin pjesëmarrja e ulët në to dhe bojkotimi pothuaj krejtësisht prej serbëve.

https://p.dw.com/p/CIXp
Hashim Thaçi me gruan Lumnije, duke dhënë votën
Hashim Thaçi me gruan Lumnije, duke dhënë votënFotografi: AP

Procesi zgjedhor në Kosovë u cilësua i sukseshëm, nuk u shënuan parregullsi dhe incidente. Mirëpo pjesëmarrja e votuesve nuk ishte e kënaqshme. Nga të dhënat paraprake të KQZ-ve, njoftohet se pjesëmarrja në votime ishte afro 45 përqind. Në këtë shifër nuk janë përfshirë votat me kusht dhe votat e dhëna nga jashtë Kosovës, numërimi i të cilave po vazhdon.

Qendra e votimit në shkollën "Faik Konica"
Zgjedhje në Prishtinë - Qendra e votimit në shkollën "Faik Konica"Fotografi: Zulfija Jakupi

Rezultate priten gjatë ditës

Rezultatet paraprake të fituesve të zgjedhjeve pritet të jepen gjatë ditën nga KQZ-të, ndërkohë që gjatë gjithë natës partitë politike, secila në mënyrën e vet, manipulonin me rezultatet. Një rrjet i organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim", që vëzhgoi zgjedhjet, pas mesnate shpalli rezultatet paraprake, të cilat natyrisht nuk janë zyrtare. Sipas "Demkracisë në veprim", PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaqi, prin në nivel të Kosovës. Atë e pason LDK-ja. Partia e tretë radhitet AKR- e pasuar nga LDD dhe AAK-së. Nëse ky do të jetë edhe rezultati real i zgjedhjeve, atëherë befasia është e njëjtë me zgjedhjet e shkuara, rënia shumë e madhe e LDK-së, një ngritje e vogël e PDK-së dhe rënditja si partia e tretë në Kosovë e AKR-së, e udhëhequr nga biznesmeni kosovar, Behxhet Pacolli. Hashim Thaçi, një orë pas mesnate ju drejtua simpatizantëve duke shpallur fitoren e partisë së tij, rezultate këto që u kundërshtuan nga LDK-ja.

Në qendrën e votimit, Prishtinë 17 nëntor
Në qendrën e votimit, Prishtinë 17 nëntorFotografi: Zulfija Jakupi

Organizatorët të kënaqur me mbarëvajtjen

Sidoqoftë, organizatorët e zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe krerët e administratës ndërkombëtare janë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mirëpo u pa qartë nga deklarimet e tyre se nuk janë të kënaqur me pjesëmarrjen në votime. Shkaku kryesor sipas tyre, ishin kushtet e këqija atmosferike, moti i ftohtë me borë e shi që mbretëroi gjatë gjithë ditës së 17 nëntorit. Megjithë pjsemarrjen e ulët në votime, zgjedhjet cilësohen legjitime.

Pjesëmarrja e serbëve nën 1 përqind

Shumë dëshpëruese për organizatorët e zgjedhjeve ishte pjesëmarrja shumë shumë e ulët në zgjedhje e pjesëtarëve të komunitetit serb. Nëse flitet me shifra në nivel të Kosovës llogaritet se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte nën një përqind. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, tha se bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve të Kosovës ishte pasojë e thirrjeve të autoriteteve të Beogradit, të cilat kërkuan nga serbët e Kosovës që mos të dalin në zgjedhje. Pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës, penguan madje procesin zgjedhor duke kundërshtuar që në objektet publike të hapen qendrat e votimit. Organizatorët e zgjedhjeve angazhuan qendra lëvizëse të votimit, mirëpo as kjo formë nuk pati sukses.

Kalimtarë duke ecur. Në sfond pllakata zgjedhjesh Prishtinë, nëntor 2007
Kalimtarë duke ecur. Në sfond pllakata zgjedhjesh Prishtinë, nëntor 2007Fotografi: picture-alliance/ dpa

Zgjedhjet të qeta dhe demokratike

Zgjedhjet u mbikqyrën nga mijëra vëzhgues vendor dhe ndërkombëtarë. 150 vëzhgues ishin nga Këshilli i Evropës dhe sipas tyre, zgjedhjet në Kosovë janë cilësuar të jenë zhvilluar në një atmosferë të qetë, demokratike dhe pa probleme. Rikujtojmë se në zgjedhjet e 17 nëntorit garuan 97 subjekte politike. U votua për deputetët për parlamentin e Kosovës, për asambletë komunale dhe drejpërdrejtë për kryetarët e komunave. Më herët këto zgjedhje u vlerësuan se mund të ishin të komplikuara, për shkak se duhej të votohej në tri fletëvotime mirëpo, nuk doli që ky vlerësim të ishte i saktë, sepse sipas organizatorëve të zgjedhjeve procesi i votimit u zhvillua normalisht dhe pa vonesa.