1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Megalomania gjeopolitike" e Turqisë - një rrezik?

Fitorja e Erdoganit në zgjedhjet e korrikut 2011 e ka bërë më të fortë se kurrë kryeministrin turk dhe qeverinë e tij. Pushteti dhe ambiciet e Erdoganit po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.

Tayyip Erdogandhe gjenerali Necdet Ozel

Tayyip Erdogandhe gjenerali Necdet Ozel

Kryeministri turk Rexhep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij demokratike konservatore me rrënjë islamiste janë më të forta se kurrë më parë. Mbas një lufte prej disa dekadash Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, me fitoren e saj bindëse në zgjedhjet e muajit të kaluar e konsolidoi pozitën ndaj ushtrisë turke, që njihet për kursin e rreptë laik. Javën e kaluar Erdogani emëroi një staf të ri udhëheqës për forcat e armatosura, mbasi më parë krerët e ushtrisë, të forcave ajrore e detare, patën dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për arrestimin e mbi 250 ushtarakëve në shërbim dhe në pension me akuzën për puç.

Emërimi i kreut të ri nga ana e Erdoganit, çka shihet si forcim i kontrollit civil ndaj ushtrisë, ishte një zhvillim historik për vendin ku forcat e armatosura që nga 1960a kanë rrëzuar katër qeveri. Ndërsa AKP-ja vazhdon të fitojë pikë me demokratizimin e mëtejshëm, prej zhvillimeve më të fundit lind edhe pyetja për të ardhmen e ndarjes së pushtetit në Turqi, vendin e vetëm me shumicë myslimane dhe me një demokraci funksionale e sistem laik.

Takim i ministrave të jashtëm të vendeve islamike në Turqi

Takim i ministrave të jashtëm të vendeve islamike në Turqi


Çfarë mund të bëjë tani Erdogani?

Një Erdogan me pushtet dhe vetëdije në rritje pritet t'i japë formë Turqisë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Por cili është vizioni i tij? Mos vallë do të bëhet edhe Turqia një shtet i drejtuar nga një person autoritar, ngjashëm me Rusinë? Mos do të shndërrohet ajo në një shtet jodemokratik e teokratik? Si do të reagojë ndaj kësaj ushtria dikur e plotfuqishme?

Nejat Eslen, konsulent dhe ish-gjeneral brigade në pension, thotë se loja nuk ka përfunduar ende dhe se lufta për pushtet ndërmjet ushtrisë laike dhe islamit politik do të vazhdojë. Por ai shton se ushtria turke do ta pranojë procesin e demokratizimit dhe do të qëndrojë e tërhequr nga politika e përditshme. Ai pret që opozita dhe institucionet demokratike të marrin një përgjegjësi më të madhe për ruajtjen e karakterit demokratik dhe laik të shtetit.

Sipas Eslenit, zhvillimet që sollën konsolidimin e pushtetit të AKP-së dhe dobësimin e rolit të ushtrisë nuk janë vetëm meritë e karizmës personale dhe mjeshtërisë së Erdoganit si politikan. Shkak për to janë edhe shndërrimet gjeopolitike dhe dinamikat transatlantike, të cilat kanë bërë që pozita, funksioni dhe identiteti i Forcave Ushtarake Turke të jenë të tjera.


Vlera e re gjeostrategjike e Turqisë

«Gjatë Luftës së Ftohtë Perëndimi dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesnin me plot fuqi një shtet kombëtar laik dhe një ushtri të fortë kundër ekspansionizmit të atëhershëm sovjetik», thotë Eslen. Por gjatë viteve më të fundit interesat e SHBA-ve dhe Botës Perëndimore në këtë rajon kanë ndryshuar dukshëm. Boshti gjeopolitik i Turqisë është zhvendosur kah Lindja e Mesme dhe kah vendet myslimane.

«Kjo na parqet një Turqi të re, që zakonisht merret si shembull i islamit të moderuar, një model demokracie për vendet e tjera në Lindjen e Mesme. Që kur Turqia dhe identiteti i saj politik janë transformuar në një model të tillë, Forcat Ushtarake Turke dhe pozita, funksioni dhe identiteti i tyre, janë vënë në shënjestër. Raste të shumta gjyqesh kundër funksionarëve ushtarakë janë duke u bërë një instrument politik për këtë qëllim.

Grupi G-20

Grupi G-20

Sipas Eslenit, ndërsa domethënia e Turqisë, si fuqi e butë në Lindjen e Mesme, për Perëndimin ka rëndësi jetike, përpjekjet e Erdoganit dhe AKP-së për t'i krijuar Turqisë «një orbitë të vetën gjeostrategjike në Lindjen e Mesme» po bëhen shkak për shqetësime.

«Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të pakënaqura me këtë zhvendosje të boshtit gjeopolitik të Turqisë, për sa kohë që qeveria turke e vazhdon angazhimin e saj në marrëdhëniet transatlantike. Në këtë drejtim unë nuk shoh ndonjë konflikt të vazhdueshëm ndërmjet SHBA-ve dhe politikës së jashtme të qeverisë së AKP-së», thotë Eslen.

«Ka disa raste, siç është politika ndaj Sirisë ose Iranit, ku qeveria e Erdoganit e ka shumë të vështirë të ushtrojë kompetencat e saj transatlantike. Disa elemente të çuditshme të politikës së jashtme, të ashtuquajturat pikëpamje neo-otomaniste dhe nismat gjeopolitike të ministrit të jashtëm, Ahmet Davutoğlu, në një të ardhme të afërt mund të bëhen shkak tensionesh ndërmjet Turqisë dhe Perëndimit.

«Atëherë kur dhe nëse këto ide do të bashkohen me vetëbesimin në rritje të qeverisë, ndoshta mund të shohim ndonjë problem real. Në Turqi ne tashmë jemi duke marrë disa sinjale të asaj që unë e quaj megalomani gjeopolitike. Gjithmonë e më shumë po flitet për një Turqi si aktor global, për nevojën e nismave të reja e kështu me radhë. Këto janë jorealiste dhe ky trend mund ta vërë Turqinë në rrezik.»

Një burrë, një parti

Me rritjen e pushtetit të Erdoganit dhe partisë së tij disa analistë kanë frikë se mund të ndodhë një ndryshim i pakthyeshëm në qeverisjen e Turqisë. Sedat Bozkurt, shefi i studios së FOX-TV në Ankara dhe një nga ekspertët kryesorë për lëvizjet djathtiste dhe islamiste në Turqi, thotë se një frikë e tillë është e ekzagjeruar.


«AKP-ja ka elemente islamiste, por ajo është në radhë të parë një parti e qendrës së djathtë. Turqia nuk do të kthehet kurrë në një shtet si tipi i Iranit a Egjiptit», thotë Bozkurt. «Por ajo po shndërrohet në një vend gjithnjë e më konservator e me ngjyra myslimane dhe ka mundësi që prej kësaj të dalë një model më autentik.»

Sipas Bozkurtit, reformat e AKP-së gjatë nëntë vjetëve më të fundit e kanë kufizuar dukshëm rolin politik të ushtrisë laiciste dhe administratës juridike dhe e kanë zgjeruar qeverinë civile. Por ai shton se kjo nuk ka sjellë më shumë demokraci dhe të drejta.

Gjenerali Necdet Özel, komandanti i forcave të armatosura dhe Recep Tayyip Erdogan

Gjenerali Necdet Özel, komandanti i forcave të armatosura dhe Recep Tayyip Erdogan


«Erdogani nuk është i gatshëm ta ndajë pushtetin. Ai do të ketë pushtet absolut dhe ta ushtrojë atë vetë. Sot, falë mbështetjes së 50 përqind të elektoratit, ai është burri më i fortë në partinë dhe vendin e tij. Nuk ka asnjë person tjetër që ta sfidojë atë», thotë Bozkurt.

«Ka disa që po diskutojnë skenarë dhe po shqetësohen që muajt e ardhshëm mund të ketë një qeverisje njëpartiake ose një sistem që qeveriset nga një njeri i vetëm. Por ç'është e vërteta, kjo që po përjetojmë ne tani në Turqi është faktikisht e njëjta gjë: një sistem njëpartiak i udhëhequr nga një person.

Author: Ayhan Simsek/ Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama