1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mediet: amerikanët organizuan nga Gjermania operacione të fshehta

Tortura, rrëmbime, operacione të sulmeve me avionë pa pilotë - sipas NDR dhe gazetës "Süddeutsche Zeitung", SHBA komandon luftën e saj kundër terrorit nga Gjermania.

Sipas hulumtimeve të përbashkëta të radios gjermane NDR dhe gazetës "Süddeutsche Zeitung", Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë organizuar rrëmbime dhe tortura nga Gjermania në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Forcat amerikane të sigurisë dyshohet të kenë arrestuar persona të dyshuar në aeroportet gjermane, raportuan mediet në Hamburg.

Agjentët kanë marrë në pyetje për SHBA-të azilkërkues dhe kanë mbledhur informacione që mund të kenë luajtur një rol në përcaktimin e objektivave të sulmeve për avionët pa pilotë. Ndërtimi i burgjeve sekrete të torturës i është ngarkuar një baze të CIA-s në Frankfurt mbi Majn. Mediet nuk raportojnë se kur ka ndodhur kjo saktësisht.

Pamje simbolike - avion pa pilot MQ-9

Pamje simbolike - avion pa pilot MQ-9

Sipas pikëpamjeve të gazetarit John Goetz nga revista televizive "Panorama" e kanalit të parë televiziv gjerman ARD, rezultatet janë bazuar në intervistat me informuesit nga SHBA dhe hulumtimet në bazat e të dhënave amerikane. "Pjesëtarët e sigurimit amerikan në pension janë shumë llafazanë," tha Goetz. Ai kishte shoqëruar kohët e fundit edhe deputetin e Bundestagut gjerman (Partia e Gjelbërt), Hans-Kristian Stroebele në takimin me Edward Snoëden.

Goetz: Vendimi se ku dhe kur do të sulmohet mirret në Shtutgart

Sipas rezultateve të hetimeve të përbashkëta të medieve që mbajnë titullin "Lufta e fshehtë", një firmë e shërbimit të fshehtë amerikan që punon për "Agjensinë Kombëtare të Sigurimit (NSA)" dhe planifikonte fluturime për rrëmbimet e CIA-s, ka pranuar deri sot porosi milionëshe nga qeveria federale gjermane. Christoph Heinzle nga programi i radios NDR info sqaroi gjithashtu se gazetarët kanë zbuluar edhe lidhje në mes të ushtrisë amerikane dhe universiteteve gjermane. Por ai nuk deshi të përmend emra konkretë.

Qysh në fund të muajit maj, radio NDR dhe gazeta Süddeutsche Zeitung raportuan se SHBA-të janë duke komanduar sulmet e tyre ndërkombëtare të diskutueshme me avionë pa pilotë nga bazat ushtarake në Gjermani. Përmes operacioneve të drejtuara nga Shtuttgarti dhe Ramstein-i avionët amerikanë vrasin terroristët e dyshuar dhe civilët në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, theksojnë reporterët. "Vendimi se ku dhe kur do të sulmohet mirret në Shtutgart," tha Goetz.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Presidenti amerikan Barak Obama kishte premtuar në qershor se Gjermania nuk do të përdoret si një pikënisje për sulme amerikane me avionë pa pilotë në Afrikë.SHBA-të, që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, zhvillojnë luftën e tyre kundër terrorizmit në vende si Pakistani, Afganistan, Jemeni dhe Somalia me ndihmën e avionëve luftarak pa pilotë.