1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mediat: SHBA mendojnë të transportojnë armë të rënda në Evropën Lindore

Ministria e Mbrojtjes e SHBA, sipas një gazete po shqyrton mundësinë e vendosjes së pajisjeve ushtarake për mijëra ushtarë në vendet evropianolindore dhe baltike. Po këto plane me sa duket kanë edhe kundërshtarë në NATO.

Pentagoni po punon, sipas informacioneve të "New York Times", për një plan, sipas të cilit do të zhvendosen në Evropën Lindore armë të rënda për deri 5000 ushtarë amerikanë. Këtu bëjnë pjesë tanke luftarakë dhe automjete për këmbësorinë. Synimi është që Rusia të sprapset nga një agresion i mundshëm, thuhet në një raport që u referohet nëpunësve të SHBA dhe qarqeve të NATO-s.

Gazeta tërheq megjithatë vëmendjen se bëhet fjalë për një propozim, i cili ende nuk e ka marrë miratimin nga Ministri i Mbrojtjes, Ashton Carter dhe Shtëpia e Bardhë. Ka pengesa politike, meqenëse kjo masë e menduar ka shkaktuar shqetësime tek disa aleatë të NATO-s përsa i përket reagimit të Rusisë ndaj një hapi të tillë. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA tha se deri tani nuk është marrë asnjë vendim për këtë.

Para një ndryshimi paradigmash?

Sipas të dhënave të gazetës, do të ishte hera e parë që prej fundit të Luftës së Ftohtë, që SHBA do të staciononin armë të rënda dhe automjete të këmbësorisë në shtetet më të reja të NATO-s, të cilat më parë kanë qenë pjesë e Traktatit të Varshavës.

Shkaku për planet e reja janë agresioni rus në Krime dhe në Ukrainën Lindore, ku luftimet janë shkallëzuar sërish. Sipas gjendjes së deritashme të propozimit, armët mendohet të stacionohen në tri shtetet baltike Estoni, Letoni dhe Lituani si dhe në Poloni, Rumani, Bullgari dhe ndoshta në Hungari.

Rusia i vëzhgon me shumë vëmendje aktivitetet e SHBA në Evropë. Kështu Moska paralajmëroi jo më larg se e enjtja ((11.06) që të mos stacionohen raketa me rreze të shkurtër dhe me rreze të mesme veprimi në Evropë. Me këtë hap Uashingtoni do të "shkatërronte" marrëveshjet për sistemet bërthamore me rreze të mesme veprimi (INF) të vitit 1987 dhe do të ishte përgjegjës për pasojat, deklaroi Ministria ruse e Punëve të Jashtme. Me këtë Uashingtoni reagoi ndaj ideve të Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, që si reagim ndaj një testi të mundshëm raketor të Rusisë të vendosë raketa në Evropë.

Frikësim ndaj Rusisë

Në vitin 1987, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ranë dakord pas një përgatitjeje shumëvjeçare në marrëveshjet INF që t'i shkatërrojnë të gjitha raketat balistike me një rreze veprimi nga 500 deri 5500 kilometra. Uashingtoni e akuzoi javën e kaluar Moskën që me testin e një rakete i ka shkelur marrëveshjet INF dhe bëri të ditur një reagim. Qeveria ruse e kundërshtoi kritikën si të paargumentuar. Raporti midis Rusisë dhe SHBA është kaq i keq sa nuk ka qenë kurrë që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Për ta përmirësuar potencialin frikësues përballë Rusisë, NATO-ja po ndërton aktualisht një trupë të re të ndërhyrjes së shpejtë. Me një manovër të madhe ushtarake në Perëndim të Polonisë nisi të martën një provë për këtë trupë. Sipas të dhënave të ushtrisë gjermane, Bundeswehr, në manovrën me emrin "Noble Jump" në Zagan marrin pjesë rreth 2100 ushtarë nga Gjermania, Belgjika, Lituania, Holanda, Norvegjia, Polonia, Çekia, Hungaria dhe SHBA. Synimi është ndërtimi i një të ashtuquajture maja e heshtës së Aleancës.