1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mediat me short në procesin më të rëndësishëm në historinë gjermane të pasluftës

Pak më shumë se një javë para datës së fillimit sërish të procesit e NSU shpërndarja e vendeve për shtypin do të vendoset me short. Shorti do të hidhet nga një noter larg syve të publikut.

Duhet të jenë qindra kërkesa. Në procedurën e re të akreditimit të mediave për procesin kundër NSU para gjykatës së lartë të Mynihut kanë aplikuar shumë më tepër media se sa në procesin e parë. Numri i vendeve të rezervuara për shtypin mbetet i njëjti, 50.

Larg syve të publikut shorti do të hidhet të hënën (29.04.2013) nga noteri Dieter Mayer në sallën A 101. Emrat do të shënohen nga një sekretar. Ish-politikani drejtues i partisë socialdemokrate Hans-Jochen Vogel do të marrë pjesë si dëshmitar. 87 vjeçari Vogel ka qenë deri në vitin 1972 kryetar bashkie në Mynih. Po këtë të hënë pasdite gjykata do të njoftojë rezultatet e shortit.

Dhjetë vende për mediat e huaja

Vendet janë të ndara sipas grupeve të mediave. Për përfaqësues të shtypit të huaj janë rezervuar dhjetë vende, katër prej tyre për mediat turke. Procesi i ri i akreditimit u bë i domosdoshëm. Në raundin e parë mediat turke nuk patën marrë asnjë vend. Ata kanë një interes të veçantë, sepse tetë viktima të vrasjeve të nga grupi "Ilegaliteti Nacionalsocialist" (NSU) janë me prejardhje turke. Për shkak të ankesës së gazetës turke "Sabah" Gjykata Kushtetuese gjermane kërkoi nga senati të hapë së paku tre vende për mediat turke.

E akuzuara kryesore është Beate Zschäpe. Përveç saj akuzohen edhe katër ndihmës së terroristes së djathtë.

Kritika nuk mbaron me kaq

Procedura e re është transparente, por gjykata akoma nuk u ka shpëtuar kritikave. Pas zemërimit për mungesën e mediave turke, vjen tani pakënaqësia e shtypit gjerman të ditës. Për rreth 370 gazeta në short ka tetë vende. "Në këtë mënyrë gjykata e lartë e Mynihut e bën procesin përfundimisht një farsë", shkruan për shembull gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung". "Mirësevini në lotarinë e Mynihut për shtypin".

Gazeta turke "Hyrriet" mendon se katër vende për mediat turke janë shumë pak. Këshilli qendror i muslimanëve kërkon më tej vende të rezervuara për ambasadorin turk dhe bashkësitë fetare myslimane.

Në problemin kryesor nuk ka ndryshuar asgjë. Salla 101 është shumë e vogël për dyndjen e madhe në procesin spektakolar, i cili konsiderohet një nga më të rëndësisshmit të historisë gjermane të pasluftës.

Përveç 50 vendeve për shtypin ka vetëm rreth 50 vende për pjesën tjetër të publikut. Vazhdimisht kërkohet transmetimi në video në një sallë të dytë. Senati refuzon, për shkak të rezervave ligjore. Një përpjekje nga paditësit për ta imponuar një mënyrë të tillë transmetimi me anë të ankesës kushtetuese dështoi të enjten e kaluar.