1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Media: Virusi që po shkreton internetin në Serbi vjen nga qeveria

Qeveria e re serbe ka qëndrime të ashpra ndaj mediave, që e kritikojnë punën e saj. Ditët e fundit ka pasur madje fshirje të artikujve kritikë nga interneti. Gazetarët protestojnë me një apel.

Me "Apelin kundër censurës", nga fillimi i kësaj jave gazetarët serbë si edhe shumë qytetarë kritikë ndaj qeverisë kanë protestuar kundër censurës së vazhdueshme e masive ndaj mediave në Serbi. Avokati i popullit, Sasa Jankoviç dënon zhdukjen e artikujve kritikë ndaj qeverisë nga portalet e internetit. Kritika vijnë edhe nga Sindikata e Gazetarëve Serbë, NUNS.

Ditët e fundit në Serbi ka pasur shpesh fshirje të artikujve nga interneti, sapo ata janë publikuar, si në rastin e një artikulli mjaft kritik të portalit "libreto.rs" në të cilin paraqiteshin argumenta pse kreu i qeverisë, Alexandar Vuçiç duhej të jepte dorëheqjen. Ndërkohë edhe blogu kritik ndaj qeverisë, "Pescanik" ka kërkuar pushimin e menjëhershëm të sulmeve kundër shprehjes së lirisë së mendimit". "E drejta dhe shteti i së drejtës duhet të njihen edhe nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç kritikon "Pescanik". Edhe portali tjetër "Telepromters.rs" kritikon sulmet e qeverisë ndaj medias përmes një artikulli me titullin "Një virus me emrin censurë shkreton internetin".

Matje e hershme forcash

Sulmet e qeverisë serbe ndaj shtypit kanë nisur pak para formimit të qeverisë së re, vënë re mediat. Konflikti mes mediave dhe pushtetarëve ka filluar në prag të formimit të kabinetit të ri qeverisës, kur përfaqësuesit e pushtetit kishin lejuar në fillim vetëm një medium të huaj dhe tri serbe që të bëjnë inçizime. Më vonë ky vendim ndryshoi, por sulmet ndaj mediave kritike kanë vazhduar. SNS ka sulmuar edhe televizionin publik RTS, me shpjegimin se "po bashkëpunon me Partinë Demokratike në opozitë për të koordinuar sulmet ndaj Vuçiqit dhe SNS".

Kryeministri Aleksandar Vuçiç

Kryeministri Aleksandar Vuçiç

Lidhur me gjendjen e mediave në Serbi ka reaguar edhe shefi i misionit të BE në Beograd, Michael Devenport me fjalët se "gjendja në mediat e Serbisë është shumë e pakënaqshme". Sipas tij, në media ende ekzistojnë fenomene të pakëndshme dhe të papranueshme. "Serviset publike duhet të jenë të gatshme të kritikojnë pushtetin", thotë ai.

Nuk ka reforma pa lirinë e shtypit

Disiplinimi i mediave ka qenë prezent që në kohën e fushatës elektorale, pohon për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike. „Ne do të kemi probleme të mëdha me lirinë e mediave në Serbi", paralajmëron ai duke shtuar se pa lirinë e shtypit nuk mund të bëhen as reformat e duhura në këtë vend. Ndërsa Vukashin Obradoviq, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur, mendon se këto presione të shpejta kanë edhe një shpjegim: „Qeveria serbe është e gatshme për reforma, ndaj i duhet mbështetja absolute e mediave. Reformat do të jenë shumë të dhimbshme, ndaj mediat do ta kenë për detyrë t'i zbukurojnë ato. Ndërkohë që në media gjendja po keqësohet gjithnjë e më shumë".

Presionet ekonomike

Shumica dërmuese e mediave në Serbi po përpiqet t'i vardiset qeverisë së re. Obradoviq mendon se shkaku kryesor është fakti që shteti në Serbi është punëdhënësi kryesor dhe shumë media kanë frikë se nuk do ta mbijetojnë, nëse futen në konflikt me pushtetin. Kjo ka të bëjë me kushtëzime të mëdha ekonomike, të cilat i bëhen shtypit, mendon ai. Megjithatë ka shumë media, që ende kanë politikë antievropiane redaktuese. "Kjo shpjegohet me faktin që baza e partisë SNS edhe më tej ende është antievropiane. Fjala është për njerëz, që mund të ndryshojnë qëndrimin brenda natës, ashtu siç e ka ndryshuar mendimin edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, pohon Popoviq.