1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Me vetëbesim, por të përmbajtur

NATO përpiqet të mbrojë anëtarët e saj në lindje nga agresioni rus. Por në fund të fundit ajo dëshiron ta rifitojë Rusinë si partnere.

Aneksimi nga Rusia i gadishullit të Ukrainës Krimesë ka ndryshuar Evropën, edhe për NATO-n. Bashkëpunimi me Rusinë është ngrirë, NATO merr masat për një agresion të mundshëm rus kundër anëtarëve të aleancës. Një gjë e tillë dukej e paimagjinueshme deri para pak kohe, tha për shembull ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, në këshillin e NATO-s të martën (03.06.2014) në Bruksel. "Për një kohë të gjatë veprimet e përgjegjshme dhe konstruktive të Rusisë luanin një rol të madh në ngritjen e sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën euroatlantike", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Megjithatë sot Rusia kërcënon Europën sërish: "Sepse Rusia ka treguar, se është e gatshme të përdorë forcën, për të rivendosur kufinjtë, për të krijuar linja të reja ndarëse në Evropë dhe për të destabilizuar kombet sovrane për të ndjekur qëllimet e saj gjeopolitike."

Sistemi i mbrojtjes kolektive është absolut

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Si rrjedhojë NATO duhet të bëhet "më e aftë, më e shpejtë dhe më fleksibël", tha Rasmussen, për të reaguar për shembull ndaj një vendosjeje të shpejtë të trupave ruse në kufinjtë e NATO-s. Sistemi i mbrojtjes kollektive nuk lëkundet. Rasmussen theksoi: "Asnjë aleat nuk mbetet vetëm." Sidomos anëtarët e NATO-s në lindje, që kanë qenë më parë nën sundimin sovjetik, si Polonia, apo shtetet Balltike, kanë frikë se mund të prekeshin së shpejti. NATO e ka përforcuar ndërkohë mbikqyrjen ajrore në lindje. Gjermania, Polonia dhe Danimarka duan të shtojnë personelin e korpusit të NATO-s për verilindjen në Stettin. Ai është përgjegjës për planifikimin e stërvitjeve dhe operacioneve. Por amerikanët shkojnë shumë më tej. Ndërsa ministrat ishin mbledhur në Bruksel presidenti i SHBA-së Barack Obama gjatë vizitës së tij në Varshavë bëri të ditur një paketë masash sigurie për vendet lindore të NATO-s. Është parashikuar të dërgohen edhe ushtarë dhe këshilltarë. Vlera e paketës arrin një miliardë dollarë amerikanë.

Jo provokime të panevojshme

Por disa nga këta anëtarë të aleancës në lindje kërkojnë stacionimin e përhershëm të trupave në territorin e tyre si hap parandalues. Deri tani NATO kishte hequr dorë nga kjo duke patur parasysh Rusinë. Dhe këtë e refuzojnë edhe tani shtete si SHBA dhe Gjermania. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen tha në Bruksel: "Për mua ka rëndësi, të bëj të qartë se shqetësimet e partnerëve tanë lindorë janë edhe shqetësimet tona dhe se ata duhet të jenë të sigurtë për solidaritetin tonë të pandërprerë." Rëndësi ka masa e duhur e vetëbesimit dhe maturia. Gjermania dhe të tjerë më gjithë gatishmërinë, që ka demonstruar Rusia për të vepruar, nuk duan që ta provokojnë atë në mënyrë të panevojshme. Aleanca është e interesuar për partneritet, jo për konfrontim", tha von der Leyen. Këtu bën pjesë edhe fakti, se edhe pse NATO mban kontakte të shumta me Ukrainën, ajo shmang ndërkohë çdo referencë për një anëtarësim të ardhshëm në NATO.

Konflikt kalimtar, apo pikë kthese?

Ministrja gjermane e Mbrojtjes von der Leyen kërkon maturi

Ministrja gjermane e Mbrojtjes von der Leyen kërkon maturi

Në NATO është akoma mjaft e diskutueshme, nëse gjendja e sigurisë në Europë ka ndryshuar në mënyrë të përhershme. Shumë shpresojnë se kriza aktuale do të kalojë. Për shkak të konfliktit me Rusinë aleanca nuk do të heqë përsëri dorë nga riorientimi i saj i viteve të fundit - duke u larguar nga mbrojtja thjesht e territoreve të aleancës në misione në rajone krizash. Njëra nuk e përjashton tjetrën, mendon minsitri britanik i Mbrojtjes David Hammond: "Ne duhet të jemi në gjendje të reagojmë ndaj të gjitha kërcënimeve, pavarësisht nëse ata vijnë nga lindja, apo nga shtetet jostabile në botë, apo nga terrorizmi ndërkombëtar."

Evropianët hezitues, amerikanët bujarë

Por pyetja e madhe është, si të menaxhohen të gjitha këto së bashku, sidomos financiarisht. Sepse shumica e partnerëve në aleancë i ka shkurtuar shpenzimet për mbrojtjen në vitet me rënie të buxhetit. Prandaj si SHBA, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rasmussen kërkojnë vazhdimisht nga qeveritë, që të shpenzojnë më shumë për ushtritë. Amerikanët me gjestin e tyre bujar ndaj vendeve lindore të NATO-s e kanë rritur më tej presionin. Por Rasmussen dëshiron gjithashtu që aleatët të bashkojnë më fort kapacitetet e tyre ushtarake, për të shmangur harxhimin. Në të dyja rastet megjithatë kriza e Ukrainës është shkaktari i reformave të thella në NATO.