1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Me Trumpin ose Klintonin - çfarë duhet bërë pas zgjedhjeve në SHBA

Më në fund, dita e zgjedhjeve erdhi. Më në fund, sepse kjo fushatë elektorale e dëmtoi demokracinë amerikane, mendon Miodrag Soric.

Grindja bën pjesë në demokracinë amerikane si flamuri amerikan në patriotizmin e këtij populli. Në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kandidatët e saj për presidentë kanë debatuar ashpër shpesh, kanë luftuar me mjete të drejta dhe nganjëherë edhe të padrejta për t'u ngjitur në pushtet. Por sapo merrej ky vendim, të mundurit e përshëndesnin fitimtarin dhe njerëzit bashkoheshin sërish. Demokratët dhe republikanët bëheshin sërish amerikanë.

Këtë moment kaq të rëndësishëm për komunitetin demokratik nuk do ta kemi pas këtyre zgjedhjeve - pavarësisht se kush do të futet në fund pas kësaj zgjedhjeje  në Shtëpinë e Bardhë. Kjo sepse fushata elektorale ishte shumë e pisët, sulmet reciproke qenë shumë të forta, shumë personale, shumë lënduese. Nuk ishin kundërshtarë politikë ata që dolën këtu përballë njëri-tjetrit, por gladiatorë politikë, të cilët u sollën si armiq për vdekje; jo kundërshtarë, që e trajtojnë njëri-tjetrin me një masë minimale respekti, por rivalë, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për më të keqen.

Soric Miodrag Kommentarbild App

Miodrag Soric

 

Në fillim zbavitje, pastaj vetëm neveri

Duhet pranuar: për shumë amerikanë, në fillim të fushatës elektorale e gjitha kishte njëfarë vlere zbavitëse. Por sa më shumë që zgjaste ky teatër, aq më shumë largoheshin njerëzit prej tij.

Mënyra se si u luftua për pushtetin në këtë fushatë elektorale e dëmtoi demokracinë amerikane. Dinjiteti i postit u dëmtua. Besimi i amerikanëve tek institucionet e tyre - parlamenti, qeveria, FBI-ja - mund të pakësohet edhe më tepër. Gjë që do ta bëjë qeverisjen në të ardhmen edhe më të vështirë. Perspektiva të errëta.

Ndryshe nga pohimi i ideologëve të Tea-Party, një kompromis nuk është në asnjë mënyrë diçka e keqe. Një kompromis mund të jetë vetëm një gjysmë suksesi, por ai është sukses. Çdo demokraci jeton nga ky art i së bëshmes. Zgjedhësit amerikanë me të vërtetë që nuk presin mrekulli nga përfaqësuesit e tyre në Uashington - por herë pas here ata duhet ta bëjnë punën e tyre: të qeverisin, të vënë në plan të parë interesat e njerëzve dhe të mobilizohen për këtë arsye. Këtë elitat politike në Uashington e injoruan për vite të tëra, qenë të preokupuara me lojëra pushteti në vetvete. Pikërisht këtë e shfrytëzoi personi i huaj për politikën dhe lojtari i papërgjegjshëm Donald Trump. Dhe e tërhoqi diskursin politik deri poshtë në gjuhën vulgare të rrugicave.

Me të folurit troç kjo nuk ka të bëjë - por pa dyshim ka të bëjë me përjashtimin e të gjithë atyre, që kanë mendim tjetër. Ndërkohë, e kanë vënë re të gjithë: shoqëria amerikane është më e përçarë se kurrë më parë. Por nëse këtë ndarje nuk arriti ta kapërcente në tetë vjet Barack Obama, si do ta arrijë këtë Trumpi ose Clintoni?

 

Jo vetëm Trump, por edhe Clintoni i fyen zgjedhësit

Është trishtuese kur shikon se me çfarë përçmimi flet Hillary Clintoni për ata, që - për cilatdo shkaqe qofshin - kanë simpati për kundërshtarin e saj. Ajo do të bënte mirë të pyeste se çfarë i bën minatorët e qymyrit në Kentucky ose mekanikët e automjeteve në Ohio që të mbështesin Trumpin? Çfarë ka bërë gabim establishmenti në Uashington, tek i cili bën pjesë edhe familja e Clintonit, që punët erdhën deri në këtë pikë?

Por para zgjedhjeve nuk kishte kohë për autokritika. Po t'u besosh demoskopëve, Hillary Clinton kryeson me përparësi shumë të vogël. Pra një surprizë është e mundur.

Kur më në fund të heshtin zërat e çjerrë të fushatës elektorale, kur të jetë shpërndarë tymi i betejës elektorale, në Amerikë nis një mëngjes i ri. Elita politike e vendit duhet ta shfrytëzojë këtë për të reflektuar: ndoshta për t'u kujtuar, se pushteti nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet t'i shërbejë së mirës së përgjithshme - me respekt përpara sovranit, popullit.