1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me transparencë kundër korrupsionit

Sa mund të fitojnë deputetët me aktivitetet e tyre dytësore dhe çfarë mund të bëjnë ata si punë dytësore? Për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin bëhen përpjekje për të vendosur rregulla të qarta ligjore.

Ai nuk donte në asnjë mënyrë të merrej ndonjëherë me polikë. Mircea Diaconu, një nga aktorët më të rëndësishëm dhe popullorë rumunë, iu fut megjithatë rrugës së politikës: si deputet ai synonte të bënte më shumë nga sa kishte mundësi në teatër. Dhe meqenëse gjestet e madha, fjalët e mëdha,konfliktet dhe intrigat ndeshen si në skenën e teatrit ashtu edhe në atë politike, mendonte se mund t'i luante mirë të dyja rolet.

Por diçka nuk kishte marrë parasysh: funksionin e tij si drejtor i teatrit „Nottara“ Agjencia Kombëtare për Integritet e cilësoi të papajtueshëm me mandatin e tij si deputet. Sipas ligjit përfaqësuesit e popullit mund të vazhdojnë të punojnë në universitete apo në institucione kulturore, por jo në funksione drejtuese. Tashmë Diaconut i duhej të hiqte dorë nga të dy postet, kështu vendosi edhe gjykata kushtetuese. Papritur aktori u gjend në një rol të cilin nuk e kishte zgjedhur vetë – si mollë sherri në një konflikt që vazhdonte prej kohësh mes drejtësisë dhe politikës në Rumani. Parlamenti vendosi të merrej me rastin, injoroi vendimin e gjykatës dhe vendosi që Mircea Diaconu t'i mbante të dy postet.

Ky rast është simptomatik për situatën në legjislacionin rumun. Paqartësi dhe shumë vakuume ligjore hapin dyert për intrepretim subjektiv të ligjeve në varësi të interesave. Kështu për shembull deputetët që kanë përfunduar studimet e larta në shkencat juridike mund të vazhdojnë të punojnë si avokatë për sa kohë mandatët e tyre nuk janë të paditur për korrupsion, trafikim droge dhe njerëzish apo rrezikim të sigurisë kombëtare. Ky legjislacion relativisht restriktiv lidhur me punët dytësore të deputetëve në Rumani, është një përpjekje për të luftuar fenomene shumë të përhapura si nepotizmi dhe korrupsioni. Në indeksin e Transparency International Rumania është në vend të 69.

Vetëm pak vende larg Rumanisë gjenden në këtë listë disa vende të tjera ish-socialiste të Evropës. Edhe atje bëhen përpjekje që me regulla të qarta ligjore të kufizohen nepotizmi dhe konfliktet e interesave, të paktën në kreun politik të shtetit.

Në vende si Bullgaria dhe Polonia rroga të larta për deputetët duhet të reduktojnë prirjet për korrupsion. Kështu deputetët atje kanë rroga tri herë më të larta se rrogat mesatare. Veç kësaj marrin edhe subvencione për bashkëpunëtorët, zyrat, shpenzimet e udhëtimeve dhe srehimit. Në Poloni një deputet në Sejm merr kështu rreth 6000 euro në muaj, ndërkohë që paga mesatare në vend është rreth 800 euro.

Ndërsa në Bullgari deputetët fitojnë dukshëm më pak, rreth 1500 euro ndërkohë që paga mesatare është 325 euro. Por kur ushtrojnë profesione të lira si p.sh. si mjek, jurist apo aktor këtë punë mund ta kryejnë sipas dëshirës edhe pas zgjedhjes në parlament. Kjo nuk interpretohet nga ligji si konflikt interesash.

Edhe në Greqi përfaqësuesit e popullit krahas postit politik mund të ushtrojnë edhe një profesion. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu: në 2001 në kuadër të një reforme kushtetuese përfaqësuesve të popullit iu ndalua të ushtronin profesionin e tyre gjatë kohës së mandatit. Kështu synohej shmangia e konflikteve të interesave dhe deputetët që kishin tashmë një mandat duhej të vendosnin mes politikës dhe profesionit të tyre. Por shumë shpejt u bë e qartë se kështu binte ndjeshëm cilësia e fuqisë drejtuese politike. Me anë të një ndryshimi të ri kushtetues në 2006 u hoq sërish ndalimi i ushtrimit të profesionit për politikanët. Por tani ata janë të detyruar që çdo vit të dorëzojnë jo vetëm deklaratën e të ardhurave por edhe një „deklaratë të interesave financiarë“ pranë Gjykatës Supreme të vendit, në të cilën radhiten aktivitetet e tyre profesionale.

Ndryshe ndodh në vendin fqinj Maqedoni. Atje parlamentarëve në parim u ndalohet që të ushtrojnë profesione dytësore krahas mandatit politik. Kush ka pasur një vend pune para marrjes së mandatit, duhet ta lërë atë, të paktën sa kohë mban mandatin politik. Përjashtime ka vetëm në disa raste të veçanta, p.sh. kirurgët e kanë të lejuar të kryejnë një operacion të komplikuar, nëse në atë moment nuk ka asnjë kirurg tjetër që mund ta bënte operacionin.

Kontrolli i rreptë i deputetëve dhe transparenca në lidhje me punët e tyre dytësore mund të jenë megjithatë vetëm një hap i parë në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Në shumë vende të Evropës Juglindore moçali i korrupsionit është i thellë.

Kjo u pa edhe në Kroaci. Vendi së shpejti do të anëtarësohet në BE, ligjet mbi rrogat e deputetëve dhe punët e tyre dytësore janë në harmoni me standardet evropiane. E megjithëse parlamentarët duhet të bëjnë publike raportet e tyre pasurore, jo vetëm para fillimit të mandatit, por edhe gjatë periudhës legjislative, makinacionet e ish kryeministrit Ivo Sanader nuk arritën të pengoheshin. Aktualisht kundër tij zhvillohet një proces që e sheh të akuzuar për krijimin e një një rrjeti të mirëfilltë korrupsioni duke anashkaluar parlamentin. Në këtë mënyrë akuzohet se ka përvetësuar 9 milionë euro.

Edhe në Serbi një politikan ndodhet nën dyshimin për korrupsion. Velimir Iliç, ministër Ndërtimi dhe Urbanistike në qeverinë serbe, në deklaratën e pasurisë ka rreshtuar 22 apartamente, shtëpi dhe truaj – sipas tij të gjitha të trashëguara.

Aktori rumun Mircea Diaconu ka vendosur që të mos e luajë më këtë lojë. Megjithëse parlamenti e ka lejuar të mbajë të dy postet, ai ka deklaruar dorëheqjen nga politika. Mircea Diaconu dëshëron t'i mbetet besnik dashurisë së tij të parë, artit të vërtetë të aktrimit. Diaconu thotë se do të bëjë një film, ndoshta për politikën.