1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Me të gjitha atributet e pushtetit - Kim Jong Un merr drejtimin e Koresë së Veriut

Në fund të ceremonisë zyrtare mortore për diktatorin e vdekur koreanoverior Kim Jong Il, djali i tij Kim Jong Un u shpall udhëheqësi më i lartë i vendit.

default

Kim Jong Un

Funerali në Korenë e Veriut për "udhëheqësin e dashur" mbaroi. Pas reshjeve me borë të mërkurën (28.12), të enjten doli dielli në sheshin Kim II Sung në qendër të Phenianit. Paradite sipas të dhënave zyrtare ishin grumbulluar aty disa qindra mijëra njerëz. Fillimisht në një fjalim epik Kim Yong Nam vlerësoi arritjet e mëdha të Kim Jong Il-it.

Ceremonia mortore për Kim Jong Il.

Ceremonia mortore për Kim Jong Il.

Demonstrim vazhdimësie në politikën e Koresë së Veriut

Kim Yong Nam edhe në vitin 1994 kishte mbajtur fjalimin për babain e Kim Jong Il, themeluesin e shtetit Kim Il Sung, duke demonstruar kështu vazhdimësi. Ai e quajti në fjalimin e tij Kim Jong Un, djalin më të fundit dhe pasardhës, si udhëheqësin më të lartë të Koresë së Veriut. Në fund të varrimit u qëllua me 21 të shtëna përshëndetjeje për diktatorin Kim Jong Il.

Më pas u mbajtën tre minuta heshtje, ndërkohë që në gjithë vendin ranë sirenat dhe boritë.

Djalit që ende nuk ka mbushur të 30 -tat, Kim Jong Un, në mediet koranoveriore i jepen tashmë të gjitha atributete e pushtetit. Ai përshkruhet si udhëheqës i ushtrisë, i shtetit dhe i partisë.

Gjatë funeralit në sheshin Kim II Sung, mund të shihje pranë Kim Jong Un-it xhaxhain e tij Jang Song Thaek si dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Ri. Duket se klika rreth këtyre personave e ka konsoliduar pushtetin.

Bisedimet për dhënien fund të programit atomik koreanoverior në këmbim të ndihmave ekomike dhe artikujve ushqimorë do të zhvillohen në nivel diplomatësh. Çështja nëse presidenti koreanojugor apo presidenti amerikan do të takohen me Kim Jung Un-in e ri, nuk shtrohet për momentin.

Kim Jong Un në ceremoninë mortore të të atit, Kim Jong Il

Kim Jong Un në ceremoninë mortore të të atit, Kim Jong Il

Koretë ende larg ribashkimit

Në Korenë e Jugut ka një numër organizatash që kujdesen për numrin në rritje të refugjatëve nga Koreja e Veriut. Ato shfrytëzuan ceremoninë e varrimit për Kim Jong Il që të demonstronin në Seul për qëllimet e tyre. "Epoka e Kim Jong Il-it mori fund, por tani fillon epoka e Kim Jong Un-it". Ne do të luftojmë edhe më tej për republikën e Koresë, ne luftojmë për vendin tonë, për refugjatët koreanoveriorë dhe për ribashkimin", u shpreh një demonstrues.

Për këtë të fundit dy shtetet koreane janë aktualisht shumë larg. Presidenti koreanojugor, i cili ka një qëndrim të ashpër ndaj fqinjit armiqësor, nuk ka reaguar lidhur me ndryshimin e pushtetit në Korenë e Veriut. Kim Jong Un-i vetë nuk ka mbajtur ende ndonjë falim programatik, por në mediet shtetërore kishte së fundi shenja të një dëshire për një përmirësim të marrëdhënieve me shtetet fqinjë.

Autor: Peter Kujath / Mimoza Kelmendi

Redaktoi: E. Xhani

DW.COM