1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Fakte mbi Gjermaninë

"Me raportimin për DW kulmoi si asnjëherë më parë ndjenja e përgjegjësisë"

Valentina Saraçini me hapjen e seksionit shqip të DW në 1992 ishte e para korrespondente në Kosovë. Për më shumë se një dekadë ajo ka përcjellë ngjarjet e viteve të vështira 90-të. Në 60 vjetorin e DW ajo kujton...

Më 15 janar 1999, dita e varrimit të viktimave të masakrës së Reçakut, unë ndodhesha atje për të raportuar për DW. Telefoni nuk merrte valë. Teksa përpiqesha të gjej valë që të lidhem me redaksinë në Këln, më afrohet një djalosh rreth 14 vjeç, e më pyet:-“A je Valentina e DW? I them- po, por nuk kam valë në telefon, a ka në fshat telefon tokësor? Ai më tregon se mund të gjejë valë, majë një kodre, një hapësirë prej rreth 1 metër katrorë. Kur arritëm aty djaloshi më tregoi se si askush në shtëpi nuk guxon të flasë sa herë jep lajmet DW... U lidha me redaksinë dhe dhashë raportin pjesë – pjesë, sepse valët ndërpriteshin dhe duhej rivendosur lidhja... Djaloshi qëndroi aty dhe gjatë gjithë kohës më shikonte me sytë plot kureshtje. Kur mbarova, djaloshi buzëqeshi, më tha se do t'u tregojë gjithë shokëve që ai ishte me mua kur unë raportova për DW-në. Buzëqeshja e tij e ndruajtur, ishte e vetmja që pashë atë ditë janari në Reçak.

Në ato vite kam pasur rastin të raportoj për fate njerëzish, dhjetra mijëra syresh të dëbuarve nga shtëpitë e tyre (pas ofensivave të mëdha serbe), që ishin vendosur maleve në tenda të improvizuara, në kushte tepër të vështira për mbijetese. Ajo që më ka lënë mbresë, por edhe më ka dhënë më shumë kurajo në punën time ka qenë vlerësimi i auditorit në Kosovë për DW. Kujtoj ndjenjën e popullatës civile, e cila ishte në shënjestër të dhunës së makinerisë serbe të regjimit të Millosheviqit. Këta njerëz besonin fort se me t'u publikuar lajmi për atë që u ngjet atyre, gjasat e tyre për t'i shpëtuar vdekjes, ose represionit e sulmeve të ardhshme ishin më të mëdha. Çdo raportim i saktë dhe i shpejtë i ngjarjeve për popullatën civile ishte zë shprese se dikush do t'i ndihmojë, se dikush do ta ndalë të keqen e radhës...

“Zoti ju bekoftë që po i tregoni botës çka po na ndodh!”

Tek shkoja në malet e Berishës për një reportazh kur mbërrita tek një tendë e madhe, një shkollë e improvizuar e malit, dëgjoj që dikush më thërret në emër, kthehem. Një plakë, shtatëlartë, sa nuk rrëzohet duke vrapuar kah unë. Nxitova t'i afrohem. Ajo me thotë: “ Desha të takoj ty... i nxehim bateritë afër zjarrit e gjithmonë dëgjojmë DW- Zoti ju bekoftë që po i tregoni botës çka po na ndodh! Moj bijë kah s'po shkon, Zoti të mbrojtë ”. I thashë se lufta nuk do të zgjasë gjatë, e do kthehen në shtëpitë e tyre. Kurse ajo më pyeti -”A ke fëmijë?” I them po, dy - “Zoti të t'i ruaj”. Ja ktheva-“Bashkë me tuajit ”. Plaka më përqafoi fort, e unë me fytyrën në krahun e saj përpiqesha t'i mbaj lotët. Në heshtje iu luta Zotit- “Ndihmoji të mbijetojnë ".

Refugjatët nga Kosova duke shkuar drejt Bllacës, 31 mars 1999

Refugjatët nga Kosova duke shkuar drejt Bllacës, 31 mars 1999

“MEHR LICHT”

Janë të shumta ngjarjet tronditëse nga koha e deportimit me trena të popullatës civile nga Prishtina për Maqedoni, (mars-prill 1999). Gjendje të ankthit në kolonën pa fund të refugjatëve, mes të cilave në prill të 1999 përfundova edhe unë me familjen time. Nuk po sjell kujtime për situata kur rrezikohej jeta ime. Por, e di se më e rënda për mua ishte ndjenja se për shkak timin, punës time, rrezikohet jeta e familjes. Pati raste kur pengohej puna ime - isha e ndaluar, e përgjuar, e vëzhguar apo arrestuar nga policia serbe. Por, këto situata ishin të zakonshme për gazetarët shqiptarë asaj kohe, si edhe për mija e mija qytetarë. Por, ama motivi për të vepruar si gazetare ishte i madh, i pathyeshëm. Të jesh gazetar në rrethana lufte dhe të punosh për medium ndërkombëtarë si DW, është mundësi e jashtëzakonshme për t'i dhënë “MË SHUMË DRITË” së vërtetës. Nga kjo distancë kohore kujtoj se 13 vitet e punës për DW, kanë qenë vitet më të rëndësishme në karrierën time 32 vjeçare. Ndonëse kisha përvojë të madhe profesionale, ndjenja e përgjegjësisë, si asnjëherë më parë kulmoi, për çdo lloj ngjarjeje e tematikë që kam raportuar atëbotë. Përkrahja e kolegëve të mi të redaksisë në Këln, më ka ndihmuar shumë dhe bëri që shumë shpejtë programi shqip i DW në opinionin shqiptar të Kosovës dhe më gjerë, të vlerësohet si prijës i informacionit të drejtë, të shpejtë dhe të plotë.

Tani, në 60 vjetorin e DW, duhet ta them me krenari se gjithandej ku ka shqiptarë DW është medium informativ i besueshëm, i vlerësuar për etikën e lartë dhe afirmimin e parimeve themelore demokratike. Jam krenare që DW ka hyrë në kujtesën e popullit tim për të mirë dhe nuk do të harrohet kurrë, sepse DW nuk iu shmang së vërtetës, ishte në anën e saj dhe të atyre që i besojnë lirisë së fjalës, etikës së gazetarisë, të drejtave të njeriut dhe popujve. Kam nevojë të them FALEMINDERIT DW, edhe në emër të familjes sime, e cila në maj të vitit 1999 nga Shkupi erdhi në Gjermani. Sidomos falënderoj kolegun e DW Norbert Nyrnberger, që insistoi të jetojmë disa muaj me familjen e tij në Brul. Janë të paharruar ata muaj. E ruajmë fort kujtimin për mikun tonë Norbertin, që nuk jeton më.

Fare në fund dua të theksoj: DW në kohën kur rrezikohej mbijetesa fizike dhe identiteti i shqiptarëve hapi dritaren e madhe për informim. Urime 60 vjetorin e DW-shumë suksese!