1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me probleme në BE? Serbët ankohen në Kroaci për mosrespektim

Bashkimi Evropian ka shprehur vullnetin që Kroacia të jetë vendi i ardhshëm që do të pranohet në bashkësinë e shteteve - siç pritet në fillim të vitit 2012. Por qeveria kroate kritikohet nga në Evropën Juglindore.

default

Në Veljun sundon qetësia. Fshati shtrihet në maje të një kodre në rajonin Kordun në Kroacinë Qendrore. Po të nisesh në veriperëndim duhet të kalosh rreth 35 kilometra që të arrish në qytetin e parë të madh, Karlovc. Në drejtim të jugut shtrihen vargmalet deri në Detin Adriatik. Mileta stipiç ka lindur këtu para 50 vitesh. Ish-polici me pamje sportive aktualisht përpiqet që si politikan lokal të formojë një parti serbe në qytezën Slunj e cila ndodhet rreth 20 kilometra në juglindje të fshatit Veljun. Vendlindja e tij ka qenë në fillim të luftës së Kroacisë në vitin 1991 në qendër të rajonit të kontrolluar nga kryengritësit serbë. Republika e vetshpallur 'Krajina' u pushtua nga trupat kroate në verën e vitit 1995. Në atë verë përfundoi konflikti i armatosur por jo edhe dhuna, kujton Stipiçi:

"Këtu nuk kishte luftime. Por pas luftës kishte plaçkitje dhe shkatërrim. Pothuajse të gjithë janë larguar nga këtu në vitin 1995. Në Veljun për shembull kishin mbetur vetëm gjashtë apo shtatë njerëz. Një nënë me vajzën e saj u vranë në shtrat. Një burri iu coptëuan këmbët nga plumbat. Një plake i është prerë koka. Të palënduar kanë shpëtuar vetëm dy kroatë".

Vrasjet dhe keqtrajtimet e serbëve nga forcat kroate hetohen edhe nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Mileta stipiçi shpreh bindjen se shumë prej bashkëqytetarëve të tij me ikjen e tyre për në Serbi dhe Bosnje para 14 vitesh arritën të shpëtojnë nga vrasja e sigurtë. Kroacia ka rreth katër milionë e gjysëm banorë. Para luftës në Kroaci jetonin rreth 600 mijë serbë. Sot janë rreth 220 mijë.

Të paktën gjysma e rreth 130 mijë refugjatëve të kthyer zyrtarisht, nuk ndodhen më në Kroaci: ata kanë shitur menjëherë pronat e tyre dhe janë larguar sërish. Kështu pohojnë shoqatat serbe në Zagreb. Forumi Demokratik Serb flet për një klimë të dhunës kundër serbëve: deri në vitin 2004 janë regjistruar për çdo vit mesatarisht nga 80 sulme kundër refugjatëve të kthyer serb - shumica e tyre me pasoja vdekjeprurëse. Tani në pesë vitet e fundit qeveria kroate është marrë më seriozisht me mbrojtjen e pakicave për shkak të presionit të Bashkimit Evropian.

Kështu në pesë vitet e fundit politika dhe mediet kanë qenë më të ashpra kundër parullave të urrejtjes apo shovenizmit kroat. Megjithatë urrejtja dhe shovenizmi nuk janë zhdukur ende tërsisht, thonë në Zagreb edhe në Partinë e Pavarur Demokratike Serbe, SDSS. Kjo parti është partnere e vogël në qeverinë kroate prej vitit 2004. Zëvendskryetari i partisë Milorad Pupovac është edhe zëvendskryeministër i Kroacisë.

Prej që kjo parti serbe është futur në qeveri të drejtat e kësaj pakice janë sanksionuar me ligje dhe mbrohen më mirë. Këtë e dëshmon edhe një studim i OSBE-së. Por aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si Jelka Glumiçiç janë më të kursyer në lavdëratat e tyre. Megjithatë ata janë optimistë për të ardhmen. Kroatja Glumiçiç ka ndihmuar për një dekadë të kthyeritë serb në Kordun të Kroacisë Qendrore.

"Ka fshatra kur njerëzitë janë kthyer që në fillim dhe janë mbështetur nga organizatat humanitare. Ata zhvillojnë një jetë normale dhe i kanë rindërtuar shtëpitë e tyre. Megjithatë ende ndodhin incidente, por jo si më parë. Unë besoj që nuk duhet të kemi frikë nga bashkëjetesa. Sipas mendimit tim serbët dhe kroatët janë një popull: ata flasin të njëjtën gjuhë, kanë mentalitetin e njëjtë, të gjitha...".

Mileta Stipiçi nga ana tjetër nuk është optimist, si zonja Glumiçiç.

"Megjithë lidhjet që kam nuk po arrij të gjej një vend më të mirë pune. Unë nuk kam asnjë shans edhe pse zyrtarisht jam veteran i luftës kroate. Ne mund të gjejmë punë vetëm në ndërtimin e rrugëve dhe si vozitës kamioni - apo si unë që vozis tani një autobuz. Në administratën e bashkisë së Slunjit prej vitit 1995 nuk është punësuar asnjë serb. Besoj që edhe në qytetet tjera kroate gjendja është e ngjashme".

Autor: Filip Slavkoviç/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LC4t
  • Data 23.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LC4t