1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Me përvojë në luftë kundër terrorit: Ministri i ri i Mbrojtjes Thomas de Maizière

Ministri i deritashëm i Brendshëm, Thomas de Maiziere do të jetë pasardhësi i ministrit të Mbrojtjes, që dha dorëheqjen Karl Theodor zu Guttenberg. Një portret.

Thomas de Maiziere - ministri i ri i Mbrojtjes së Gjermanisë

Thomas de Maiziere - ministri i ri i Mbrojtjes së Gjermanisë

Thomas de Maiziere është dikush, të cilin mund ta quash duke folur çlirshëm si dhe me vlerësim politikisht "armë për të gjitha qëllimet". Përpara se kristjandemokrati 57 vjeçar të emërohej në fund të tetorit 2009 nga Kancelarja federale Merkel si ministër i Brendshëm i Gjermanisë, që prej 2005-ës ai ishte ministër Federal për detyra të veçanta dhe shef i zyrës së kancelares. Në këtë funksion, de Maiziere ishte personi kompetent edhe për Shërbimin Informativ Gjerman (BND) dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV). Si ministër i Mbrojtjes, kompetenca për Kundërzbulimin Ushtarak është në sektorin e tij.

Përvojë nga postet e mëparshme

Pika takimi midis postit të tij të deritashëm dhe postit të ri ka para së gjithash në luftën antiterror. Edhe për të garantuar sigurinë e Gjermanisë, i luftojnë rreth 5.000 ushtarë gjermanë në Afganistan talibanët. Punëdhënësi i ardhshëm i ushtarëve, Thomas de Maiziere sjell me vete në këtë fushë shumë përvojë nga posti i tij i vjetër. Ministri i Brendshëm de Maiziere ka fituar përtej kufijve partiakë emrin se di si të veprojë në mënyrë të arsyeshme me rrezikun e terrorit. Kur në vjeshtën e vonë 2010 u shtuan të dhënat se janë planifikuar atentate në Gjermani, ai iu shmang çdo shkallëzimi ose kalimit në panik. Në publik dhe në parlament de Maiziere mori për këtë shumë mbështetje:

"Unë ju falënderoj shprehimisht për mbështetjen, të cilën unë e ndieva edhe personalisht ditët e fundit në Bundestag, edhe përmes opozitës dhe medieve. Unë iu falënderoj edhe më tepër për besimin, të cilin e gëzojnë autoritetet e sigurisë te populli, te politika, në parlament në gjendjen aktuale."

Besimi ndaj personit do të jetë i nevojshëm për pasardhësin e Karl Theodor zu Guttenbergut në post. Me ndërprerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe një kurs të rreptë kursimesh, paraardhësi i ka lënë de Maizierit një hipotekë të rëndë, vënia në jetë e së cilës vetëm sa ka nisur. Se ai nuk sprapset para reformave të vështira, këtë Thomas de Maiziere e ka vërtetuar. Në dhjetor 2010 ai paraqiti si ministër i Brendshëm rezultatet e një komisioni të thirrur prej tij për reformimin e policisë. Në bazë të raportit, Policia Federale (Pasardhëse e Policisë së Mbrojtjes së Kufirit) dhe Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA) do të fuzionojnë. Një synim i guximshëm, sepse njëri institucion është ndër të tjera përgjegjës për zbatimin e së drejtës së azilit dhe për sigurinë ajrore, kurse tjetri para së gjithash për mbrojtjen e personave. De Maiziere e hodhi poshtë kritikën se dëshironte të krijonte një super polici sipas modelit të FBI-së amerikane:

"Në luftimin e terrorit, ne e përjetojmë FBI-në si një lloj shërbimi informativ me degë ndërkombëtare. Ky nuk është fare synimi. Në qendrën e përbashkët të luftimit të terrorit ne bashkëpunojmë mirë. Kjo lëvdohet në plan kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo nuk duhet të ndryshojë."

Traditë familjare në ushtri

Por Thomas de Maiziere nuk e fsheh se do të preferonte ta angazhonte ushtrinë gjermane edhe brenda vendit për mbrojtje nga terrorizmi, gjë që në bazë të kushtetutës gjermane është e ndaluar. Dhe meqenëse nuk ka shumicë parlamentare për ndryshimin e kushtetutës, ai e ka përfunduar gjithmonë shpejt diskutimin e trashëguar nga paraardhësi i tij, Wolfgang Schäuble.

Përvojat personale ushtarake të Thomas de Maiziere janë të largëta, në fillim të viteve '70 ai kreu shërbimin e detyruar ushtarak, pas kësaj ai studioi për drejtësi. Aspekti ushtarak luan edhe në familjen e tij një rol të madh. I ati, Ulrih de Maiziere ishte prej vitit 1966 deri më 1972 Inspektor i Përgjithshëm i Bundesverit, ushtrisë gjermane.


Autor: Marcel Fürstenau/Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 03.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Sd7
  • Data 03.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Sd7