1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me këngë sovjetike në kutitë e votimit

E vetëquajtura "Republikë e Donjeckut" do të mbajë zgjedhje. Në zgjedhje marrin pjesë vetëm grupe separatiste. Ata që kandidojnë janë shumica njerëz të panjohur. Mbështetje vjen nga Moska.

Me një sallë plot dhe me duartrokitje të fuqishme. Kështu e brohoriti publiku në sallën e operës së Donjeckut Josif Kobsonin. Ai debutoi së bashku me grupin e këngëve dhe të valleve të Ministrisë së Brendshme ruse dhe bëri thirrje për të marrë pjesë në "zgjedhjet" e parlamentit të së vetëshpallurës "Republikë Popullore e Donjeckut", në 2 nëntor.

Që dy vjet më parë Kobsoni kishte organizuar ngjashëm shfaqje të tilla. Atëherë ai pati kënduar këngën "Nëna ime Ukrainë, babai im Donbass"- së bashku me presidentin e arratisur ndërkohë në Rusi, Viktor Janukoviç. Ky qytet në Lindje të Ukrainës ishte kështjella e tij politike. Por ndërkohë, Donjecku, ashtu si edhe Luhansku, nën presionin e separatistëve dhe mercenarëve nga Rusia i ka shkëputur lidhjet me Ukrainën.

Me votimin, separatistët atje dhe në rajonin fqinj të Luhanskut duan që ta vulosin shkëputjen nga Ukraina. "Stili i kësaj fushate elektorale të kujton partinë e dikurshme të rajoneve", thotë Sergej, i cili jeton në Donjeck. "Por sot kundërshtari nuk është konkurenti politik, por shteti Ukraine", informon Sergej.

Kush e mbështet Saharçenkon?

"Komisioni Elektoral" i së vetëshpallurës Republikë Popullore të Donjeckut ka regjistruar tre kandidatë për postin e kryeministrit. Më i njohuri prej tyre është Saharçenko, i cili ka dalë vetëm pak kohë më parë në skenën politike. Ndërkohë ai del thuajse në çdo emision lajmesh të televizionit lokal. Emri i tij shihet edhe në shumicën e mureve me pllakata. Mediet ukrainase supozojnë se pas reklamës masive për këtë person të panjohur deri tani mund të jetë oligarku i Donjeckut, Rinat Ahmetov. Revista ukrainase "Insider" bën të ditur se Saharçenko ka qenë i afërt me kompaninë Holding të Ahmetovit "System Capital Management" (SCM) si dhe me deputetët e partisë së rajoneve.

Zgjedhje parlamentare me dy organizata

Në Parlamentin e "Republikës Popullore të Donjeckut" do të bëjnë pjesë në të ardhmen 100 deputetë. Vetëm dy "lëvizje shoqërore" kandidojnë në zgjedhje - "Republika e Donjeckut" dhe "Donbassi i lirë". Të dyja lëvizjet angazhohen për shkëputje nga Kievi.

Kengetari Josif Kobzon

Këngëtari Josif Kobzon

Emrat e anëtarëve të të dyja lëvizjeve nuk u thonë shumë shumicës së njerëzve në Donbass. "Kur këta njerëz e morën pushtetin me armë, nuk na pyetën ne. Ata thjesht erdhën dhe i morën të gjitha. Dhe tani këta njerëz të panjohur duan të mbajnë zgjedhje. Me këtë duan të tregojnë vetëm që ne gjoja u besojmë atyre. Por kundërkandidatët mungojnë fare", thotë Marina nga Donjecku, e cila i kundërshton zgjedhjet.

Sa njerëz do të marrin pjesë në zgjedhjet në "Republikën Popullore të Donjeckut", kjo nuk dihet. Sepse për këtë nuk ka sondazhe të besueshme. Gjithsej janë shtypur 3.198.000 fletë votimi. Kaq njerëz morën pjesë, thuhe,t në referendumin për pavarësinë në 11 maj. Do të votohet edhe në internet. Kjo hap edhe më shumë mundësi për falsifikime.

Presidenti i Ukrainës, Poroshenko i quajti këto "pseudozgjedhje". Në 7 dhjetor, në parlamentin e Ukrainës në Kiev do të votohet për t'i dhënë një lloj statusi të veçantë rajoneve të caktuara në Donbass.

DW.COM