1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Me insistimin e SHBA Izraeli premton masa lehtësuese për palestinezët

Ministrja e jashtme e SHBA, Condoleezza Rice, të dielën në Jeruzalem u përpoq t'i japë impulse të reja procesit të paqes për Lindjen e Mesme të mbetur në qorrsokak. Në këtë drejtim u arritën disa hapa të vogla.

default

Ministrja e jashtme e SHBA, Condoleezza Rice dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert. Nga takimi në Jeruzalem më 4 mars 2008

Qeveria amerikane i përmbahet qëllimit të saj: deri në dhjetor të këtij viti, përpara se të përfundojë presidenca e George W. Bush-it, marrëveshja e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve duhet të jetë e gatshme për nënshkrim. Ministrja e jashtme e SHBA, Rajs (Condoleezza Rice) e di që as Izraeli dhe as palestinezët nuk besojnë se do të shkohet shpejt në një marrëveshje. Por megjithatë gjatë vizitës së saj në Jeruzalem nuk munguan gjestet e shprehjes së vullnetit të mirë nga të dyja palët.

Hapa lehtësuese për palestinezët

Me insistimin e SHBA, qeveria izraelite deklaroi, se është e gatshme të ndërmarrë disa hapa lehtësuese për palestinezët. Zëdhënësi qeveritar i Izraelit, Mark Regev vuri në dukje: "Izraeli është i gatshëm të ndërmarrë hapa të konsiderueshme për t´u krijuar palestinezëve më shumë liri lëvizjeje. Natyrisht që këto hapa ne do t´i balancojmë me qëllimin tonë po aq të rëndësishëm për të mbrojtur njerëzit tanë."

Eshtë parashikuar çmontimi i 50 postblloqeve nëpër rrugët e Jordanit Perëndimor, autoriteti autonom palestinez premtoi, se do të angazhohet më me forcë në të ashtuquajturën "lufta kundër terrorit" në Jordanin Perëndimor. Me këtë ajo ka parasysh përndjekjen e militantëve palestinezë, që u përkasin grupimeve islamiste apo të tjera formacioneve.
Ministrja e jashtme e SHBA-ve u mjaftua, që rezultatet e takimit të saj me ministrin izraelit të mbrojtjes Ehud Barak dhe kryeministrin palestinez, Salam Fayyad të përmblidhen në një dokument me shkrim. Të tre këta nuk dolën në konferencë shtypi për t´iu përgjigjur gazetarëve. Në dokumentin zyrtar mbi përmbajtjen e takimit thuhet, se të dyja palët kanë rënë dakord të ndërmarrin disa hapa të vogla për të zbatuar planin ndërkombëtar të paqes të emërtuar "harta e rrugës"/„road map“. Qëllimi i këtij plani është themelimi i shtetit palestinez. Jeta e përditshme e palestinezëve duhet të përmirësohet nga marrëveshja më e fundit midis dy palëve. Gjithashtu është rënë dakord që të jepet kontribut për sigurinë e Izraelit.

Liria e lëvizjes për palestinezët nuk do të jetë e plotë

Shfuqizimi i bllokadave në akset rrugore në Jordanin Perëndimor do ta lehtësojë jetesën në shumë drejtime. Por ndonëse do të hiqen 50 pika kontrolli të brendshëm, do të vazhdojnë të mbeten disa qindra postblloqe të tjera, që e kufizojnë mundësinë e lëvizjes për palestinezët. Sipas qeverisë izraelite këto postblloqe shërbejnë për të penguar atentatorët e mundshëm kamikazë të depërtojnë në Izrael. Por nga ana tjetër këto pika kontrolli të ushtrisë izraelite pengojnë zhvillimin e ekonomisë palestineze. Qeveria izraelite bëri edhe disa lëshime të tjera ndaj palestinezëve: Izraeli do të mbështesë ndërtimin e shtëpive të palestinezëve në 25 fshatra. Madje shërbimi izraelit në internet „Ynet“ bën fjalë për ndërtimin e një qyteti palestinez në afërsi të Ramallahut në Jordanin Perëndimor. Kjo sipërmarrje do të financohet prej një biznesmeni jordanez. Gjithashtu fshatrat palestineze do të lidhen me rrjetin izraelit të furnizmit me energji. Qeveria në Jeruzalem në të ardhmen do të lejojë më shumë palestinezë të punojnë në Izrael, qofshin këta punëtorë apo biznesmenë. Izraeli ka miratuar edhe dërgimin e 600 policëve palestinezë në qytetin Xhenin në Veri të Jordanit Perëndimor.

  • Data 31.03.2008
  • Autor Engelbrecht, Sebastian / Tel Aviv (BR)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DXTt
  • Data 31.03.2008
  • Autor Engelbrecht, Sebastian / Tel Aviv (BR)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DXTt