1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran USA

23 Mars 2009

Udhëheqja në Teheran reagoi me refuzim ndaj ofertës së Obamës, për një fillim të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve. Për fat të keq, ka shumë më tepër tema për të diskutuar përveç asaj të grindjes atomike.

https://p.dw.com/p/HHcb

Barack Obama e ka seriozisht. Deri tani ai kishte njoftuar gatishmërinë për të folur me Iranin, por tani presidenti amerikan shfrytëzoi rastin për festën iraniane të vitit të ri „Nourouz“, për t`i ofruar Teheranit një fillim të ri marrëdhëniesh. E rëndësishme në këtë ofertë nuk ishin komplimentet e pakta të Obamës kundrejt Iranit si komb i vjetër kulture, sepse komplimente të tilla janë dëgjuar edhe nga vetë goja e Xhorxh Bushit, i cili e pati trajtuar Iranian si pjesë të "aksit të së keqes", të proklamuar prej tij. Më të rëndësishme ishin sinqeriteti dhe qartësia, me të cilën Obama i deklaroi iranianëve, se sigurisht që ekzistojnë pikëpamje të ndryshme midis dy vendeve, por ai është i gatshëm dhe i vendosur që t`i trajojë ato nëpërmjet rrugëve diplomatike.


Strategjia e Obamës duket të jetë "afrim i niveleve të palëve në bisedime". Presidenti amerikan ka kuptuar, se me propozime ose me urdhëra dhe sanksione nuk arrihet asgjë. E shumta që arrihet është e kundërta e asaj që synohet, që pala tjetër ta ndiejë veten të anashkaluar dhe të parespektuar, prandaj dhe t`i qëndrojë e ngurtësuar hapave të afrimit.

Peter Philipp
Peter Philipp


Fjalët e Obamës duhet të jenë dëgjuar me interesim prej shumë iranianëve. Sepse prej kohësh ata kanë qenë të fiksuar tek SHBA-të dhe nuk do të preferonin gjë tjetër më shumë se sa rifillimin e marrëdhënieve me të. Megjithatë në rrethet politike të Teheranit, fjalët pajtuese që erdhën nga Uashingtoni do të kenë shkaktuar mosbesim dhe refuzim, të paktën paraprakisht. Siç tregoi të shtunën, më 21 mars udhëheqësi më i lartë i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili kritikoi Obamën në fjalën e Vitit të Ri të mbajtur në Mashhad, se ky nuk mund, t`i urojë një vit të ri të mbarë iranianëve dhe njëkohësisht t`i akuzojë ata, se përkrahin terrorizmin dhe dhunën.

Udhëheqësi iranian nuk donte të kuptonte, se ai ishte duke folur këtu për ndryshimet në pikëpamje, për të cilat kishte folur Obama, për përkrahjen e Iranit ndaj Hisbollahëve dhe Hamasit si dhe dyshimin se me programin e tij atomik, Irani kërkon të ndërtojë armë bërthamore. Khamenei e kishte festuar një ditë më parë përparimin e programit atomik si një nga arritjet më të mëdha të vitit të kaluar, prandaj prej tij nuk mund të pritet kthim mbrapa në këtë çështje. E hapur mbetet pyetja nëse ai do të japë dritën jeshile për kontakte direkte në çështje të ndryshme teknike, sado kontradiktore të jenë pozicionet midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Gjetja e pikave të përbashkëta është e mundur dhe përpjekjet duhet të bëhen. Dhe përpjekjet ekzistojnë. Kështu, SHBA dhe Irani kanë interesa të përbashkëta kundrejt Irakut dhe Afganistanit. Të dy vendet duhet të qetësohen dhe të mos prishin paqen, jo vetëm të Iranit fqinjë por edhe të pjesës tjetër të botës. Nëse arrihet që në konferencën për Afganistanin, që pritet të mbahet në Hagë të nxirren në pah këto interesa të përbashkëta, atëherë pse të mos jetë e mundur të gjenden interesa të përbashkëta edhe në çështjet e tjera kontradiktore?

Shumë gjëra varen nga besimi reciprok dhe ky duket se mungon. Në Teheran ekzistojnë natyrisht arsye të tjera pse kjo nuk ndodh. Ideologët e "Republikës Islamike" druhen se afrimi me SHBA do të nxirrte jashtë loje doktrinën e tyre shtetërore. Me imazhin e armikut SHBA jetohet më lehtë.

Autor: Peter Philipp

Redaktoi: Aida Cama