1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me gjithë ultimatumin Budapesti në kurs përballjeje me BE-në

Komisioni i BE-së, do të marrë të martën (17.1.) vendim nëse do të hapë proces kundër qeverisë hungareze për shkelje të pakteve të BE. Por kryeminstri nuk ka treguar deri tani vendosmëri për t`i kthyer ligjet mbrapsht.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe kryeministri hungarez Viktor Orban

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe kryeministri hungarez Viktor Orban

Në fakt ai është vënë me shpatulla për muri, por në intervistë Viktor Orbán i le të gjitha opsionet të hapura. Çfarë do të bëjë ai nëse Komisioni i BE-së hap vërtet proces kundër Hungarisë për shkeljen e pakteve të BE-së? A do të jetë ai i gatshëm të kthejë mbrapsht ligjet e diskutueshme? Po dhe jo, është përgjigja e kryeminstrit hungarez: „Tema kryesore është ligji për rezervat bankare. Për të BE ka jo vetëm pozicionim të vetin politik, por edhe argumente ligjore. Argumente, që ne i pranojmë, kështu që unë nuk shoh arsye për të mos e vlerësuar këtë fakt. Por ka edhe argumente që janë larg ideve tona."

Mungesë gatishmëtie për të trajtuar të gjitha kritikat

Për kritikat e tjera të Komisionit të BE-së, Orbán nuk është që në fillim i gatshëm të diskutojë. Për shembull, për reformën në fushën e drejtësisë. Mosha e pensionit për gjykatësit është ulur, por pas dy vitesh do të ngrihet sërish. Në Bruksel ekziston droja se këto masa shërbejnë për të larguar juristët e padëshiruar. Viktor Orban e komenton kështu këtë ligj: „Sa i përket gjykatësve, BE nuk ka kompetenca. Kjo është një çështje hungareze. Mosha e pensionit duket se është në çështje e diskutueshme. Bashkimi Evropian është ai që kërkon ligje transparente dhe të qarta për pensionet. Dhe të tilla janë ligjet në Hungari."

Brukseli kritikon edhe emërimin e të ngarkuarit hungarez me mbrojtjen e të dhënave

Brukseli kritikon edhe emërimin e të ngarkuarit hungarez me mbrojtjen e të dhënave

Edhe kritika e Komisionit të BE-së për emërimin e të ngarkuarit të ri me mbrojtjen e të dhënave, nuk është e drejtë për kryeministrin hungarez. Në çështje të tilla nuk pyetet për mendimin politik, por për argumente të forta thotë ai: „Në temën e mbrojtjes së të dhënave kemi të bëjmë me një vrimë në ujë. Në vjeshtën e kaluar ne vendosëm rregulla të reja për postin dhe kompetencat e të ngarkuarit me mbrojtjen e të dhënave. Ai që mbante këtë post ka protestuar disa herë. Prandaj ne nuk e pyetëm nëse donte ta merrte sërish këtë post, po emëruam një tjetër. Ankesat do i sqarojmë."

Dhënia e huave mund të kushtëzohet

Si pasojë e një procesi për shkeljen e pakteve, Hungarisë mund t`i bllokohen paratë e nevojshme për programet e BE-së. Para së gjithash rrezikohen bisedimet për një program të përbashkët disamiliardësh të BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat sapo kanë filluar si duhet. Hungaria mund të bëhet e paaftë për të paguar maksimumi në pranverë. Çfarë pret Viktor Orbán nga strategjia e tij? Ka mundësi që ai të presë që kërkesat e BE-së pas një kontrolli të saktë juridik të formulohen më butë se ishin menduar fillimisht. Këtë mendon të paktën studiuesi i shkencave politike, Zoltan Kiszely: „Budapesti pret tani që Komisioni të thotë se paragrafi filan është në kundërshtim me pikëpamjet tona për të drejtën e komunitetit. Kjo ka ndodhur edhe me ligjin e mediave, shumë pika të tij janë kritikuar, por Komisioni u ankua vetëm për tri pika të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e BE-së për mediat audiovizuale. Dhe Budapesti i rishikoi menjëherë këto tri pika.“

Në fund të fundit, mendon Orbán, Komisioni i BE-së është një tigër prej letre, kurse ai vetë mund të marrë  më shumë pikë tek ithtarët e tij. Por kjo lojë është shumë e guximshme. Qeveria e ka humbur prej kohësh besimin ndërkombëtar dhe në Hungari shumë zgjedhës të zhgënjyer të 2010-s i janë larguar partisë në pushtet, FIDESZ.

Autor: Jörg Paas / Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj