1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me buldozer kundër refugjatëve

Me buldozerë policia franceze zbrazi të martën (22.9.) të ashtuquajturën "xhungël e Kalesë". Kështu e quajnë francezët kampin e refugjatëve pranë Kalesë në Kanalin e Lamanshit. Në kamp kanë jetuar mbi 1.000 refugjatë.

Policia franceze zbraz kampin e refugjatëve në Kale, 21 shtator 2009.

Policia franceze zbraz kampin e refugjatëve në Kale, 21 shtator 2009.

Sipas të dhënave të autoriteteve, gjatë aksionit të boshatisjes u arrestuan 250 vetë, ndër të cilët shumë fëmijë dhe të rinj. Banorëve iu kërkua me megafon të lëshonin barakat e tyre të ndërtuara nga paleta dhe copa mushamaje. Ishte një spektakël i madh mediatik. Ministri francez i Imigracionit Eric Besson, e kishte njoftuar aksionin që javën e kaluar.

Migrantët rreth zjarrit për të demostruar kundër evakuimit të kampit.

Migrantët rreth zjarrit për të demostruar kundër evakuimit të kampit në Kale.

Fillimisht policia ndau të miturit nga të rriturit. "Jo ai është shumë i ri", thotë një polic, "do e marrim megjithatë me vete", thotë një tjetër. Ndërkohë që organizatat humanitare tregojnë se si një 11-vjeçar u nda nga i ati, shefi i policisë e përgënjeshtron këtë në një konferencë të improvizuar për shtyp. Fëmijët nuk janë ndarë nga prindërit, deklaron ai. Konferenca për shtyp zhvillohet në mes të rrugës. Për punonjësit e organizatave humanitare, boshatisja e kampit ishte një provë e vështirë. Sylvie Copyans nga organizata humanitare Salam: "Policët e gatishmërisë u sulën mbi ne, fëmija përbri meje përpiqej të më mbronte mua, unë përpiqesha të mbroja fëmijën. Ata na shtynë dhe na goditën, ma morën fëmijën nga duart me forcë - është një klimë dhune."

Sylvie Copyans dhe shumë të tjerë kanë qenë të vetmit që gjatë shtatë viteve të kaluara janë kujdesur për refugjatët në të ashtuquajturën "xhungla e Kalesë". Me ushqim, batanije dhe mushama. Banorët prej tyre kishin ndërtuar ndër të tjera edhe një xhami. Gjithçka u shkatërrua të martën paradite. Ministri francez i Imigracionit Eric Besson e përgëzoi aksionin e policisë. Kontrabandistëve që kontrollojnë kampin iu është hequr puna nga duart, tha Besson. Shefi i policisë Pierre de Bousquet de Florian, tha se me këtë aksion nuk do të zgjidhet gjithë problemi i refugjatëve në veri të Francës.

Gjatë aksionit të boshatisjes u arrestuan 250 vetë, ndër të cilët shumë fëmijë dhe të rinj.

Gjatë aksionit të boshatisjes u arrestuan 250 vetë, ndër të cilët shumë fëmijë dhe të rinj.

Afganët dhe irakianët e ndaluar nga policia të martën do të merren tani në pyetje në gjendje arresti. Nëse pëpara se të hynin në Francë kanë qenë në një tjetër vend evropian, do të dërgohen në atë vend. Ministri i Imigracionit Eric Besson kërkon megjithatë t'i bindë refugjatët të rikthehen në vendet e origjinës: "Ne i propozojmë secilit të kthehet vullnetarisht në vendin e tij. Për këtë do të marrë një shumë të vogël parash, me të cilën mund të vendoset në atdheun e tij."

Por punonjësit humanitarë nuk besojnë se do të jenë të shumtë ata që do të pranojnë. Kush ka ardhur në Francë ka paguar për largimin nga vendi shpesh deri në 20.000 euro. Franca u jep për shembull refugjatëve që janë pa familje vetëm rreth 2.000 euro për kthimin. Nëse aksioni i policisë i së martës krahasohet me aksione të mëparshme, shumë prej refugjatëve duhet të lirohen përsëri nga policia. Me shumë gjasa ata do të rikthehen në Kale. Francis Geste nga organizata humanitare C'Sur: "Më vjen pështirë. Refugjatëve u vështirësohet edhe më shumë jeta. Ata largohen që këtej në vend që t'u lejohet të gjejnë një vend për të jetuar."

Edhe një gjë bëri të qartë të martën ministri francez i Imigracionit Eric Besson: së bashku me fqinjin, Anglinë, do të bëhet ç'është e mundur për ta bërë kufirin edhe më të padepërtueshëm."

Autor : Johannes Duchow / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama