1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Me çmimin e naftës bie rubla

Monedha ruse është zhvlerësuar dukshëm, Banka Qendrore në Moskë nuk do ta mbështesë më. Varësia e Rusisë nga eksportet energjetike është më e dukshme se kurrë.

Ölraffinerie in Russland

Ëndrra e keqe e rusëve u bë realitet: çmimi i naftës ra brenda disa muajve me 30 përqind. Ajo që për përdoruesit perëndimorë të automjeteve dhe për blerësit e vajgurit duket si lajm i mirë, për më shumë së 145 milionë banorë të prodhuesit të tretë në botë të naftës është një kërcënim i fortë i mirëqënies së tyre. Sepse nafta është shumë më tepër se gjithçka tjetër burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të shtetit rus. Dhe si lubrifikan për investime dhe konsum ajo është shumë më e rëndësishme se gazi, i cili del herë pas herë në qendër të interesit mediatik. Por edhe gazi tani do të bëhet detyrimisht më i lirë.

Banka Qendrore heq dorë nga blerjet mbështetëse

Rubla ka humbur këtë vit përballë dollarit dhe euros 30 deri 40 përqind të vlerës së saj, në një kohë kur shitja e monedhës vendase në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit pati marrë tipare paniku. Banka Qendrore pas kësaj hoqi dorë nga blerjet për ta mbështetur rublën, duke e liruar plotësisht të hënën (10.11.2014) kursin e rublës, megjithëse kishte ndërmend ta bënte këtë në fund të vitit.

Rubla brenda një viti është zhvlerësuar 30%

Rubla brenda një viti është zhvlerësuar 30%

Lëkundjet më të fundit spekulative në tregun rus të devizave nuk kanë të bëjnë "absolutisht fare me shkaqet fondamentale ekonomike dhe me faktorët", u dha siguri të hënën Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kolegëve të tij në Forumin e Nivelit të lartë Azi-Paqësor.

Por ekspertët e shohin këtë ndryshe. Ata tërheqin vëmendjen para së gjithash tek ngadalësimi i vrullshëm i zhvillimit ekonomik, që nisi që në vitin 2013 dhe që e solli Rusinë këtë vit në buzë të recesionit. Kësaj i shtohet një largim masiv i kapitalit, pakësimi i investimeve të huaja dhe natyrisht rënia e çmimit të naftës, që solli edhe pakësim të devizave.

Lidhje mes ekonomisë dhe çmimeve të naftës

Përveç çmimit të naftës, problemet e tjera janë shkaktuar vetë. "Shkaqet fondamentale konsistojnë në faktin, që në 10 vitet e fundit praktikisht në vend nuk janë kryer reforma. Sot e shohim rezultatin e kësaj politike", i tha DW Michail Kasjanov, kryeministër i Rusisë në vitet 2000-2004 dhe sot politikan i opozitës. Ai shton edhe dy shkaqe politike për rënien e rublës këtë vit: "agresionin e Rusisë kundër Ukrainës" dhe sanksionet e Perëndimit, që pasuan.

Zhvillimi i çmimit të naftës në vitin 2014

Zhvillimi i çmimit të naftës në vitin 2014

Përkundrazi, profesor Maxim Mironov, i cili jep mësim financat në Shkollën IE të Biznesit në Madrid, thotë se "rritja ekonomike në vitet 2000 ishte rezultat i një lidhjeje, korrelacioni midis ekonomisë ruse dhe çmimeve të naftës, zhvlerësimi në muajt e fundit është pasojë e këtij korrelacioni", shkroi eksperti në revistën serioze ekonomike "Vedomosti".

Për konsumatorët rusë, që mundohen gjithsesi nga inflacioni i lartë, rënia e tanishme e kursit të rublës është një goditje e rëndë. Por kjo nuk vlen për buxhetin e shtetit. Ministri rus i financacve, Anton Siluanov, llogariti pak kohë më parë: rënia e çmimit të naftës me një dollar i ul të ardhurat me 70 miliardë rubla, kurse ngjitja e kursit të dollarit me 1 rubël sjell 180-200 miliardë rubla shtesë në arkën shtetërore.

Por ekonomisë ruse do t'i mungojë valuta. Këtë eksportuesit perëndimorë në Rusi do ta ndiejnë dhimbshëm. Sepse për produktet e tyre ata nuk duan rubla, por dollarë, ose euro.