1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afghanistan Anschläge

19 Gusht 2009

Megjithë serinë e fundit të sulmeve në Afganistan, Komandanti amerikan i trupave të ISAF-it në Afganistan, McChrystal, beson në suksesin e zgjedhjeve. Megjithatë gjendja është serioze.

https://p.dw.com/p/JE02
McChrystal: talibanët kanë fituar shumë ndikim. Ne foto: komandanti i trupave amerikane ne Afganistan, McChrystal
McChrystal: talibanët kanë fituar shumë ndikimFotografi: AP

Atentatori vetëvrasës pati si synim të sulmonte trupën ndërkombëtare

Kryengritësit përpiqen me të gjitha mjetet të prishin procesin e zgjedhjeve në Afganistan dhe me sulmet e tyre nuk ruajnë as kryeqytetin. Njerëz të panjohur goditën të martën (18.08) Kabulin me raketa. Më pas një atentator vetëvrasës hodhi veten në erë në Lindje të qytetit, së bashku me automjetin e tij. Të gjitha këto ndodhën brenda disa orëve. Për këto sulme, Komandanti i dërguar nga Obama i trupës ndërkombëtare ISAF, Stanley McChrystal thotë:

„Ne ndodhemi para zgjedhjeve. Dhe kemi të bëjmë me atentatorë vetëvrasës, që marrin në shënjestër njerëzit që përpiqen t`i mundësojnë këto zgjedhje. Ata sulmojnë civilët afganë që ndodhen para dhënies së votës. Kjo është një procedurë e pakuptueshme, që drejtohet kundër së ardhmes së Afganistanit."

'Të kujdesesh për sigurinë, është sfidë në shumë pjesë të vendit.'

Duket qartë se atentatori vetëvrasës ka patur si synim të sulmonte trupën ndërkombëtare, sepse ai e hodhi në erë automjetin e tij në afërsi të një autokolone të ISAF-it, duke marrë me vete në vdekje disa vetë. Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë dha shifrën e personave të plagosur, që janë 50. Para disa javësh talibanët patën njoftuar se do t`i prishin zgjedhjet edhe duke përdorur dhunë. Në fundjavë (15.08) një automjet i mbushur me lëndë eksplozivi shpërtheu në afërsi të rezidencës kryesore të Nato-s, ku ka zyrën e tij edhe komandanti i ISAF-it, McChrystal:

„Të kujdesesh për sigurinë, është sfidë në shumë pjesë të vendit. Kryengritësit përpiqen të trembin njerëzit me letra kërcënuese, me lëndë eksplozivi, me atentate vetëvrasëse. Por ata përpiqen të shkatërrojnë diçka që afganët e duan me çdo kusht."

McChrystal pranon që ekstremistët kanë fituar më shumë influencë, sepse ata kanë iniciativën

Në intervistat me gazetarë McChrystal, kundërshton të ketë thënë ndonjëherë se talibanët kanë supremacinë në Afganistan, megjithatë pranon që ekstremistët kanë fituar më shumë influencë, sepse ata kanë iniciativën:

„Gjendja është shumë serioze, kryengritja është rritur. Si gjeografikisht, ashtu edhe përsa i përket dhunës së përdorur. Njëkohësisht edhe përsa u takon mundësive të qeverisë afgane. Ne ndodhemi para një sfide të vërtetë, përsa i përket sovranitetit të Afganistanit."

Edhe në zonën ku veprojnë trupat gjermane, në veri, javën e kaluar gjendja u bë e rrezikshme. Kryesisht në rajonin e Kundusit. Gjithnjë ndodh që trupat e Bundesvehrit të bien në luftime me talibanët. Shefi i ISAF-it, nuk shkon deri aty sa të thotë se talibanët kontrollojnë provincën:

„Kundusi është një zonë ku ka shumë aktivitete kryengritëse dhe shumë dhunë. Është një rajon që ka nevojë për më shumë forca sigurie, më shumë punë rindërtuese, më shumë punë të qeverisë. Por nuk është një zonë që të kontrollohet nga talibanët."

McChrystal premtoi se do ta fitojë luftën me kryengritësit. Dhe ai beson se zgjedhjet do të zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit.

Autor: Kai Kystner/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi