1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

241110 Nordkorea Obama

24 Nëntor 2010

Me fjalë të qarta presidenti Obama dënoi sulmin e Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut. Megjithatë: Uashingtoni aktualisht nuk sheh asnjë arsye që të mbështesë ushtarakisht qeverinë e Seulit.

https://p.dw.com/p/QHBL
Presidenti Barack Obama i shqetësuar për gjendjen në Gadishullin Korean
Presidenti Barack Obama i shqetësuar për gjendjen në Gadishullin KoreanFotografi: AP

Në Uashington sundonte të martën një atmosferë e tendosur, kur u dëgjua për sulmin e Koresë së Veriut ndaj një ishulli të Koresë së Jugut. Lajmi po transmetohej nga të gjitha stacionet radiotelevizive:

Ky është incidenti më i rëndë që prej përfundimit të luftës koreane në vitin 1953, njofton ndër të tjera kjo moderatore e lajmeve në televizon. Bill Burton, zëvendësi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë njoftoi që presidenti është i indinjuar nga ngjarjet në Detin e Verdhë. Dhe natyrisht që ne i qëndrojmë në krah Koresë së Jugut, aleatit tonë të ngushtë. Nga qeveria në Phenian kërkohet që t'u japë fund veprimeve të saj agresive. Dhe Robert Gibbs, zëdhënësi i presidentit theksoi mbrëmë edhe njëherë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndiejnë veten të obliguar thellë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Megjithatë Uashingtoni e bëri të qartë po ashtu se: aktualisht nuk ka arsye për ndërhyrje ushtarake. Forcat e armatosura amerikane kanë stacionuar në Korenë e Jugut afro 30 mijë ushtarë.

Manovra të përbashkëta ushtarake

Angazhimi amerikan për mbrojtjen e aleatit të ngushtë është riafirmuar edhe gjatë një bisede telefonike që presidenti i SHBA-së Barack Obama zhvilloi me homologun i tij koreanojugor Lee Myung Bak. Ata ranë dakord për manovra të përbashkëta të forcave të armatosura. Manovra e parë sipas njoftimeve nga Seuli do të zhvillohet ditën e dielë. Në të njëjtën kohë Obama i bëri thirrje shteteve aziatike të jenë të bashkuar në qëndrimin ndaj Koresë së Veriut. Të gjitha vendet e rajonit duhet ta kenë të qartë, se vendi komunist është një rrezik serioz dhe i vazhdueshëm, tha Obama për kanalin amerikan ABC.

Shtëpi në flakë në ishullin koreanojugor Yeonpyeong
Shtëpi në flakë në ishullin koreanojugor YeonpyeongFotografi: AP

Gjendja pritet të mos shkallëzohet

Megjithatë në kryeqytetin amerikan llogarisin që gjendja në kufirin detar mes dy Koreve nuk do të shkallëzohet. I ngarkuari i posaçëm amerikan për Korenë e Veriut, Stephen Bosworth aktualisht po qëndron në Kinë. Të martën (23.11.) ai i takua me ministrin e Jashtëm kinez dhe pastaj me kërkesë të Departamentit Amerikan të Shtetit dha këtë deklaratë:

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër agresionin e Koresë së Veriut. Ne qëndrojmë qartë në krah të aleatit tonë. Kjo temë u diskutua edhe në takimin tim me ministrin e Jashtëm kinez. Ne të dy jemi të një mendimi se një konflikt i tillë është i padëshirueshëm."

Supozohet se Pekini aktualisht po bën gjithçka është e mundur për të inkurajuar për vetëpërmbajtje qeverinë koreanoveriore. E paqartë mbetet se çfarë do të ndodhë më tej me bisedimet e ashtuquajtura gjashtëpalëshe për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë që një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze u shpreh të martën se tani bisedimet e reja janë patjetër të nevojshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin si të pakuptimta negociatat e tilla. Për aq kohë sa në tokën koreanoveriore do të zhvillohen programe bërthamore, ne nuk do të ulemi në një tryezë me Korenë e Veriut, u tha prapë në Uashington. Në bisedimet gjashtëpalëshe të ndërprera aktualisht, përveç Koresë së Veriut dhe të Jugut marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Japonia dhe Rusia.

Autor: Klaus Kastan/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi