1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mbyllja e kufirit mund të tendosë gjendjen në Ballkan

Partia CSU ka kërkuar prej kancelares Angela Merkel të ndryshojë menjëherë politikën e saj ndaj refugjatëve. Kërkesa të tilla janë dëgjuar edhe prej të tjerëve, por Merkel refuzon mbylljen e kufijve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëron se mbyllja e kufijve nga Gjermania apo Austria mund të çojë deri në konflikte ushtarake në Ballkan. "Mbyllja e kufijve do të shkaktonte kritika dhe grindje mes vendeve të ndryshme", theksoi Merkel në një takim të partisë CDU, të mbajtur në Darmstadt. Si shembull të ngritjes së tendosjeve ajo përmendi murin e ngritur nga Hungaria në kufi me Serbinë, por edhe Kroacinë.

Mosmarrëveshje mes vendeve të Ballkanit

Në Ballkanin Perëndimor edhe tani ka tendosje serioze mes vendeve të atjeshme. Kjo është parë edhe gjatë konferencës së fundit me vendet përgjatë së cilave kalon rruga e refugjatëve nëpër Ballkan. Qëllimi i kësaj konference të mbajtur në Bruksel ishte ulja e tendosjeve dhe gjetja e zgjidhjeve më të mira. "Nuk dua që atje sërish të jenë të domosdoshme ndërhyrjet ushtarake", theksoi Merkel në takimin me përfaqësuesit e partisë së saj CDU, në Darmstadt. Merkel tha se qëllimi i saj nuk është të përhapë pesimizëm. Por gjendja në Ballkan mund të përshkallëzojë më shpejt se sa që mendohet. Grindjet mund të shndërrohen në zhvillime, të cilat nuk i do askush.

Merkeli tha se muri hungarez ka pasur për pasojë ndryshimin e rrugëve të refugjatëve, të cilët tani kryesisht kalojnë nëpër Maqedoni, Serbi, Kroaci dhe Slloveni. Por kjo valë e refugjatëve ka tensionuar gjendjen në këto vendje dhe ka rezultuar madje me mosmarrëveshje serioze mes Serbisë dhe Hungarisë, Serbisë dhe Kroacisë, si dhe Kroacisë dhe Sllovenisë.

Muret tendosin gjendjen

Në takimin me përfaqësuesit e partisë së saj, kancelarja Merkel ka dëgjuar fjalë të shumta kritike për politikën e tanishme ndaj refugjatëve. Kursin e tanishëm e kanë mbështetur shumë pak folës, ndërsa të tjerët kërkojnë që kancelarja dhe qeveria gjermane të ndryshojnë masat sepse "kështu nuk shkon më". Por Merkel tha se refugjatët do të kërkonin rrugë të tjera për të ardhur në Gjermani, nëse Gjermania apo Austria vendosë të ngre mure në kufi. Ndërkohë që kjo mund të shkaktojë tendosje serioze mes vendeve të Ballkanit. Gjermania si vend i madh e ka për obligim të gjejë një zgjidhje tjetër të mundshme për refugjatët që vijnë në Evropë. Merkeli u shpreh e sigurt se mund të gjendet zgjidhje e përbashkët, e bazuar mbi solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.