1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mbyllet procesi i mbikqyrjes ndërkombëtare

Megjithë fundin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë përmes misionit EULEX. Po ashtu misonin do ta vazhdojnë edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën e dha dritën jeshile për përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarëssisë. Ky proces duhet të përfundojë deri më 12 shtator të këtij viti, u tha të hënën në takimin që u zhvillua në Vjenë të Austrisë.

Deri në shtator, institucionet e Kosovës duhet t`i miratojnë ligjet dhe të ndryshojnë Kushtetutën në ato nene që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mbikëqyrësit të pavarësisë.

Nikoqiri i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger, tha se: “Nga dita e sotme Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator.

Sipas vendimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, Kosova ka zbatuar me sukses detyrimet e marra me paketën e presidentit Ahtisari dhe tash i mbetet që t'i bëjë dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të marrë përsipër përgjegjësitë të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar konstaton se plani i Marti Ahtisarit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për t'i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur dhe për mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media pas takimit.

Ende shumë punë për të bërë

Në takimin e Vjenës morën pjesë dhe kryeministri Hashim Thaçi dhe disa ministra të qeverisë së tij. Për kryeministrin Thaçi, ky vendim përbën një ditë historike për Kosovën për të cilën tha ai, meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.

Main opposition leader Hashim Thaci attends the closing rally of Democratic Party of Kosovo (PDK) in northern Kosovo town of Podujevo on Thursday, Nov. 15, 2007. Local and parliamentary elections are scheduled for November 17, even though Kosovos legal status remains undefined, and negotiations between the governments of Serbia and Kosovo to solve this issue are continuing. Banner of the late Kosovo President Ibrahim Rugova is seen in background.(AP Photo/Visar Kryeziu)

Hashim Thaçi

"Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën një shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre”, tha Thaçi.

Gjithësesi edhe pse Zyra Civile Ndërkombëtare e mbyll misionin e saj në Kosovë këtë vit, misioni EULEX do të vazhdojë punën dhe do të ketë kompetenca ekzekutive në polici dhe gjyqësi. Nënkryetari i kuvendit të Kosovës Sabri Hamiti, thotë se megjithë mbylljen e ICO-së, mbikqyrja e plotë e pavarësisë nuk po hiqet për vetë faktin që misioni EULEX vazhdon të jetë në Kosovë.

“Qysh hiqet mbikqyrja e pavarësisë kur dihet se ne pas disa ditësh në këtë kuvend do të votojmë që t'i jepet një mandat i ri EULEX-it. Nuk është mirë t'i mbyllim sytë në kuvend, sepse nëse i jepet një mandat i dytë EULEX-it, që do t'i jepet, atëherë mbikqyrja e pavarësisë vazhdon funksionalisht”, thotë Sabri Hamiti.

Edhe në disa institucione tjera, si p.sh. në Gjykatën Kushtetuese, do të vazhdojnë punën të paktën edhe një vit e gjysmë një numër gjyqtarësh ndërkombëtarë, por ata do të jetë nën autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe do të paguhen njëlloj si kolegët e tyre kosovarë.

Ndryshime ligjesh

Kuvendi i Kosovës, nga ana e tjetër, gjatë tërë verës ka për detyrë që të ndryshojë 21 ligje në mënyrë që deri në shtator në ligjet e Kosovës të mos përmendet me asnjë term mbikqyrja ndërkombëtare. Për këtë qëllim kuvendi i Kosovës me datën 22 qeshor, miratoi një ligj të posaçëm që lejon ndryshimin e 21 ligjeve tjera.

Por, që të miratohet një ligj për ndryshimin e shumë ligjeve është kundër praktikave demokratike, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës që monitoron punën e kuvendit, thotë se parlamenti ka pasur kohë që nga janari i këtij viti që të ndryshojë ligjet dhe jo të pritet në dy muajt e fundit dhe të ndryshohen ligjet pa pasur debat të gjerë. “Ne kemi vlerësuar që kjo do të shkaktojë vështirësi edhe në zbatim edhe në interpretim dhe ka për ta vështirësuar qasjen e qytetarëve në dokumente zyrtare dhe dokumente publike. Sepse, për një ligj të caktuar duhet të referohet pastaj te një ligj i cili rregullon 21 ligje të tjera dhe kjo shkakton vështirësi në qasje dhe në interpretim dhe e dyta përshpejtimi i miratimit të ligjeve deri tash ka treguar që ka derivuar në një legjislacion i cili cdo herë në praktikë nuk po gjen zbatim”, thotë Driton Selmanaj.

Problem veriu i Kosovës

Zbatimi i plotë e planit të Marti Ahtisarit, shënon edhe përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, ky plan nuk ka arritur të zbatohet në tërësi në veriun e Kosovës. Kjo cilësohet si një ngecje e Zyrës Civile Ndërkombëtare por edhe e institucioneve të Kosovës. Megjithatë, moszbatimi në tërësi i këtij plani në veri nuk duhet të jetë pengesë që mos të përfundojë mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, thotë nënkryetarja e komisionit për ndryshimet kushtetuese, Vjosa Osmani.

“Nuk guxojmë që Kosovën ta lëmë një shtet të mbikqyrur deri sa të zgjidhet problemi i veriut. Për problemin e veriut duhet domosdoshmërisht t'i marrin kompetencat e parashikuara me kushtetutë vetë institucionet e Kosovës dhe nuk duhet të presim gjithmonë nga ndërkombëtarët dhe këtë ta gjejmë si arsyetim për moszgjidhjen e problemit të veriut”, thotë Vjosa Osmani.

Mirëpo, për të tejkaluar, si thuhet, ngecjen e shënuar në veri, qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, themeluan një zyrë administrative e cila në fakt do të luajë rolin e komunës së veriut të Mitrovicës dhe do të zëvëndësojë rolin që ka pasur në këtë pjesë Zyra Civile Ndërkombëtare.

Sidoqoftë, procesi i përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë ndodh në shtator të këtij viti. Heqja e kësaj mbikqyrje ndodh në kuptimin formal-juridik, por jo edhe largimin e tërë prezencës ndërkombëtare nga Kosova. Qeveria është duke punuar për një format ndryshe të pranisë së misionit EULEX në Kosovë dhe natyrisht edhe për praninë e trupave të NATO-os.

  • Data 02.07.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Kosovo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15PzG
  • Data 02.07.2012
  • Autor Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Kosovo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15PzG