1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mbylleni derën, bën korent!

Presidenti i Ukrainës, Janukoviç me sa duket mund t'ia lejojë thuajse të gjitha vetes. BE megjithatë i përmbahet ofertës së tij. Ky qendrim pajtues duhet të marrë fund, mendon Christoph Hasselbach.

Fotografi Koment shqip

Një derë mund të qendrojë e hapur edhe më gjatë se sa duhet. Nga dera e hapur e BE për Ukrainën ka kohë që fryn vetëm erë e ftohtë nga Kremlini, që u fut të ftohtin banorëve të shtëpisë. Masën deri ku ka vuajtur respekti për veten i BE në trajtimin e qeverisë së Ukrainës e tregon më se qartë vizita më e fundit në Kiev e së Ngarkuarës me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton. Në një kohë kur Përfaqësuesja e Lartë ndodhej në kryeqytet dhe po përpiqej të ndërmjetësonte midis qeverisë dhe opozitës, forcat e sigurisë iu drejtuan me dhunë demonstruesve. Ashtoni tha në një deklaratë se është "e dëshpëruar" që milicia "dëbon njerëz paqësorë". Dhe pastaj ajo i la këshillën e mençur qeverisë së Ukrainës: "Dialogu dhe shkëmbimi janë në çdo rast më të mira se argumenti i dhunës", kështu u shpreh Ashtoni pasi aksioni i policisë tashmë kishte filluar. Edhe pas kësaj, ajo qendroi në qytet, edhe për një bisedë tjetër me Janukoviçin.

Tallje e opozitës

Në mënyrë të ngjashme të papërshtatshme reagoi edhe Komisari i Zgjerimi të BE, Stefan Füle, në nëntor, kur Janukoviçi e anuloi nënshkrimin e marrëveshjes së asociimit me BE. Po në të njëjtën ditë, Komisari i hipi avionit për në Kiev, që t'ia ndryshonte mendjen Janukoviçit. Nga njëra anë, ky BE thjesht nuk dëshiron ta pranojë që ky president i tregon rrugën. Nga ana tjetër e Ngarkuara me Politikën e Jashtme gjen vetëm disa fjalë të zbehta keqardhjeje, kur qeveria - në kohën kur Ashton ndodhet ende në Kiev - vepron me dhunë kundër demonstruesve. Duket sikur Janukoviçi mund t'i lejojë praktikisht gjithçka vetes përballë Komisionit. Me këtë BE i sinjalizon presidentit jo vetëm se e pranon manovrimin e tij midis Moskës dhe Brukselit, kjo është edhe një tallje për opozitën.

Janukoviçi e zotëron lojën në mënyrë perfekte

Qeveria e Ukrainës e zotëron ndërkohë në mënyrë perfekte lojën me BE. Janukoviçi e braktis marrëveshjen, por takohet pastaj i gëzuar në nëntor me kryetarët e shteteve dhe të qeverive në Vilnius dhe u jep atyre shpresa të reja. Ai thotë se dëshiron të lidhet me Perëndimin, por Brukseli duhet t'ia kompensojë humbjet që priten nga ndërprerja e tregtisë me Rusinë. Sipas kuptimit zyrtar, kështu e paraqiti para pak kohësh ambasadori i Ukrainës në Nato, Igor Dolgow, demonstruesit ndjekin të njëjtin objektiv si qeveria, pra afrimin me strukturat evropiane. Vetëm se opozita nuk e ka vënë re ende. Pazari i parave ndërkohë vazhdon: kryeministri Mykola Assarov ka përmendur një shumë prej 20 miliardë eurosh, pas së cilës qeveria e tij mund të jetë megjithatë e gatshme për të nënshkruar një marrëveshje asociimi. Le ta përfytyrojmë njëherë se çfarë britme do të dëgjohej në Bruksel, sikur kërkesa të tilla për afrim me BE t'i bënte një vend i Ballkanit Perëndimor. Tani, pas disa takimeve me Janukoviçin, Ashtoni ka përhapur se presidenti ka ndërmend të nënshkruajë. Në këtë mënyrë ajo prapë gënjehet.

Të imponohet një vendim

Natyrisht që Ukraina është e rëndësishme për BE, jo vetëm për shkak të madhësisë së saj dhe rëndësisë strategjike për të gjithë rajonin, por edhe si model për ish-republika të tjera sovjetike. Por edhe varësia e anasjelltë është pakrahasueshmërisht më e madhe. Dhe është edhe çështje parimi: BE nuk mund të lejojë ta tërheqin më për hunde. Ai i ka paraqitur prej kohësh kushtet e tij. Ato nuk duhet të ndryshojnë. Nëse qeveria e Ukrainës nuk do t'i plotësojë ato kushte, atëherë BE duhet ta mbyllë derën, hë për hë të paktën. Atëherë Janukoviçi do të detyrohet të marrë vendim - gjë që deri tani ka mundur ta shmangë- edhe në sajë të BE.