1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e Kushtetutës ka dështuar

Marcel Fürstenau3 Tetor 2014

Në luftën kundër fanatikëve islamikë mund të jetë i suksesshëm por në trajtimin e grupit të djathtë ekstremist NSU Mbrojtja e Kushtetutës ka dështuar tërësisht. Marcel Fürstenau nuk ka më besim në këto autoritete.

https://p.dw.com/p/1DP7I
Beate Zschäpe në sallë e gjyqit, 30.09.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa/Andreas Gebert

Çfarë ka mbetur pa dalë në dritë akoma? Sa i thellë është moçali? Pyetje të tilla shtrohen përsëri gati tre vjet pas zbulimit të grupit, Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU). Grupi terrorist akuzohet për dhjetë vrasje raciste, sulme me bomba dhe plaçkitje të bankave. Autorët e dyshuar u zhdukën në ilegalitet në vitin 1998, megjithëse vëzhgoheshin nga enti i Mbrojtjes së Kushtetutës në Tyringji. Dy vite më vonë filloi seria e vrasjeve, që përfundoi në vitin 2007. Dhe tani bëhet e ditur që Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) që në vitin 2005 i është treguar një cd me shkurtimin "NSU / NSDAP".

Sipas të dhënave të shërbimit sekret shtetëror me qendër në Këln cd-ja u zbulua së fundi "në kuadër të shikimit të dosjeve për hetimin në vazhdim". Sikur kjo të jetë e vërtetë, do të kishte një arsye më tepër për shqetësim. Sepse kjo do të thoshte, se autoriteti i ngarkuar për mbrojtjen e kushtetutës është i paaftë për të filtruar në mënyrë efektive një material të vetin në epokën e digjitalizimit. Ose si shpjegohet fakti, që në arkivat e një shërbimi sekret me teknikë moderne të flenë të pazbuluara informacione, që mund të bëhen të dukshme me ndihmën e një fjalëkërkimi të thjeshtë?

Jo me arsyetime të turpshme!

Askujt në entin për mbrojtjen e kushtetutës nuk i ka shkuar mendja për të kontrolluar dosjet e veta me fjalëkërkimin "NSU"? Kaq naiv nuk mund të paraqitet organizimi i një enti për mbrojtjen e kushtetutës në rang federal apo landi! Ju lutem mos na jepni më arsyetime,, që herë janë të turpshme, herë qesharake dhe para së gjithash të pabesueshme! Duhet patur parasysh se pak ditë pas vetëzbulimit të NSU në nëntor 2011 janë zhdukur dosjet, që i referoheshin NSU-së. Kush do të besojë në vazhdën e skandaleve për rastësi, apo paaftësi?

Marcel Fürstenau
Marcel FürstenauFotografi: DW/S. Eichberg

Presidenti i atëhershëm i BfV, Heinz Fromm, dha dorëheqjen. Ministri i brendshëm federal dhe ministrat e brendshëm të 16 landeve të impresionuar nga shoku, që shkaktoi NSU, premtuan reforma të thella në entin e mbrojtjes së kushtetutës. Prej kësaj nuk ka dalë më shumë se njoftimi për krijimin e një skedari qëndror me të dhëna për personat ndërmjetës (punonjës të Mbrojtjes Kushtetuese që veprojnë në rradhët e ekstremistëve të djathtë. Shënim i Red). Në të kaluarën informacioni për spiunët e së djathtës ekstreme, por edhe për spiunët e tjerë, ka qenë pjesë e domenit të informacionit të zyrave shtetërore. Kjo praktikë, që bazohej në vanitet dhe zili, favorizoi aktivitetet vrastare të ekstremistëve të djathtë. Në këtë vlerësim arritën komisionet hetimore parlamentare në Berlin dhe Erfurt.

Çfarë sekretesh mori me vete "Corelli" në varr?

Të njëjtën akuzë ngriti këto ditë një avokat në procesin e NSU-së në Mynih, i cili në procesin, që zgjat që nga maji 2013, përfaqëson interesat e familjarëve të viktimave. Momenti i deklaratës së tij ishte zgjedhur si duhet. Ajo u bë pas marrjes në pyetje të dëshmitarit neonazist, për kohë të gjatë spiun i Mbrojtjes së Kushtetutës, Tino Brandt dhe ndërmjetësit të tij. Në atmosferën e këtij bashkëveprimi në mes ekstremistëve të djathtë dhe punonjësve të entit të Mbrotjes së Kushtetutës u radikalizuan vrasësit e NSU Uwe Böhnhardt, Uwe Mundlos dhe Beate Zschäpe.

Por jo vetëm kushtet e çuditshme në Thyringji përforcuan dyshimet në lidhje me entin e Mbrojtjes së Kushtetutës. Cd-ja në lidhje me NSU, e ekzaminuar gjoja tani në zyrën federale në Këln, vjen nga një spiun i diskutueshëm nga mjedisi i ekstremistëve të djathtë. Thomas R. me pseudonimin "Corelli" u gjet i vdekur në banesën e tij disa muaj më parë. Se çfarë sekretesh ka marrë me vete në varr - kështu me sa duket - publiku nuk do ta marrë vesh kurrë.

Nuk duhet të ketë mbrojtje të burimeve, kur është fjala për vrasje!

Dhe pastaj është edhe ish- punonjësi i Mbrojtjes së Kushtetutës Andreas T., i cili është provuar se në kohën e vrasjes së viktimës Halit Yozgat nga NSU në vitin 2006, ka qenë në vendin e ngjarjes. Hetimet kundër tij u ndërprenë pas një kohe të shkurtër. Dosjet e Mbrojtjes Kushtetuese në lidhje me këtë rast mbeten të mbyllura me urdhër të ministrit të atëhershëm të Brendshëm të landit Hessenm Volker Bouffier. Politikani i Unionit Krisitiandemokrat/kristiansocial është ndërkohë kryeministër dhe qeveris me të Gjelbrit. Prej disa muajsh edhe në parlamentin në Wiesbaden ka një komision hetimor për NSU. Edhe ky forum do të konstatojë në fund atë, që të gjithë e dinë tashmë: se autoritetet e sigurisë shtetërore, në veçanti Mbrojtja e Kushtetutës, kanë dështuar.

Më shumë se kaq nuk ka për të dalë, përderisa dosjet me referencë NSU-në nuk do të hapen. Referenca për mbrojtjen e burimit, pra kujdesi për spiunët e dyshimtë nga mjedisi ekstremist i djathtë, është më shumë se cinizëm, duke patsr parasysh të afërmit e viktimave. Që sfondi i një serie vrasjesh për motive racore mbeti për vite i pazbuluar, është më se skandaloz. Por tashmë edhe mungesa e gatishmërisë e entit të Mbrojtjes Kushtetuese dhe e disa përgjegjësve është pjesë e skandalit. Çfarë ka mbetur pa dalë akoma në dritë?