1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e kushtetutës e forcoi lirinë e shtypit

Marcel Fürstenau6 Tetor 2015

"Tradhëti ndaj atdheut" ishte akuza kundër platformës digitale "Netzpolitik.org." Hetimet vërtet që u ndalën, por megjithatë mbeten pyetje. Gazetarë dhe juristë e vlerësojnë ndryshe aferën.

https://p.dw.com/p/1GjPP
Markus Beckedahl und Andre Meister Netzpolitik.org
Blogerat e "Netzpolitik.org" Markus Beckedahl dhe Andre MeisterFotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Është e kuptueshme që shërbimeve të fshehta nuk u pëlqen fare, kur bëhen publike të dhëna të brendshme të tyre. Veçanërisht i madh ishte zemërimi te Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), kur në platformën digitale "Netzpolitik.org" në shkurt dhe prill të këtij viti u bënë të ditura hollësi për buxhetin financiar sekret të autoriteteve dhe për planet për ta mbikqyrur më intensivisht internetin. Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans Georg Maaßen bëri kallëzim kundër personave të panjohur. Në fokus të punës së hetuesve u ndodhën autorët e njohur për shërbimet e fshehta, Markus Beckedahl dhe Andre Meister.

Akuza kundër tyre: tradhëti ndaj atdheut. Mbi këtë bazë i nisi Prokurori i atëhershëm i Përgjithshëm Harald Range hetimet kundër "Netzpolitik.org." Pas kritikave në të gjithë Gjermaninë, Ministri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) e nxori atë pak më vonë në pension të parakohshëm. Hetimet u ndaluan.

Shumë solidaritet për "Netzpolitik.org"

Afera në kuptimin e ngushtë vërtet mori fund, por diskutimet për pasojat e mundshme dhe të nevojshme vazhdojnë. Prandaj Grupi Parlamentar i Aleancës 90/Të Gjelbërve në Bundestag organizoi të hënën (05.10) në Berlin një bisedë ekspertësh me gazetarë dhe juristë. Që në titullin që i kishin vënë aktivitetit mund të nuhatej drejtimi, me të cilin do të trajtohej tema: "Tradhëti ndaj atdheut? Të forcojmë lirinë e shtypit - të mbrojmë gazetarët". Në gjykimin e veprimeve shtetërore kundër "Netzpolitik.org" të pranishmit ishin të të njëjtit mendim: hetimet kanë qenë jo në proporcion me ndodhinë, por në fund të fundit ato më shumë i vlejtën, se sa e dëmtuan lirinë e shtypit. "Shoqëria civile funksionoi" u shpreh i gëzuar gazetari i "Spiegel"-it, Gunther Latsch, duke pasur parasysh mbështetjen e madhe për kolegët blogera, që u ndodhën në vështirësi.

Por pikëpamjet për përfundimet që duhet të nxirren nga afera ishin çuditërisht të ndryshme. Thuajse të gjithë gazetarët e pranishëm ishin të mendimit se janë të tepërta masa të reja ligjore. Por ata që duhen mbrojtur, sipas gazetarëve janë informatorët si Edward Snowdeni, që ua besuan informacionet e tyre medieve. Ata rrezikonin vendin e punës, shpesh madje edhe lirinë, thanë të pranishmit në diskutim. David Crawford nga Zyra e Kërkimeve "Correct!v" madje u rekomandon kolegëve të tij që punojnë në gazetarinë investigative që të mos i përmendin informatorët, të ashtuquajturit Whistleblower në raportimin e tyre. "Lexuesit nuk duhet ta dinë patjetër, që ekzistojnë këta persona", argumentoi Crawford në aktivitetin e Berlinit. Ai vetë preferon që t'u referohet dokumenteve sekrete, pa i përmendur burimet. "Kështu burimet nuk i rrezikon".

Ströbele: Gazetarët nuk ndihen të frikësuar

Mospërmendja e burimit, për mendimin e gjykatësit Ulf Buermeyer prek megjithatë çështjen e besueshmërisë. Kur informanti mbetet anonim, të paktën nuk duhet të hiqet dorë nga publikimi i dokumenteve origjinale. "Në mënyrë që publiku të mund të krijojë mendimin e tij", argumentoi juristi i angazhuar në "Chaos Computer Club (CSS)". Njëkohësisht, Buermeyer paralajmëroi që megjithëse procedura kundër "Netzpolitik.org" pushoi, rreziqet për lirinë e shtypit nuk kanë marrë fund. Veçanërisht në bastisjet që u bëhen redaksive, si në vitin 2005 në të ashtuquajturën "Afera Cicero" vihen në peshë interesi shtetëror me interesin publik.

Një bilanc pozitiv jo përfundimtar nga afera e tradhëtisë ndaj atdheut nxorri politikani i të Gjelbërve, Hans-Christian Ströbele: "Gazetarët nuk ndihen të frikësuar, por më të fortë." Autoriteteve shtetërore dhe qeverisë federale u patën bërë përshtypje reagimi për hetimet ndaj blogerave kritikë. Pra nuk duhet kuptuar si shprehje ironike, kur thuhet se Zyra Federale e Mbrojtjes Kushtetuese e forcoi lirinë e shtypit, me kallëzimin e saj për tradhëti ndaj atdheut.´