1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mbreti i Marokut njofton reformë kushtetuese në vend

Lëvizja demokratike në botën arabe po detyron edhe mbretin e Marokut Mohammed VI, të ndërmarrë një reformë kushtetuese në vend: parlamenti dhe qeveria do të marrin më shumë kompetenca.

Mbreti i Marokut, Mohammed VI.

Mbreti i Marokut, Mohammed VI.

Mbreti i Marokut Mohammed VI, do të dorëzojë një pjesë të pushtetit të tij të gjerë: në një fjalim në televizion, monarku 47 vjeçar paraqiti hollësi të një reforme kushtetuese, e cila pritet t'u japë parlamentit dhe qeverisë më shumë kompetenca.

Referendum im korrik

Reforma e planifikuar konfirmon "karakterin parlamentar të sistemit politik të Marokut". Kështu do të vendoset baza për një "sistem kushtetues eficient dhe racional thelbi i të cilit është ekuilibri, pavarësia dhe ndarja e pushteteve dhe që ka si objektivin më të rëndësishëm lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve", deklaroi Mohammedi. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje qytetarëve të vendit të tij, të votojnë për kushtetutën e re në referendumin që do të mbahet në 1 korrik.

Sipas ndryshimeve të parashikuara, mbreti në të ardhmen do të zgjedhë një kryeministër nga ajo parti, e cila do të marrë më shumë mandate parlamentare; deri tani kryeministri është zgjedhur sipas dëshirës së mbretit. Në të njëjtën kohë kryeministri do të marrë edhe kompetenca të tjera, si për shembull të drejtën për shkarkimin e ministrave.

Mbreti Mohammed VI kërkon të forcojë edhe rolin e parlamentit. Kështu hetimet parlamentare mund të fillojnë me mbështetjen e kërkesës përkatëse nga një e pesta e deputetëve, mocionet e mosbesimit ndaj anëtarëve të kabinetit me mbështetjen e një të tretës së deputetëve. Deri tani për këto ishin të nevojshme vendime të miratuara njëzëri.

Protesta për reforma në Rabat, Marok.

Protesta për reforma në Rabat, Marok, 24.04.2011.

Veç kësaj në kushtetutën e re parashikohet ndarja e pushteteve. Drejtësia do të garantojë që "vepron në mënyrë të pavarur nga sistemi ekzekutiv dhe ai legjislativ", tha mbreti në fjalën e tij. Veç kësaj gjuha e berberëve "tamazigh" do të ketë të drejta të barabarta me gjuhën arabe dhe do të jetë gjuhë zyrtare në Marok.

Figurë drejtuese qendrore

Edhe sipas kushtetutës së re, mbreti do të mbetet komandanti suprem i forcave të armatosura të vendit dhe si kryetar i instancave të rëndësishme, do të mbetet figurë qendrore e sistemit politik. Ai kërkon të vlejë edhe më tej si udhëheqës "i paprekshëm" i myslimanëve marokianë.

Në vazhdën e lëvizjeve demokratike në botën arabe, muajt e kaluar edhe në Marok shumë qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar më shumë liri. Pas protestave të frymëzuara nga lëvizjet në Tunizi dhe Egjipt, mbreti Mohammed VI kishte njoftuar qysh në muajin mars reforma të gjera. Projekti për kushtetutën e re u përpunua muajt e kaluar nga një komision, ku merrnin pjesë përfaqësues të partive politike, sindikatave, organizatave joqeveritare dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë.

Ndërtesa e parlamentit në Rabat, Marok.

Së shpejti më shumë pushtet - parlamenti në Marok.

Opozita mbetet skeptike

Aktivistët e lëvizjes demokratike reaguan me skepticizëm ndaj reformës kushtetuese të njoftuar nga mbreti. Mohammedi foli për elementët e mirë të kushtetutës dhe nuk përmendi ata elementë që janë të kontestuar, u shpreh një përfaqësues i opozitës, i cili tha se është njohur me përmbajtjen e projekt-kushtetutës. Sipas tij, numri i neneve të kushtetutës rritet nga 108 në 180, por mbreti vazhdon të mbajë pushtetin në duart e tij.

Nga ana tjetër, një përfaqësuese e "Asamblesë Kombëtare të të Pavarurve" u shpreh se e kushtetuta e re është një hap i rëndësishëm drejt hapjes së sistemit politik të Marokut. Në projektkushtetutë pranohen qartë të drejtat e njeriut, barazia e të drejtave dhe liria e besimit, tha ajo.

Autor: Christian Walz / E.Xhani (dapd, afp, rtr, dpa)
Redaktoi: A. Cama

DW.COM