1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mblidhen në Vlorë ata që duan të kapërcejnë kufinjtë

24 Shtator 2010

Pjesëmarrës në programin e bursave të biznesit gjerman nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia dhe B-H biseduan në Vlorë mbi temën “Të kapërcesh kufijtë: Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Europa“.

https://p.dw.com/p/PLyC
Rezultate të miraFotografi: DW/Ani Ruci

Se si kapërëcehen kufinjtë në Ballkan e tregojnë më së miri këta dhjetra të rinj dhe të reja nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnjë – Hercegovina, që kanë ardhur në qytetin bregdetar të Vlorës. Me sfonde të ndryshme profesionale, ajo ç' ka i bashkon nuk është vetëm mosha e re apo të qënit ballkanas, por edhe pjesëmarrja në programin e bursave të ekonomisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Secili prej tyre ka marrë pjesë vitin e kaluar në praktika tre dhe gjashtë mujore në kompani lider në Gjermani. Anja Quiring, drejtore rajonale për Europën Jug- Lindore në Komitetin për Marrëdhënie Ekonomike Europiane me seli në Berlin, që në bashkëpunim me ministrinë federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim menaxhon programin e bursave tregon se ai filloi së pari në Serbi, në vitin 2003. Atë vit dy institucionet gjermane me partner Fondacionin “Zoran Xhinxhiç” në Beograd filluan dhënien e bursave të diplomuarve në Serbi. Në vitin 2007 programi u shtri në të gjitha vendet e rajonit. Në sajë të tij deri tani kanë kryer praktika në 65 kompani lider në Gjermani 280 studentë dhe të sapodiplomuar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kapital njerëzor për kompanitë gjermane që operojnë në rajon

Anja Quiring, thotë se pjesëmarrësve ky program bursash, u jep shanse të reja kur kthehen në vendin e tyre. “Ata njohin situatën në tregjet e punësimit dhe janë më realistë për punët që mund t'u ofrohen në vendin e tyre apo dhe në vendet e tjera të rajonit pasi kanë fituar njohuri më të mira për ekonominë e tregut”, thekson ajo.

Kështu ka ndodhur me Elisabeta Poçin nga Tirana

Alumni Regionaltreffen in Vlora Albanien
Pjesëmarrësit e takimit.Fotografi: DW/Ani Ruci

“Kam punuar pranë kompanisë ”Hauser Partner” në Baden-Vyrtenberg dhe kur u ktheva në Shqipëri, në vitin 2008 fillova të punoj në filialin që kjo kompani hapi në Shqipëri dhe jam përfqësuesja e tyre zyrtare për Shqipërinë. Eksperienca ime si bursiste ka qënë shumë interesante, më mësoi shumë gjëra që mundohem t'i vë edhe këtu në jetë.” thotë ajo.

Ballkani Perëndimor - nevojë për më tepër dialog

Por programi i bursave gjermane i kapërcen përfitimet individuale. Ai krijon një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe komunikimi mes pjesëmarrësve që vjen nga njohja mes tyre. Karola Mueller Holt, amabasadorja e re gjermane në Tiranë duke sjellë në vëmendje të të pranishmëve realitetet e reja politike në rajon dhe aspiratën europiane tha: ”Natyrisht, në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka nevojë për më tepër dialog ”.

Zoran Djindjic mit Frau
Zoran dhe Ruzhica XhinxhiçFotografi: AP

Edhe Ruzhica Xhinxhiç, bashkëshortja e të ndjerit ish-kryemnistër të Serbisë, Zoran Xhinxhiç dhe njëherazi presidente e Fondacionit me të njëjtin emër, që ndodhet për herë të parë në Shqipëri, vlerësoi kontributiun që programi i bursave gjermane jep në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.

“Përvojat e përbashkëta janë një nga vlerat më të çmuara të këtij programi. Jam e bindur që të gjithë këta që ndodhen sot në Vlorë do të kontribojnë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal. Mes tyre lind dhe zhvillohet një miqësi e vërtetë”, theksoi ajo.

Çfarë ofron Shqipëria?

Flash-Galerie Albanien
Fotografi: DW

Dëshira për të aplikuar gjithë sa mësuan në Gjermani nxit kërkimin për tregje të reja investimesh. Duke iu përmbajtur temës së takimit në Vlorë, “Të kapërcesh kufijtë: Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Europa“, pjesëmarrësit nga Serbia dhe Kroacia u interesuan për situatën ekonomike në Shqipëri dhe sektorët më tërheqës për të investuar.

“Shqipëria po zhvillohet si një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe njëherazi si një vend që duhet të kapërcejë problemet e prapambetjes ekonomike të së kaluarës”, tha Anette Kasten, nga Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri.

Si sektorë potencialë për investime në Shqipëri ajo përmendi atë energjitik, turizmin, industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve ku, sipas saj, nuk do të jetë e largët dita kur do të ketë nevojë për një kapital të tillë njerëzor si ai i pjesëmarrësve në praktikat në kompanitë lider në Gjermani.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani