1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mbledhje e përbashkët e qeverive të Shkupit dhe Beogradit

Në Beograd është mbajtur seanca e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe të Serbisë, e para e këtij lloji në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Në takim kanë munguar ministrat shqiptarë në qeverinë maqedonase.

Në seancën plenare, të cilën e kanë udhëhequr bashkarisht kryeministri i Serbisë Ivica Daciq dhe ai i Maqedonisë Nikolla Gruevski janë shqyrtuar temat që kanë të bëjnë me integrimet evropiane të të dy vendeve, bashkëpunimi rajonal, zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, para se gjithash rritjen e këmbimit tregtar, bashkëpunimit në fushën e investimeve, mundësisë për shfaqje të përbashkëta në tregje të treta si dhe prezantimit të mundësive turistike të të dy vendeve. Një prej temave që ka zgjuar më tepër interesim në seancën e përbashkët të të dy qeverive, kanë qenë projektet e infrastrukturës e në veçanti ato që kanë të bëjnë me përfundimin e rrugëve në autostraden K-10.

Nënshkrim i një sërë memorandumesh

Gruevski dhe Daçiç në takimin ndërqeveritar serbo-maqedonas në Beograd

Gruevski dhe Daçiç në takimin ndërqeveritar serbo-maqedonas në Beograd

Pas përfundimit të seancës së qeverisë, ministrat e të dy vendeve në takime bilaterale kanë nënshkruar një sërë memorandumesh për bashkëpunim në sferën e shëndetësisë, punëve sociale, energjetikës dhe mjedisit jetësor. Ministrja e punëve të Brendshme Gordana Jankullovska me homologun serb kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në luftën kundër tregëtisë me drogë, bashkëpunim kufitar dhe një bashkëpunim më të ngushtë gjatë sezonit turistik midis policisë së Maqedonisë dhe Sërbisë.

Ministrat shqiptarë kanë munguar në Beograd

Në delegacionin e qeverisë së Maqedonisë që ka qëndruar në Beograd nuk kanë marë pjesë ministrat shqiptarë. “Ministrat shqiptarë kanë detyrimet e tyre në axhendën e brendshme andaj edhe kanë munguar në seancën e përbashkët në Beograd. Ministrat nga rradhët e BDI-së gjatë ditës së sotme kanë realizuar takime në nivel të vendit duke promovuar projektet e dikastereve të tyre, ndërsa një pjesë e ministrave janë zyrtarisht jashtë vendit”, është shprehur zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha.

Seanca e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë që u mbajt sot të hënën (3.6.) në Beograd, është rezultat i marrëveshjes midis dy kryeministrave Gruevski dhe Daciq, arritur në takimin e janarit në Shkup. Nisma të tilla për seanca të përbashkëta qeveritare, Maqedonia ka dërguar edhe deri tek autoritetet në Bullgari, Shqipëri dhe Kosovë. Gjithnjë sipas qeverisë së Maqedonisë për këto nisma ka reagime pozitive por akoma nuk ka afate të caktuara për mbajtjen e tyre. Këto nisma gjithësesi se do të japin një impuls pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve midis vendeve te rajonit.