1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mbledhje e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Prizren

Hashim Thaçi dhe Edi Rama thanë në Prizren se “Takimi i dy qeverive shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës."

Në qytetin e Prizrenit në jug të Kosovës, u mbajt takimi i pëbashkët i dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo mbledhje e përbashkët që nga dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, u cilësua historike, ndodhë për herë të parë në historinë e dy shteteve.

Të dy kryeministrat Thaçi dhe Rama, nënshkruan “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”. Kjo marrëveshje përfshinë fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar. Të dy kryeministrat u pajtuan që të themelojnë edhe një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e hapi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”.

Thaçi: “Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, shembull për rajonin”

“Ka vullnet politik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin. Ndonëse jemi në një familje nuk do të thotë që lidhjet të mos kultivohen prandaj është momenti që të kultivohen dhe nevojiten moment të tilla për të çimentuar këto marrëdhënie. Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkarisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë”, tha kryeministri Thaçi.

Pamje nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Pamje nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e tij, tha se “kjo nismë është pikënisja e një rrugëtimi të përbashkët institucional për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës, forcimin e ekonomisë, thellimin e bashkëpunimit, pasurimin e jetës kulturore të dy vendeve”.

Rama: “Kjo përpjekje tregon mbështetjen e dy qeverive për pakicat shqiptare jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”

"Rruga e re e bashkëpunimit që inaugurojmë sot, duhet të zgjatet përtej mandateve tona. Perspektiva të reja dhe të ndryshme duhet të jenë për dy vendet. Janë 15 perspektiva konkrete bashkëpunimi, hapat e para të të cilave do të hidhen në këtë mbledhje historike”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Takimi i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ishte i paraparë të mbahet që në nëntor të vitit të shkuar, mirëpo, për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë mbledhja u shty për datën 11 janar. Mbledhja e radhës e përbashkët e të dy qeverive do të mbahet në Shqipëri në qytetin e Vlorës, data e së cilës akoma nuk është caktuar.