1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbetjet plastike vrasin!

Stephanie Höppner /Amarildo Topi18 Prill 2013

Një qese plastike zakonisht mund të përdoret për vetëm 30 minuta, por do të duhen 500 vite për t'u dekompozuar. Shumë prej tyre hidhen në lumenj e më pas përfundojnë në dete, ku janë duke shkaktuar shumë probleme.

https://p.dw.com/p/18IYo
Fotografi: Gavin Parson/Marine Photobank

Shumë turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet pranë detit në vende të ndryshme të botës u ka ndodhur që të ndeshen me një qese plastike nën ujë. Një rastësi? Jo, sipas ekspertëve të mjedisit, të cilët kanë llogaritur se në oqeanet e botës lundrojnë nga 100 deri në 150 milionë tonë mbeturina. Rreth 6.5 milionë ton mbetje plastike shtohen çdo vit. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në çdo kilometër katror të oqeaneve gjenden rreth 130 mijë pjesë plastike, që transportohen më pas me anë të rrymave oqeanike. Në një konferencë ndërkombëtare për mbetjet marine, të zhvilluar së fundi në Berlin, 200 ekspertë diskutuan se si mund të zgjidhet problemi. Miqtë e Tokës në Gjermani (BUND), i prezantuan në fillim të javës ministrit gjerman të Mjedisit Peter Altmaier, dokumentin me titull “Dete pa plastikë”,, të firmosur nga disa organizata mjedisore europiane. Në dokument ata kërkonin që Europa të reduktojë me 50% masën e mbeturinave deri në vitin 2020.

Vdekje nga plastika

Por si përfundojnë gjithë këto mbeturina në oqeane? Pjesa më e madhe e tyre, rreth 80 %, hidhet direkt nga vendet bregdetare. „Landfille në vende si Anglia dhe Holanda shkarkojnë materialet e tyre në lumenj, të cilët më pas i transportojnë në det”, thotë në një intervistë për DW Nadja Ziebarth, eksperte e mbrojtjes marine pranë BUND.

Nadja Ziebarth
Copëzat plasitike mund të jenë shkatërruese për gjallesat thotë Nadja ZiebarthFotografi: BUND

Pasojat për gjallesat e detit mund të jenë shkatërruese, shpjegon Ziebarth. "Gjallesat nuk i shohin mbeturinat që lundrojnë në det, ndaj mund të ngatërrohen keq dhe ndonjëherë mund të ngordhin", thotë ajo. Copëzat e vogla ngatërrohen shpesh herë me ushqimin. Gjallesat i hanë këto copëza por nuk mund t'i tresin, prandaj në shumë rastë ato ngordhin me stomakun plot me copëza plastike.

Edhe njerëzit mund të dëmtohen nga këto mbetje. Stomaku i peshqve thith toksinat e copëzave plastike dhe ne më pas konsumojmë mishin e tyre, pra praktikisht kur shkojmë në një restorant na shërbehet helm në pjatë. "Kjo situatë është shumë shqetësuese në zinxhirin ushqimor marin”, thotë Kim Detloff nga Unioni Gjerman për Ruajtjen e Natyrës dhe Biodiversitetit, NABU.

Mësime nga vendet në zhvillim

Për uljen e përdorimit të qeseve plastike, Agjencia Federale për Mjedisin në Gjermani ka propzuar që dyqanet të mos japin falas qeset dhe t'i shesin me një çmim prej 22 centësh. Në Irlandë ku klientët duhet të paguajnë për qeset plastike, përdorimi i tyre ka rënë me 90 përqind. Mesatarisht një person përdor 18 qese në vit. Ndërsa në Gjermani kjo shifër është 71 qese plastike në vit. Mesatarja e Bashkimit Europian është 198 qese, me Bullgarët që mbajnë vendin e parë me 421 qese plastike.

Pamje simbolike: ndotja e ujërave
Ndotja e ujërave ndikon negativisht në zinxhirin ushqimorFotografi: Fotolia/sablin

Në Kenia, Ugandë, Ruandë dhe Tanzani, qeset plastike janë nxjerrë jashtë përdorimit me ligj, po ashtu si në Bangladesh dhe Bhutan. "Është interesant fakti që Europa duhet të mësojë nga këto vende në zhvillim”, thotë Detloff.

Pengesë për tregtinë

Edhe pse ka patur disa përmirësime të vogla, organizatat e mjedisit nuk janë ende të kënaqura. "Ne duhet absolutisht të reduktojmë përdorimin e plastikës. Disa produkte plastike mund të përdoren më shumë se një herë kështu që nuk duhet të hidhen menjëherë e disa të tjerë mund të riparohen. Kjo është shumë e rëndësishme”,  thotë Detloff. Riciklimi dhe menaxhimi i mbetjeve duhet të përmirësohen gjithashtu thotë ajo.

Kai Falk nga ShoqataTregtare Gjermane
Kai Falk nga ShoqataTregtare GjermaneFotografi: HDE

Shoqata Tregtare Gjermane (HDE) është kritike ndaj këtyre sugjerimeve. "Në Gjermani çdo vit përdoren rreth 5.3 miliardë qese plastike, çka do të thotë se konsumatorët dhe bizneset do të paguajne rreth 1.2 miliardë euro më shumë shumë”, thotë Kai Falk, i cili është përgjegjës për çëshjtet e qëndrueshmërisë pranë Shoqatës Tregtare Gjermane.